Romani ngërthen një periudhë kohore delikate. Jetën në Shqipëri në vitet 90- të e këtej. Krizën në jetën e shqiptarëve, mënyrën e tyre të jetesës, paragjykimet, mendësitë. Largimi i madh i shqiptarëve në vitin 1991 drejt vendit fqinjë, ose Eksodi siç e quajmë ndryshe, me të vërtëtë që i liroi shqiptarët nga vargonjtë ë varfërisë, mungesës së demokracisë, por nga ana tjetër, i vuri ata ashtu, të papërgatitur për jetën, para një mijë andrrallash në tokën ku kishin zbritur.
Nga Teuta Dhima
“Due volte stranieri” titullohet romani më i ri i autores Ismete Selmanaj Leba. Lexuesit e këtij libri do të ndahen padashur në dy grupe: ata që kanë emigruar në Itali në periudhën kohore në të cilën zhvillohen ngjarjet dhe, ata lexues që kanë jetuar në vendin e tyre gjatë ndryshimeve dhe transformimeve rrënjësore në jetën e shqiptarëve.
Grupi i parë i këtyre lexuesve do të jetë patjetër i ndjeshëm ndaj ngjarjeve të rrëfyera. Ngjarje ku autori dhe narratori kanë të njëjtat “petka”. Grupi i dytë, që këto eksperienca nuk i ka jetuar, por dëgjuar nga të tjerët, do të bëhet edhe më i ndjeshëm se i pari, pasi vërtetësia me të cilën janë rrëfyer ngjarjet do t’i futë lexuesit në një labirint tërheqës.
Romani ka karakter autobiografik dhe autorja, ka rrëfyer jetën e saj si edhe atë të mikeshës së rinisë. Por disa histori dhe përvoja të miqve, të njohurve dhe bashkëkombësve të autores, i bëhen kontur këtij rrëfimi. Që në fillim të romanit, autorja pranon se për shumë kohë e ka shtyrë nxjerrjen në dritë të tij për arsye që lidhen drejtëpërsëdrejti me vështirësinë që ka autorja të flasë për veten e saj. E vështirë në fakt… Duhet para së gjithash forcë e kurajo, largpamësi, paanjëanësi në gjykim të shkruash për jetën tënde, sidomos kur ke jetuar në një periudhë kohore përgjatë të cilës, janë shënuar ndryshime rrënjësore, transformime në jetën e një populli dhe këto, jo vetëm në sistemin e qeverisjes, por edhe në botëkuptimin dhe këndvështrimin për jetën.
Romani ngërthen një periudhë kohore delikate. Jetën në Shqipëri në vitet 90- të e këtej. Krizën në jetën e shqiptarëve, mënyrën e tyre të jetesës, paragjykimet, mendësitë. Largimi i madh i shqiptarëve në vitin 1991 drejt vendit fqinjë, ose Eksodi siç e quajmë ndryshe, me të vërtëtë që i liroi shqiptarët nga vargonjtë ë varfërisë, mungesës së demokracisë, por nga ana tjetër, i vuri ata ashtu, të papërgatitur për jetën, para një mijë andrrallash në tokën ku kishin zbritur. Në qendër të romanit është miqësia e dy shoqeve Mirelës dhe Dorinës, dy vajzave që frekuentonin të njëjtën shkollë. Miqësia e tyre do të kalojë sprova nga më të ndryshmet dhe vajzat do të marrin udhë të ndryshme në jetën e tyre. Dorina si e deklasuar, me prindërit e arrestuar, martohet me Mondin, vëllanë e pesë motrave të cilat jetonin me të vëllanë në një shtëpi. Eksodi, ikja e shqiptarëve në Itali, e la Dorinën vetëm me një djalë dhe shtatzanë me fëmijën e dytë. Në rastin më të parë gjatë një tjetër ikjeje të shqiptarëve, e ndihmuar nga një polic italian, Dorina i shpëton turmës së stadiumit që ishte e destinuar të kthehej në Shqipëri dhe niset në kërkim të Mondit, babait të fëmijëve të saj. Një jetë plot peripeci filloi për Dorinën.
