
Ju ftojmë t’i lexoni dy rrëfenja arabe të cilat në shqip i solli Bajram Karabolli:
GOMAR BESIMTAR APO I MENÇUR?
-Mulla! – i drejtohet një nga nxënësit e tij Nastradin Hoxhës. – Gomari yt është më besimtar se ti.
-Nga e di ti këtë, more qerrata? – e pyet Nastradini.
-Këtë e di shumë mirë, – ia kthen nxënësi. – Po të duash e provojmë, Nastradin efendi.
-Si do ta provosh?
-Marrim dy enë. Njëra të jetë me ujë dhe tjetra me raki. Po t’ia vendosim përpara gomarit, të siguroj se gomari do të pi ujin dhe jo rakinë.
-Po. Ke të drejtë, – i thotë Nastradini. – Ama kjo nuk tregon se gomari im është më besimtar nga unë. Kjo tregon se gomari im është më i mençur se unë.
LUMTURIA DHE KËMISHA E BARIUT
Në një parabolë shumë të bukur arabët tregojnë se një Shah persian vuante nga një melankoli e thellë, që po e çonte drejt vdekjes.
I sjellin një nga mjekët më të mirë, për ta vizituar dhe për ta shëruar. Mjeku thotë se kishte vetëm një ilaç për t’u shëruar nga kjo sëmundje: Shahu duhet të blinte dhe të vishte këmishën e një njeriu të lumtur. Ama, duhet të ishte një njeri plotësisht i lumtur, për të kuruar melankolinë e Shahut.
Dhe shkojnë në kërkim të këtij njeriu. Bredhin gjithë perandorinë dhe takojnë plot njerëz që dukeshin të lumtur. Por, nga përgjigjet, dilte se asnjë prej tyre nuk ishte plotësisht i lumtur:
«Jam i lumtur, por gruaja ime nuk më do»; «Jam i lumtur, por nuk kam aq para sa dua»; «Jam i lumtur, por fëmijët e mi janë rebelë.»
Dhe, çuditërisht, kjo “por”, nuk i hiqej nga goja askujt.
Më në fund, emisarët e Shahut gjejnë një bari në male. E pyesin bariun, nëse ishte i lumtur. Dhe bariu përgjigjet:
-Jam plotësisht i lumtur. Nuk më mungon asgjë nga ato që dua. Unë jetoj lumturinë e përsosur.
Të gëzuar se, pas aq mundimesh, më në fund, e gjetën atë që donin, ata i kërkojnë bariut t’u jepte një këmishë, të cilën do t’ia paguanin sa të donte ai.
Por bariu nuk kishte këmishë. Ai ishte vërtet i lumtur me kushtin që të mos kishte asgjë.
ObserverKult
Lexo edhe: