Dua Lipa zotohet për dy projekte të infrastrukturës kulturore në Prishtinë

Një investim në amfiteatrin që gjendet në qendër të Prishtinës dhe një tjetër në fshatin Bërnicë të Prishtinës, janë lajmet që ia ka sjellë vendlindjes këngëtarja shqiptare me nam botëror Dua Lipa. Në një bisedë direkte me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Lipa, që është një prej yjeve të muzikës në botë, ka shpalosur planet e saj në raport me Kosovën. E vetizoluar në Londër, Lipa, e cila së voni ka publikuar albumin e ri “Future Nostalgia”, ka folur për rëndësinë e izolimit.

Ajo ka uruar që lehtësimi i masave në raport me pandeminë të mos sjellë ndonjë valë të re infeksionesh. Ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë të kenë kujdes të madh. E sa i përket edicionit të sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”, së bashku me të atin, Dukagjin Lipa, e kryetarin Ahmeti e kanë lënë mundësinë e hapur që të vendoset ditëve në vazhdim nëse do të mbahet apo jo. Por në bazë të diskutimit është lënë të kuptohet se gjasat e edicionit të tretë të festivalit nuk janë reale për këtë vit.

“Ishte shumë inkurajuese ta shohim punën që keni bërë. Tash kur relaksohen termet e karantinës është shumë me rëndësi të qëndrohet në shtëpi e të përçojmë energji pozitive”, ka thënë Lipa. Derisa e ka përshkruar Londrën e këtyre ditëve, ka thënë se vazhdon të jetë e mbyllur, ka treguar se mund të dilet një orë në ditë afër shtëpisë në rast se personi ka nevojë për ushtrime fizike. E vetëm dyqanet e gjërave esenciale janë të hapura.

“Kemi shprehur dëshirën që ta bëjmë rinovimin e amfiteatrit të qytetit me ‘Sunny Hill Fondation”. Do të ketë një instalacion. Do të jetë hapësirë për shumë artistë”, ka thënë Lipa të dielën mbrëma.

I ati i saj, Dukagjin Lipa, ka thënë se ideja është që të mbulohet ajo hapësirë ku më vonë do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Prishtinës. “Kemi shumë festivale dhe ngjarje për të cilat mund të përdoret. Do ta hapim një konkurs për planin ideor shumë shpejt”, ka thënë ai. Më pas Lipa ka treguar se në bashkëpunim me Komunën do të investojnë në fshatin Bërnicë, që gjendet rreth 9 kilometra në veri të kryeqytetit. Sipas planeve dhe një projekti ideor që e ka shpalosur bëhet fjalë për një park të madh ku do të mbahet festivali “Sunny Hill” në të ardhmen.

“Hapësira në Bernicë ka nevojë për investime shumë të mëdha”, ka thënë ai. E ka pyetur kryetarin Ahmeti se kur mund t’ia nisin punës. E Ahmeti ka thënë se për këtë duhet një vendim i Kuvendit Komunal. Ka paralajmëruar se në ndonjë mbledhje potenciale të muajit qershor apo korrik ka mundësi të miratohet vendimi, transmeton ‘koha.net’.

“Edhe gjatë muajve të tjerë qytetarët do ta përdorin hapësirën si park. Në muajt e Festivalit të përdoret nga ne”, ka thënë Dukagjin Lipa. Sa i përket edicionit të sivjetmë të “Sunny Hill festival”, Lipa ka thënë se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të vendosin në dy a tri ditët e ardhshme. Disa herë ka theksuar se nuk mund t’i rrezikojnë qytetarët.

“Ne nuk guxojmë t’i rrezikojmë të rinjtë tanë. Nëse vjen deri te anulimi është shumë keq për ne e për Prishtinën, por së pari duhet të jemi të sigurt e të shëndetshëm”, ka thënë ai.

E kryetari Ahmeti ka thënë se do të kishte dëshirë që Dua e Dukagjin Lipa të ishin në Prishtinë e të diskutonin rreth Festivalit. Ai ka thënë se këto ditë qytetarët janë treguar shumë të disiplinuar në raport me masat dhe shumë solidarë me njëri-tjetrin.

“Muzika e filmi na ndihmojnë shumë në këtë kohë. Në ditët dhe javët në vijim do të vendoset për ‘Sunny Hill Festival’”, ka thënë Ahmeti.