Nga ana tjetër Mirela, mësuese në profesion, dashurohet me Fatmirin dhe një sërë të papriturash e detyrojnë atë të niset për në Itali, bashkë me bashkëshortin, përkundrejt një vize me afat kohor të limituar. Deri këtu, rrëfimi ndjek një udhë të drejtë, pa kthime dhe retrospektivë. Mirela, edhe ajo pa një mbështetje në vendin ku ka shkuar, vendos të kërkojë mikeshën e saj Dorinën, e cila nuk jetonte me burrin e saj, por në një shtëpi brenda kishës, ku e harruar tashmë nga i shoqi i cili nuk dihet ç’drejtim kishte marrë, është e pambrojtur, e brishtë, me dy fëmijë të vegjël, pa të ardhura ekonomike dhe si e tillë, ajo bëhet një pre e lehtë dhe objekt abuzimi. Si për ironi, abuzuesi saj është vetë prifti i cili në shtrat, i harron predikimet e meshave të së dielës.
Mirela me Dorinën jetojnë tashmë pranë njëra-tjetrës, por jeta e tyre ka drejtime të ndryshme: Mirela bashkë me bashkëshortin vihen përpara përgjegjësive të reja, marrin shtëpinë e tyre, kanë qiranë për të paguar dhe një sërë shpenzimesh, të cilat ia kërkon jeta në shtetin italian ku ata nuk kanë as leje qëndrimi. Me të vërtetë që lodhen e ropaten, por kanë një jetë dinjitoze dhe nuk presin nga askush. Herë pas here, kur shoqet i tregojnë njëra- tjetrës ç’ka ndodhur, rrëfimi thyehet me retrospektivë. Ngjarje që kanë ndodhur para se të vinin në Itali , ose në muajt e parë të ardhjes, kthehen dhe mbushin bisedat e tyre.
Romani, nëpërmjet përvojave të Mirelës dhe Dorinës, nxjerr në pah një sërë problemesh sociale me të cilat përballet shoqëria e atyre viteve. Shqiptarët e emigruar në Itali, nuk patën përgatitjen e duhur për t’iu përgjigjur standardeve jetësore në shtetin italian. Mes tyre pati njerëz të nivele të ndyshme: intelektualë e të shkolluar si rasti i Mirelës dhe Fatmirit, Dorinës që vuajti plagën e të qenurit fëmija e armikut të popullit, apo njerëz të cilët, që në tokën amë nuk kishin ndonjë lloj niveli dhe ngritje si profesionale dhe kulturore.
Secili prej këtyre grupeve shoqërore iu përgjigj ashtu siç mundi përshtatjes në vendin që i priti, por përpos kësaj, ata indentifikoheshin me një emër: albanesi. Shqiptarët nga mosdija, mundet deri diku të justifikohen për një sërë qëndrimesh jo të kënaqshme, por ata kanë vuajtur mbi supet e tyre, racizmin, burokracitë ligjore dhe këto, nga njerëz që jetonin në shtetin e tyre dhe paguheshin për detyrën që kryenin.
Po rendis këtu disa nga eksperiencat dhe personazhet që më kanë lenë mbresa gjatë leximit dhe mendoj, nuk janë vetëm eksperiencat e Mirelës dhe Dorinës, por të mijëra shqiptarëve që zbarkuan në brigjet italiane në kërkim të realizimit të një ëndrre, atë të një jete më të mirë:
- Takimi me Marinë, të zonjën e shtëpisë me të cilën ndante pagesën e faturave të ujit dhe të dritave. Edhe pse shtëpia e saj ishte më e madhe se ajo e Mirelës dhe Fatmirit, shifra ndahej në dysh.
- Nevoja e Mirelës për t’u shtruar në spital për të sjellë në jetë fëmijën e saj. Çifti nuk kishte leje qëndrimi në shtetin italian, ndaj ndihma që iu dha doktori ishte me mjaft rëndësi.
- Takimi me Marinelën, zonjën plakë që i mbylli sytë në prani të Mirelës, e cila i shërbeu deri momentin e fundit dhe Elvirën, të bijën mosmirënjohëse, që i dhimbseshin lekët për të plotësuar edhe nevojat më primare të nënës së saj.
- Momentet kur Luçia e Katerina komentonin lajmet për shqiptarët, ndërsa Mirela ishte aty para tyre, e djersitur duke iu hekurosur fustanet e setës: – “Mamma mia, questi albanesi! Come sono cativi! Ladri, spacciatori, le donne prostitute.” Kështu paragjykoheshin shqiptarët edhe pse, prostitucioni, vjedhja dhe shpërndarja e drogës ishin plagë me të cilat shoqëria italiane kishte kohë që ishte përballur.
