Nga: Oriah Mountain Dreamer
Nuk dua të di si e siguron ti jetën. Dua të di: çfarë lakmon dhe a guxon të ëndërrosh për atë që zemra jote dëshiron fort?
Nuk dua të di ç´moshë ke. Dua të di: a do të rrezikoje dot të dukeshe si i marrë nga dashuria, nga ëndrrat, nga aventura për të qenë i zjarrtë?
Nuk dua të di se ç´planete ndodhen në kuadraturë me Hënën tënde. Dua të di: a ke mundur të mbërrish në qendër të trishtimit tënd dhe a të kanë forcuar tradhtitë e jetës, a je rrëgjuar dhe je mbyllur nga frika prej dhimbjeve të reja? Dua të di: a mund të jetosh dot me dhimbjen, me tënden apo timen, pa u përpjekur ta fshehësh, ta zbutësh e as ta ndalosh atë?
Dua të di: a mund të provosh kulmin e gëzimit, tëndin apo timin, a mund të vallëzosh furishëm dhe ta lejosh ekstazën të depërtojë deri në majat e gishtave duarve dhe të këmbëve të tua, duke e mos i thirrur urtësisë për të qenë i kujdesshëm dhe realist, për të kujtuar kufijtë e konditës sonë njerëzore?
Nuk dua të di se sa e vërtetë është ajo çka më tregon. Dua të di: a mund ta zhgënjesh dikë tjetër për besnikërinë ndaj vetvetes, a mund ta durosh akuzën për tradhti dhe të mos e tradhtosh shpirtin tënd? Dua të di: a mund ta vëresh dot bukurinë edhe kur ajo nuk është këndshme, a mund të mos fshehësh asgjë nga jeta jote? Dua të di: a mund ta pranosh dot dështimin, tëndin apo timin, dhe me këmbë në bregun e liqenit a mund t´i bërtasësh e t´i thuash «Po!» hënës së plotë e të argjendtë?
Nuk dua të di ku jeton dhe as sa para ke. Dua të di: a ngrihesh dot për të bërë gjënë më të nevojshme, t’u japësh për të ngrënë fëmijëve të tu, pas një nate plot pikëllim e dëshpërim, kur je i shkretuar e i lënduar deri në kockë?
Nuk dua të di se kë njeh e as si ke mbërritur deri këtu. Dua të di: a do të qëndrosh dot me mua, në mes të zjarrit, pa i bërë bisht fare atij?
Nuk dua të di ku ke studiuar, si ke studiuar dhe me kë ke studiuar. Dua të di: a do të qëndrosh dot në këmbë, kur gjithçka përreth mund të shembet? Dua të di: a mund të ndjehesh mirë me vetveten dhe ç’vlerë ka për ty shoqëria me veten në çastet më të zbrazëta të jetës?
Solli në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
NUK DUA MË TË SHKRUAJ FJALËN “NGUSHËLLIME”
Oriah Mountain Dreamer: NUK MË INTERESON A KE PARA! DUA TA NJOH SHPIRTIN!