Dua Lipa thotë se postimi i saj me “Autochthonous” u keqinterpretua

Përderisa debatet e përplasjet s’kanë të ndalur, Dua Lipa ka dalë me një sqarim. Është përgjigjur në lidhje me postimin e së dielës që nxiti polemika dhe e vendosi atë në qendër të mediave në Ballkan, por edhe të atyre ndërkombëtare.

Lipa ka thënë se postimi i saj nuk ka pasur për qëllim që të nxisë urrejtje. Për të është e rëndësishme që Kosova të vendoset në hartën e “Apples” dhe që të ketë mundësinë që të flasë me krenari për rrënjët e saj shqiptare.

24-vjeçarja postoi imazhin e transparentit “Autochthonous”, shoqëruar me shënimin: “Autokton – mbiemër (banor i një vendi) vendas dhe jo pasardhës emigrantësh ose kolonistësh”. Postimi i saj, shumë shpejt u bë viral dhe u mbush me komente përplasëse veçmas midis shqiptarëve e serbëve, por dhe më gjerë. Nga këta të fundit u cilësua si “propagandë”, “nxitje e terrorizmit” dhe pjesë e “agjendës naziste”, transmeton ‘koha.net’.

Lipa përmes një postimi të martën në mbrëmje ka thënë se është e trishtuar dhe e zemëruar që postimi i saj me dashje është keqinterpretuar nga disa grupe dhe persona që promovojnë ndarje etnike, diçka që ajo ka thënë se e kundërshton plotësisht.