Librore
Nga Bajram SEFAJ
Autori i parë është: mësuesi, Ismail Kadare nga Tirana. Autori tjetër, i dyti është: nxënësi i tij, Ag Apolloni, nga Prishtina. Librat e tyre që, merren në shqyrtim, kësaj radhe, janë: “Kushëriri i engjëjve” , (Kadare) dhe “Retorika e heshtjes” (A. Apolloni).
E përbashkëta e këtyre dy veprave është se të dyja janë të pakëta (të holla) në fletë e të trasha (madje shumë) e me vlerë, dokumentare, e para, dhe artistike, e dyta.
Libri monografik “Kushëriri i engjëjve” i Ismail Kadaresë, ka gjithsej trembëdhjetë kapituj.
Lënda (shkrimi duke llogaritur këtu edhe parathënien nga pena e koreografit të mirënjohur Agron Aliaj, (Artist i Popullit)), zë vetëm 77 faqe, libri të formatit standard, të cilin për shtyp e ka përgatitur Bujar Hudhri, ndërsa redaktore letrare është Afërdita Cesula. Në këtë botim janë radhitur njëmijë e dyqind e njëzet e pesë (1225) radhë (rreshta).
Në botimin e katërt me radhë, (që e kam në dorë), Onufri -2012, në kapakun përmbyllës shënon: ”Sprova ”Kushëriri i engjëjve” është shkruar në Marbella të Spanjës, më 1991. “Kushëriri i engjëjve” përbën pjesën e parë të një libri të botuar nga Qendra e Baletit Europian, kushtuar balerinit dhe koreografit të madh francez me zanafillë shqiptare, Angjelin Prelocajt. Gjysma e dytë e librit përbehet nga dialogu midis Prelocajt dhe Roman Polanskit, kineast i klasit botëror”. (Ah, sa me dëshirë të madhe do të lexoja edhe këtë dialog midis këtyre dy viganeve në azil të përjetshëm, në Francë. Ajo “pjesë” kurrë nuk me ka rënë në dorë, mjerisht!).
Ky ishte, me shifra e me fakte të sakta, paraqitja e librit “Kushëriri…” të “mësuesit” shqiptar, shkrimtarit shqiptar, botërisht të njohur, Kadare!
Fill pasi të shpalos, prapë me shifra e fakte, librin “Retorika e heshtjes” të nxënësit të shkëlqyer të Kadaresë, Ag Apollonit, që, me sukses të pandalshëm, shkelë gjurmëve të mësuesit të tij, do t’ia shqyej grykën enigmës misterioze, pse e bëj gjithë këtë zhurmë dhe çfarë denjova të them publikisht.
*
Libri i Ag Apollonit, “Retorika e heshtjes”, nuk është libër. Është broshurë. Kështu pohon vetë autori dhe shpjegon: “Arsyet pse këto poezi po i botoj në formën e një broshure [fr. brochure – që qepet me broche (gjilpërë), ose që mbahet me kapëse metalike dhe honorifike… Ky libërth, librush, apo libellum, nuk është koleksion, por seleksion poezish…”. Këtë vëllim (këtë brochure), të vocërr, sa s’ka ku shkon më, më i vogël se që është, gjithnjë mbahet para sysh numri i fletëve ka gjithsej 30 faqe, format i zvogëluar, ato pak faqe të formatit paksa më të vogël, i mbushin ndërkaq 16 poezi, më 338, vargje antologjike, secili më i mire, më i goditur se tjetri.
Një mrekulli gjerdanësh të paparë dhe të pa dëgjuar asnjëherë më parë në poezinë më të re shqiptare. Nëse merr mundin që, me “kushum” të kuq, apo me ndonjë ngjyrë tjetër, e provon të shquash, të veçosh e të nënvizosh, ndonjë varg, lapsi të ngel (të vdes) në dorë, si i pa shpirt, nga se nuk di ku ta ngulesh!
*
I veçova këto dy botime, të dy autorëve tonë të shquar me të vetmin qëllim, të shpreh inat, mllef të caktuar e të shtroj pyetjen: ku janë gjithë ata kritikë tanë (në Shqipëri dhe në Kosovë) që monografinë “Kushëriri i engjëjve” nuk e radhiten, nëse jo të parën, atëherë ndër të parat vepra të rëndësime të kësaj gjinie në letrat shqiptare.
Ndoshta kanë ngurruar ta bëjnë këtë nga se “Kushëriri…” është mbështjellë në vetëm 60-70 faqe të një libri të vocërr në fletë e të madh në vlerë artiske. Kështu mendova, thashë e gjykova, atëherë kur, para shumë vjetësh, lexova për herë të pare, ashtu mendoj edhe sot, ndoshta sot, po sot, edhe më fort, ngre zërin e vëmendjes se fjetur, në favor të kësaj vepre të madhe të gjeniut I. Kadare. I ngjashëm me “Kushëririn…” , është edhe rasti me “Retorikën…” e Ag Apollonit. Kritikët (që s’i kemi”) në Kosovë, sikur kaherë kanë rënë në gjumë të thellë, pa fije shprese se do të (ri)ngjallën një ditë, të këndellen e të shohin se ç’po rreth tyre…!
Ag Apolloni, ose nxënësi i Kadaresë, siç e pagëzova ne këtë skicë modeste për ese, akoma pa i mbushur tri dekada jetë, me sukses të jashtëzakonshëm ka fituar gradën shkencave filologjike, pikërisht duke shkruar veprën monumentale mbi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që, letërsisë shqiptare deri atëherë më pak të njohur, ia çeli dyert e botë (së “çudirave” të letërsisë se madhe botërore. Edhe Ag Apolloni është në shtegun më të mirë, duke shkelur gjurmët e mësuesit të tij. A. Apolloni është autor i një serie veprash letrare, tashmë të përkthyer e të pëlqyera nga lexuesit e jashtëm, evropian e më gjerë. Është kandidat potencial i çmimit lartë letrar në nivel evropian, kjo nuk është pak për moshën e tij të njomë!
(Gaillard, 22.11.2022)
ObserverKult