Dumoshi: Gjetsh dritën e përtejme në Valsin e Përjetësisë mjeshtër i madh

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka shprehur ngushëllime, familjes dhe miqve me rastin e vdekjes së artistit Avni Mula, duke thënë se ai ishte artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore e cila do t`i rezistojë kohës e stileve.

Dumoshi ka thënë se mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë.

Telegrami i plotë i ngushëllimit:

E nderuar familje Mula,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Avni Mulës, babait e familjarit tuaj dhe artistit tonë të madh.

Artisti i popullit e Nderi i Kombit Avni Mula qe tenor, mësues e pedagog, qe artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore e cila do t’i rezistojë kohës e stileve.

Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula do të vlerësohet dhe nderohet për krijimtarinë e tij që me dekada me radhë ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.

Mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë.

Gjetsh dritën e përtejme në Valsin e Përjetësisë mjeshtër i madh!