Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shkruar telegram ngushëllimi për familjen Peja, pas ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës popullore, Ismet Peja.
Në telegram Dumoshi thotë se me dhimbje të madhe ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të muzikës, këngëtarit me muzikën e të cilit është rritur, bilbilit të Gjakovës, Ismet Peja.
“Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm. Ismet Peja ishte dhe do të mbetet emër i pashlyeshëm i kulturës dhe artit shqiptar”.
Telegrami i plotë i Dumoshit:
E nderuara familje Peja,
Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të familjarit tuaj, doajenit të muzikës, këngëtarit me muzikën e të cilit u rritëm, bilbilit të Gjakovës Ismet Peja.
Emri i Ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare, me melosin popullor shqiptar dhe me veprimtarinë muzikore të Kosovës në përgjithësi.
Zëri i bacës Ismet përmes qindra këngëve qe ai solli mjeshtërisht, qe i pranishëm për publikun për shtatë dekada me rradhë, Ai ishte padyshim monument i këngës popullore e qytetare shqiptare dhe artist me kuptimin e plotë të fjalës.
Baca Ismet në një jetë të tërë kushtuar skenës, ishte i pranishëm për publikun edhe në muajt e fundit të jetës. Për adhuruesit e këngës së tij, zëri i tij do të mbetet përherë i freskët e i paharruar, shpirti i tij përherë rinor e gazmor sepse siç ia thonte edhe ai vet me këngë “Robi plaket kur don vet”!
Në emrin tim si ministre dhe të MKRS-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes, komunitetit artistik si dhe gjithë adhuruesve të këngës së tij, në Kosovë e jashtë saj.
Kemi humbur një njeri e një artist të papërsëritshëm. Ismet Peja ishte dhe do të mbetet emër i pashlyeshëm i kulturës dhe artit shqiptar.
Me respekt,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit