Presidenti, Ilir Meta, vlerëson personalitete të shquara të Tiranës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi, me anë të një ceremonie të veçantë, disa personalitete të shquara kryeqytetase dhe veprimtarë aktivë të Shoqatës “Tirona Intellectum” dhe Shoqatës “Tirana”.

Me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit dekoroi muzikologun Zamir Këlliçi, me motivacionin “Për kontributin e tij të shquar si muzikolog, krijues, estet, publicist. Studiues e botues i shumë veprave të historisë së muzikës dhe enciklopedive të artit e kulturës.

Po ashtu Meta nderoi violonçelistin Kujtim Vorpsi, “Për kontributin e tij si muzikant i spikatur dhe udhëheqës artistik i shumë pjesëve instrumentale, rapsodike dhe simfonike. Për talentin interpretues e krijues në instrumentin e violonçelit, si dhe veprimtarinë e pasur koncertale e solistike edhe si pedagog, duke krijuar një shembull për brezat e rinj”.

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u dekoruan nga Kreu i Shtetit pedagogia dhe intelektualja e spikatur, Mirela Bogdani, me motivacionin “Për kontributin e shquar e kurajën qytetare në dobi të interesit dhe identitetit etno-kulturor të komunitetit tiranas. Për aftësitë e larta drejtuese në krye të shoqatës ‘Tirona Intellectum’ në ruajtjen e përsosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë historike, kulturore e arkitekturore të qytetit të Tiranës, si dhe në nxitjen dhe përsosjen e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”.

Po ashtu, Presidenti nderoi dhe Klodiana Toptani, “Për meritën dhe kontributin e shquar në ruajtjen e pasurisë kulturore, historike, shpirtërore dhe monumentale të kryeqytetit, veçanërisht për përkushtimin dhe vizionin për ta kthyer Kalanë e Tiranës në qendër të kulturës, artit dhe kujtesës historike të vendit, duke e shndërruar atë në një nga atraksionet kryesore turistike që pret e përcjell qindra e mijëra vizitorë vendas e të huaj”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar intelektualëve, artistëve dhe veprimtarëve të kryeqytetit, Presidenti Meta tha se “Tirana përbën asetin më me vlerë të mendimit të përparuar, energjisë rinore dhe kapaciteteve krijuese dhe intelektuale, në të gjitha fushat e jetës, në arsim, në shkencë, në art, në sport, në kulturë dhe folklor”.

“Komuniteti i Tiranës është ndër më të shquarit. Ne të gjithë gëzohemi për arritjet e kryeqytetit, ashtu sikurse ndjehemi të trishtuar nga shembja dhe braktisja, për fat të keq, edhe e shumë vlerave të çmuara monumentale dhe historike të tij”, tha ai.

Meta tha se “në këtë betejë të gjatë, midis ruajtjes së traditave monumentale më të mira dhe shkatërrimit, do të doja të theksoja se gjithmonë jam gjendur dhe gjendem pranë shqetësimit më të thellë qytetar dhe intelektual të komunitetit tuaj, por edhe të mbarë opinionit publik”.

“Do të dëshiroja dhe njëherë të theksoja rëndësinë për kauzën e të gjithë atyre që tregojnë të ardhmen, duke ruajtur vlerat më të mira të trashëgimisë sonë së pasur”, tha ai./ATSH

LEXO EDHE: Meta vlerëson personalitete të artit, kulturës dhe promovimit të traditave të Krujës