Funksionalizohen nënkodet buxhetore të institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë, të cilat janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo gjë ua mundëson institucioneve në fjalë që vetë ato të menaxhojnë buxhetin që Ministria ndan për to.
Ky është një fillim i procesit të pavarësimit të institucioneve vartëse në aspektin administrativ. Institucionet vartëse, përmes zyrtarëve përkatës të trajnuar dhe të certifikuar, vetë do të mund të zotojnë dhe shpenzojnë mjetet financiare në bazë të planit dhe programit të paraparë, ndërsa MKRS-ja bën vetëm certifikimin e shpenzimeve.
Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi e ka vlerësuar këtë si një proces konform ligjit dhe rekomandimeve, i cili institucioneve ua mundëson një performancë më të mirë dhe redukton procedurat burokratike, transmeton ‘koha’.
“Ndarja e nënkodeve buxhetore për institucionet vartëse të MKRS-së është një lloj decentralizimi dhe pavarësimi financiar administrativ, ashtu që vetë institucionet të kenë mundësi vetë të bëjnë planifikimin e shpenzimeve dhe zotimin e mjeteve financiare për punët që vetë institucionet kryejnë çdo ditë. Kjo gjë mundëson zvogëlimin e procedurave burokratike dhe në anën tjetër e rrit performancën dhe efikasitetin e punës së institucioneve të kulturës e të trashëgimisë për shkak të planifikimit të më mirë”, tha ministrja Dumoshi.
“Në takimin e parë që kam pasur si ministre me udhëheqësit e institucioneve vartëse, si shqetësim i tyre i përbashkët ka qenë çështja e nënkodeve buxhetore dhe atëherë u pata premtuar drejtuesve të institucioneve që kjo gjë do të rregullohet shumë shpejt. Andaj, ndihem shumë e lumtur që ky zotim u realizua. Me pajisjen e institucioneve me nënkode të posaçme buxhetore, këtyre institucioneve nacionale të kulturës e të trashëgimisë u krijon lehtësira të jashtëzakonshme”, u shpreh ministrja.
Pa nënkode buxhetore, institucionet vartëse të trashëgimisë dhe të kulturës kanë pasur sfida të theksuara në aspektin e menaxhimit të vetë institucioneve, por tashmë pas funksionalizimit të nënkodeve, MKRS-ja do të kërkojë më shume përgjegjësi në raport me mandatet e institucioneve.