Ypi: Dua që shqiptarët ta mësojnë se kanë edhe ata me se të mburren

Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos harrojnë kurrë se: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”.

Nga Edison Ypi

Sa ende akullnajat nuk janë shkrirë, pyjet nuk janë sharruar, ka njerëz që u mbushen sytë me lot, yjtë ndriçojnë, dielli ngroh, hëna frymëzon – dua.

Dua sa s’thuhet, sa s’shkruhet, sa s’numurohet.
Dua të dua.
Dua të mos pres të dua.
Dua të ngutem të dua.
Dua shqiptarët të kthehen me diturinë e bukurinë e botës mbi shpinë duke rrëmbyer tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit.
Dua që shqiptarët ta mësojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë e tyre, qytetërimin e tyre, artin e tyre.
Dua që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg t’ua ndërrojë ajo qeverinë, por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan.
Dua që shqiptarët të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël prej nga shpërthen ai zjarri i madh prej nga del urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që s’vdes, që e bëjnë universin sa kaotik dhe misterioz, po aq të rregullt dhe të qëndrueshëm, dhe jetën e mbështjellin me atë eterin e padukshëm që e bën jetën sa të tmerrëshme aq dhe të dashur.
Dua të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh duke mbetur gjithmonë fëmijë.
Dua që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyral, irracional, mistik dhe shumë i rëndësishëm.
Dua të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh përsosmërisht njeriun e papërsosur.
Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos harrojnë kurrë se: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”.
Dua që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua”.
Dua ata që më duan dhe i dua. Por dua më tepër ata që nuk më duan.
Dua që të gjithë shqiptarët; Të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot, të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot. /

ObserverKult

—————————

Lexo edhe:

FJALIM FRYMËZUES NGA ARNOLD SCHWARZENEGGER: BESO NË VETE, PAVARËSISHT SE ÇFARË MENDOJNË TË TJERËT!

Njerëzit më pyesin gjithë kohës: “Cili është sekreti yt i suksesit?”.
Shumë të rinj marrin këshilla nga prindërit, mësuesit, nga të gjithë. Gjëja më e rëndësishme është të kërkoni thellë brenda vetes dhe ta pyesni veten; “Kush dua që të jem në të ardhmen?”. Jo “çfarë”, por “kush”. Nuk po flas për atë që prindërit apo mësuesit duan që ti të bëhesh, por për atë që ti do të bëhesh. Po flas për atë që ti duhet ta zbulosh vetë, për atë që ty të bën të lumtur.

Unë kam shpenzuar shumë kohë me veten për të kuptuar dhe për të dëgjuar çfarë kisha në zemër dhe në mendje. Diçka vlonte brenda meje dhe më thoshte se duhet të isha ndryshe. Unë kisha lindur për të qenë unik. Kisha ardhur në jetë për të menduar gjëra të mëdha dhe për të ëndërruar gjëra të mëdha.

Karrierën e mora me shumë seriozitet dhe intensitet. Doja të isha i pari dhe çdo përpjekje m’u shpërblye. Unë nuk doja të isha thjesht një kampion bodybuilding. Doja të isha bodybuilder-i më i mirë i të gjitha kohërave. Nuk doja të isha thjesht një aktor i famshëm. Doja të isha aktori më i famshëm dhe më i paguar.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult