Dy arkeologë dhe një personalitet francez vlerësohen nga Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” arkeologët e shquar Hasan Ceka dhe Leon Rey, si dhe personalitetin francez Jean Gabriel Rey me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kreu i Shtetit thotë se këto tre kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshme për zhvillimin e arkeologjisë dhe promovimin e vlerave tona më të mira kulturore.

“Të tre këto personalitete i lidh ngushtësisht një qendër e famshme arkeologjike si Apolonia, po aq sa i lidh edhe dashuria e përbashkët për arkeologjinë dhe për Shqipërinë, në këtë vend ku u zhvilluan aspiratat, por edhe talentet e tyre”, është shprehur presidenti Meta.

Postimi i presidentit Ilir Meta

Vlerësova sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, themeluesin e arkeologjisë shqiptare, Prof.Hasan Ceka dhe arkeologun e paharruar francez, z.Leon Rey, si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, mbrojtësin e trashëgimisë së patjetërsueshme historike dhe zbulimeve të rralla arkeologjike në Apoloni, z.Jean Gabriel Rey.

Këto tre personalitete të shquara, me kontribute të jashtëzakonshme për zhvillimin e arkeologjisë dhe promovimin e vlerave tona më të mira kulturore, i lidh ngushtësisht një qendër e famshme arkeologjike si Apolonia, po aq sa edhe dashuria e përbashkët për Shqipërinë, ku u zhvilluan aspiratat dhe talentet e tyre.

Leon Rey është nismëtari i gërmimeve arkeologjike në Apoloni, në vitin 1923 dhe zbuluesi i monumenteve kryesore, që përbëjnë sot qendrën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Ndërsa Hasan Ceka, bashkëpunëtori i tij shqiptar, në ato gërmime, është vazhduesi i punës për krijimin e qendrës arkeologjike më të madhe dhe më komplekse të Shqipërisë, personaliteti shkencor, rreth të cilit u konsolidua dhe u frymëzua bërthama e arkeologëve të shquar shqiptarë.

Jean Gabriel Rey, i biri i Leon Reyt, mbajti të gjallë veprat, përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shqipërisë të babait të tij. Tregues i këtij vlerësimi ishte sjellja dhe dhurimi nga ana e tij të arkivit apolonian të Leon Reyt për Arkivin e Shtetit në Tiranë.Vlerësimi i kësaj “tresheje apoloniane” i dedikohet të gjithë asaj gjenerate, të një periudhe të jashtëzakonshme të zbulimeve të mëdha arkeologjike në Shqipëri, si dhe të gjithë personaliteteve të papërsëritshëm shqiptarë e francezë të kësaj fushe, që kontribuan aq shumë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë historike dhe kulturore.

LEXO EDHE: Presidenti, Ilir Meta, vlerëson personalitete të shquara të Tiranës