- Takimi me Znj. Roza, fëmijët e të cilës, jo vetëm nuk ditën ta mbajnë e ta shtojnë pasurinë që iu la i ati, por ziheshin për ndarjen e saj çdo ditë. Suzanën vajzën e Rozës që bën veprimin më të ulët, atë të përvetësimit të parave që ati ia kishte lënë Laurës, vajzës tjetër, të cilën e kishte nga një marrëdhënie jashtëmartesore. Për vjedhjen e tyre akuzohet Mirela, sepse është albanese dhe e vetmja që ka hyrë në shtëpinë e tyre. Pas një pune të lodhshme në këtë familje, Mirela pushohet nga puna dhe kjo, komunikohet nëpërmjet telefonit.
- Momenti kur do të çonte vajzën në çerdhe. Reagimi i nënave të fëmijëve të tjerë me një peticion për mos pranimin e Ambrës në çerdhe së bashku me fëmijët e tyre. E kujton Mirela këtë histori dhe mbushet me mllef për vogëlsinë e shpirtit, por mbi të gjitha të mendjes së këtyre njerëzve. Por, ajo nuk harron ndihmën që i dha Kryebashkiaku: Amber do të frekuentonte një çerdhe private.
- Ardhja e asistentes sociale bazuar në një telefonatë e fqinjëve të Mirelës. Sipas kësaj telefonate, në familjen Mema, me origjinë shqiptare, fëmija ishtë objekt keqtrajtimesh. Për një familje si ajo e Mirelës dhe Fatmirit ku vajza shikohej si drita e syve, kjo ishte tepër e rëndë.
- Momenti kur drejtuesja e shkollës, kërkoi që Amber, e lindur dhe rritur në itali, folëse dhe njohëse e përsosur e gjuhës italiane, të bëhej pjesë e një klase me fëmijë ekstrakomunitarë të sapoardhur në Itali.
- Mospublikimi në gazetë i esesë “Il dubbio”, cilësur si një nga shkrimet më të mira shkruar kjo nga Amber. Por jo vetëm kaq. Në takimin që pati Fatmiri me drejtuesen e shkollës, iu tha: – “Sua figlia, o è un genio, o è stata abusata”. Dhe duke qenë se Amber ishte një albanese, aludohej më shumë në mundësinë e dytë. Asnjëherë drejtuesja e shkollës nuk iu përgjigj kërkesës së Mirelës për ta takuar. Çdo herë kishte gati një justifikim. I vetmi emër që mund të kishte kjo sjellje ishtë: mungesë profesionalizmi dhe integriteti.
Autorja Ismete Selmanaj Leba, e ka tipike të stilit të saj “të vënit e pikave mbi i” siç thuhet ndryshe. Ajo është tepër e ndjeshme ndaj problemeve shoqërore, reagon me një lloj force bazuar në dashurinë për të vërtëtën, për vlerat. Nuk bën kompromise kur bëhet fjalë për të drejtën, për të vërtetën.
Një e veçantë në rrëfimin e këtij romani është prania e zërit të gjyshes. Pas çdo ekperience, situate të vështirë, apo përballjeje me realitetin e trishtë të të qenit të huaj, Mirela dëgjon zërin e gjyshes së saj. Si një mentore e mirë ajo e “shoqëron” përgjatë ditëve të saja. Në të shumtën e rasteve, fjalët e gjyshes janë fjalë të urta të popullit, shprehje frazeologjike. Ato shënohen me shkrim italik dhe shquhen qartë. Po sjell këtu disa prej tyre:
- Kështu ndodh kur flet gjuha para mendjes.
- Kush flet shumë jo gjithmonë i bën ato që thotë.
- Mund të jesh e varfër, por e pasur në shpirt.
- Mos jep peshë thashethemeve, por mendo me kokën tënde. etj etj.
Titulli i romanit “Due volte stranieri” është një shprehje që jo pak herë e kam dëgjuar nga shqiptarë që jetojnë në Itali. Një pohim paksa i rëndë, por i vërtetë. Shqiptarët e emigruar në Itali, pavarësisht bashkëjetesës së mirë dhe ndihmës së shumë familjeve italiane, të cilat me humanizmin e tyre kanë qenë një pikë e fortë mbështetëse, kanë qenë të huaj në atë vend. Ngjarjet që rendit me aq vërtetësi dhe guxim Ismete Selmanaj Leba, e dëshmojnë dhe e mbështesin edhe më tepër këtë pohim. Po këta shqiptarë, edhe një herë tjetër, janë të huaj në vendin e tyre pasi, kanë lënë tashmë shtëpitë, shokët, miqtë. Shpesh herë kur kthehen, nuk i njeh më njeri, sepse si në çdo vend tjetër, jeta vazhdon me ritmin e saj dhe përditshmëria bën të sajën. Ndaj “Due volte stranieri” është titulli më i gjetur për këtë libër i cili na vjen si një copëz historie shkruar me ndjeshmëri dhe pasion. Kjo histori merr edhe më shumë vlera kur narratorja identifikohet me autoren dhe ngjarjet, janë të jetuara prej vetë asaj.
