“Dua të gjej eshtrat e vëllait, s’kam përmbushur amanetin e prindërve”, rrëfimi rrëqethës i humoristit të njohur

Edmond Halili ka mbi 18 vjet që është shpërngulur nga Shkodra dhe banon në qytetin e Durrësit, edhe në qytetin bregdetar ai bën punën e tij. Ai është aktor i humorit që bën të tjerët për të qeshur, durrsakët e dinë se ai është shkodran.

Por, Edmondi tregoi kohë më parë se origjina e tij nuk është nga Shkodra por nga Tepelena dhe se ka lindur në Durrës. Meqënëse i ati ka qenë ushtarak, familja e tij u vendos në qytetin e Shkodrës qëkurse ai ishte fëmijë fare i vogël vetëm 3 vjeç.

Edmondi rrëfen për jetën e tij dhe për karrierën si artist në fushën e humorit që për të nuk ka qenë e lehtë si për ndokënd tjetër, e ka nisur me grupet amatore dhe pas vitit ’90 është aktor profesionist, por edhe pse ka një jetë që bën të tjerët për të qeshur me aktrimin e tij Halili tregon se ka një brengë të thellë në shpirt.

Në vitin 1982, vëllai i tij Tristani tentoi të arratisej jashtë shtetit për një jetë më të mirë por mbeti i vrarë në kufi së bashku me shokun e tij të ngushtë. Trupi i tij pa jetë, pasi u shëtit nëpër rrugët e Shkodrës asnjëherë nuk ju kthye familjes dhe nuk u mor vesh se ku u varros.

Pas vitit ’90 kur në Shqipëri u vendos demokracia, familja Halili ka bërë çmos për të gjetur eshtrat e njeriut të tyre më të dashur por këto kërkime kanë rezultuar pa sukses.

Edmondi tregon se kanë trokitur në shumë dyer institucionesh dhe kanë pyetur shumë ushtarakë të asaj kohe por nuk kanë mundur të gjejnë eshtrat e vëllait. “Kemi hapur mbi 10 varre” thotë ai, por pa rezultat. “Prindërit e mi kanë ndërruar jetë që të dy dhe amaneti i tyre ka qenë gjetja e eshtrave të vëllait të vrarë në kufi”.

Ja rrëfimi i Edmond Halilit, i dhënë kohë më parë, për jetën e tij mes skenës dhe vëllait të vrarë në kufi.

Si e kujtoni vitin 1982 kur vëllai juaj u vra në kufi?

Ka qenë një vit i tmerrshëm, ne jemi 7 fëmijë në familjen Halili duke llogaritur edhe vëllanë e vrarë.

Në atë kohë që të jem i saktë ishim katër vëllezër dhe tri motra Edmondi,Tristani (i vrarë), Arbeni, Mimoza, Fatmira, Lindita dhe Iliri. Tristani ishte 25 vjeç në atë kohë, nuk kisha asnjë dijeni se im vëlla kishte vendosur të arratisej dhe kur e mora vesh u shtanga.

Si ndodhi arratisja?

Ne dimë vetëm atë që ndodhi, por se si ishte bërë plani i arratisjes këtë nuk e mësuam dot kurrë se vëllai im u vra së bashku me shokun e tij të ngushtë, kjo ndodhi në tentativë për të kaluar kufirin me ish-Jugosllavinë.

Këtë plan siç thashë ai e thuri me shokun e tij më të afërt Aleksandër Gjini. Natën e datës 17 gusht të vitit 1982 ata tentuan të kalojnë kufirin në fshatin Zogaj të Rrethit të Shkodrës, në orën dy të mëngjesit, teksa ishin afruar në vijën e kufirit, u diktuan nga rojet mbi ta u hap zjarr me breshëri automatiku dhe që të dy mbetën të vrarë në vend. Ushtari që i vrau u shpërblye me një javë leje, këto gjëra i mësuam më vonë.

Po më pas çfarë ndodhi?

I morën që të dy dhe i hipën në një makinë Zis të hapur, ashtu të vrarë i shëtitën nëpër rrugët e Shkodrës duke kaluar lagje më lagje. Parrulla ishte “kushdo që do ta tradhëtojë atdheun kështu do ta pësojë”.

Pasi mbaroi ky spektakël trupat e tyre nuk jua dorëzuan familjeve dhe edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku përfunduan. kjo e trupave të dy djemve të rinj të vrarë në kufi është një dramë më vete. Të nesërmen kemi dalë në punë pasi nuk na lanë të shpallim zi dhe të respektojmë ritet që i bëhen të vdekurit. Ne tashmë ishim familja e tradhtarit, qanim në heshtje në shtëpi çdo natë, miqtë e shokët na ngushëllonin fshehurazi.

-Cilat ishin përpjekjet tuaja për të gjetur eshtrat e vëllait?

Çfarë nuk kemi bërë dhe ku nuk kemi trokitur, jemi i interesuar në Degën e Punëve të Brendëshme, në Ministrinë e Rendit Publik, në Institutin e të Përndjekurve Politikë, kemi kontaktuar me dhjetra ushtarakë të asaj kohe, kemi hapur mbi 10 varre, por eshtrat e vëllait nuk kemi mundur t’i gjejmë.

Në vitin 1997 babai im Medini u nda nga jeta duke na e lënë amanet gjetjen e eshtrave të vëllait tonë, ndërsa e la këtë jetë edhe nëna ime Vezirja e cila nuk arriti që të kishte një varr për djalin e saj të vrarë në kufi, edhe ajo na ka lënë të njëjtin amanet./preferenca.al

——————-

ObserverKult

Lexo edhe:

PUBLIKOHET RRËFIMI I RRALLË AKTORIT RIKARD LJARJA