
Nga Jorge Luis Borges
Një ëndërr
Në një vend të shkretë në Iran ndodhet një kullë jo shumë e lartë prej guri, pa derë e dritare. Në dhomën e vetme (dyshemeja e së cilës është prej dheu dhe ka formën e një rrethi) ka një tavolinë prej druri dhe një stol. Në atë qeli rrethore, një njeri që më ngjan mua, shkruan me ca shkronja të pakuptueshme një poezi të gjatë për një njeri që në një qeli tjetër rrethore shkruan një poezi për një njeri që në një qeli tjetër rrethore… Procesi nuk ka fund dhe askush nuk do të mund të lexojë çfarë shkruajnë të burgosurit.
Dialog për një dialog
A – Të shpërqendruar prej arsyetimit mbi pavdekësinë, kishim lënë të na zinte terri pa e ndezur llambën. Nuk ia shihnim fytyrat njëri-tjetrit. Me një indiferencë dhe një ëmbëlsi më bindëse se sa zelli, zëri i Masedonio Fernandesit përsëriste se shpirti është i pavdekshëm. Më siguronte se vdekja e trupit është krejtësisht e parëndësishme dhe se të vdesësh duhet të jetë ngjarja më e pavlerë që mund t’i ndodhë një njeriu. Unë luaja me biçakun e Masedonios; e hapja dhe e mbyllja. Një fizarmonikë e afërt shpërhapte pafundësisht “Komparsitën”, atë kotësi të pikëlluar që iu pëlqen plot njerëzve, pasi i kanë gënjyer se është melodi e moçme… Unë i propozova Masedonios që të vetëvriteshim, për të vazhduar diskutimin pa bezdisjen e zhurmave.
Z (tallës) – Por ma ha mendja se, më në fund, nuk vendosët të vetëvriteshit.
A (tashmë krejtësisht mistik) – Sinqerisht, nuk më kujtohet nëse e vramë veten atë natë.
Në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
JORGE LUIS BORGES DHE HISTORIA E PERANDORIT QË DOGJI LIBRAT PËR T’U BËRË “I PAVDEKSHËM”