Ngjarjet në roman nisin në Durrës dhe përfundojnë po atje, në tokën amë. Shoqet e vjetra kthehen atje ku kanë kaluar vitet e rinisë së hershme dhe secila mbart mbi supe shenjat e dallgëve të jetës. Dorina, si rezultat i një sëmundjeje, është në një karrike me rrota dhe shoqërohet nga Mirela. Ajo me zërin e saj metalik që vjen nga kompjuteri, pasi nuk mundet të flasë me zërin e saj, i thotë mikes: – “Grazie Lela! Sono davvero felice”. Mirela ka jetën e saj në Itali, ka gjetur vetveten dhe pas pushimeve, niset drejt vendit që i ka hapur portat për një jetë më të mirë. Vendit, mikpritjes të së cilit, Mirela dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë i janë përgjigjur me integritet dhe ndershmëri si qytetarë model. Romani “ Due volte Stranieri” mbart në vetvete shumë vlera, pasi autorja e tij është bërë zëri me të cilin do të donin të flisnin mijëra shqiptarë, është bërë dora me të cilën ata do të donin të shkruanin historinë e tyre. Kjo histori është shkruar dhe gjendet brenda këtij libri. Brezat, do ta kenë si dëshmitar të asaj që: ashtu siç ka njerëz që shkelin e dhunojnë të drejtat njerëzore, ka edhe nga ata që kanë ditur t’i vënë në vend këto të drejta, duke dhuruar dashuri dhe mikpritje, duke u bërë një shpatull e ngrohtë për një fytyrë të përlotur.
Po sjell këtu një paragraf që mbyll librin si një esencë e gjithë asaj që është shkruar në të: “Quando c’è buona volonta, l’amore e la bontà, i mari non dividono, ma uniscono. Intrecciando queste tradicioni, conoscence, sapienze, tutti diventiamo piu richi, annulliamo le diference culturali, abbattiamo il confine, vivendo cosi in un mondo senza barriere. In fondo, tutto il mondo è paese”
Autorja Ismete Selmanaj Leba shkruan në të dyja gjuhët në shqip dhe italisht. Në gjuhën amë si njohëse dhe lëvruese e mirë e saj dhe në gjuhën italiane si një shembull i mirë i integritetit në vendin ku ka emigruar, duke dëshmuar që mund të ketë bashkëjetesë të paqme midis njerëzve të nacionaliteve të ndryshme. Kufinjtë janë në tokë, por fshihen nga mendjet dhe zemrat dhe këto të fundit, kanë dëshmuar ngahera që nuk njohin barrierra.
Mbi veprimtarinë letrare të autores:
“Gjembi dhe trëndafilat”) – Dudaj, nëntor, 2013
“Kokat e dy lejlekeve të purpurt” – Dudaj, nëntor, 2014
“Verginità Rapite” – Bonfirraro Editore (prill, 2015), finalist për çmimin Premio Letterario Giornalistico Piersanti Mattarella
“I bambini non hanno mai colpe” – Bonfirraro Editore (prill, 2016) ka fituar Premio Assoluto Holmes Awards 2019.
“Verginità Rapite”dhe “I bambini non hanno mai colpe”, janë zgjedhur si libra leximi në projektin Libriamoci – Giornate di Lettura Nelle Scuole, promovuar nga MIUR. Gjithashtu janë përzgjedhur si tekste studimi për kursin e “Shkencat e Komunikimit për Kulturën dhe Artin, pranë Universitetit të Palermos në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë. Të dy librat janë me parathënie nga Matteo Mandalà.
“Due volte stranieri” – Besa Editrice (shkurt, 2019).
Në kuadrin e konkursit letrar kombëtar“Lingua Madre”, tregimi “L’amore Dentro i Bunker”.
Tregimi“Tutto, tranne il piacere”- botimi SEB27, bën pjesë në antologjinë e tregimeve për vitin 2019, shkruar nga autore që jetojnë në Itali./ ObserverKult