Dy tregime nga Avni Alija

Avni Alija

Në vazhdim mund t’i lexoni dy tregime nga Avni Alija

Pirgu në L.

Në muajin shkurt mbushen dy vjet të plota si roje në Pirgun e Radios së Leverkusenit. E kam për zemër punën e rojtarit; më duket sikur më plotënohet gjoksi kur futem në petkun e rojës e ngjitem maje Pirgut. Tashti, kjo punë, për një kohë, për mua, mbaroi.Vetëm një kujtim nga e kaluara ime. Kisha një vend të mirë pune si Securitas… por, si ta them, temperamenti im më mori në qafë; vetëm përkohësisht. E ndiej se do ta rimarr veten. Së fundi, sikur edhe shpeshherë gjatë jetës sime, ishte dora ime e majtë që ma përgatiti sherrin.  Po ta kisha vëmendjen vetëm për një të dhjetën e sekondës, nuk do ta rrokja gruan time me të majtën. Ish-gruan time. Një pakujdesi imja e radhës. Do të duhej të kisha kujdes e ta rrokja me të djathtën. E djathta ime ka sens të hollë në situata ekstreme. Jemi në një vijë; unë dhe e djathta ime. Por jo e majta. E majta kaq shpesh më ka marrë në qafë. E zë gruan afër bërrylit dhe nuk e kuptoj dot ato çaste se e kisha zënë me dorën time të majtë. Dy tre të rrahura qepallash më pas vërej se gruaja, pardon, ish-gruaja, u mpak. Më mbet në dorë. Në rentgen nuk kishte thyerje ashti, ishte një plasaritje, por një plasaritje e disafishtë, më keq se një thyerje, kishte thënë doktori me pezmatim… ishte ky akti i fundit i plasaritjes sonë përfundimtare. Gruaja iku. Nuk ia zë për të madhe. Por, kam mall për fëmijët. Katër fëmijë kam. Me këtë gruan e fundit kam katër fëmijë! Arjeta ka emnin ish-gruaja. Arjeta ia ka dalë ta fitojë gjyqin; ma ka ndaluar përmes gjyqit të mos i shoh fëmijët e mi për një kohë. Se, dy fëmijët që kam me gratë e tjera i shoh herë pas here. Vajzën me lituanezën e vrojtoj vetëm nga largësia. Nuk don të ketë kontakt me mua. Ka shkëput, me vetëdëshirë, përfundimisht, kontaktin me mua. Por jo unë me të. Mua nuk mundet me më ikë as Alaudini e jo vajza ime. Djali që kam me gjermanen më viziton herë pas here. E, të kthehem prapë në temë, me Arjetën, në fillim tre fëmijë sollëm në jetë. Mandej lidhja jonë pësoi një krizë. U ndamë për një kohë. Mbasi u ribashkuam erdhi fëmija i katërt, një djalë kreshnik; të shpresoj se më ka ngja me shumëçka, por lutem natëeditë të mos më ketë ngja edhe me refleksin e dorës së majtë. Të katërtin sollëm në jetë mbasi patëm vendosur të qëndrojmë një kohë larg njëri-tjetrit. Përmbi gjysmë viti përballuam ndarjen. Të tre fëmijët i vizitoja në fundjavë. Gjysmëviti dukej sikur mbuloi kacafytjet e helmin mes nesh. Kam katër fëmijë të shëndoshë si kunguj Shkupi. Temperamenti im më mori prapë në qafë. Një avokat i mirë më nxori me një dënim të lehtë. Vendit të punës si Securitas ndërkaq ia vuna drynat. Po, e ndiej se do ta rimarr veten.

 Jeta ime është plot me gunga të këtilla. Prej gungave të para që mbaj mend është akti i rikthimit në Shkup. Kur motra jonë po i afrohej moshës katërmbëdhjetë vjeçe, Babai, i cili kishte ardhë në Gjermani në vitet e shtatëdhjeta si gastarbajter, mori vendim të na rikthente në Shkup. Unë pata ardhë në moshën katër vjeçe në Gjermani, m’duket, dhe po më kthenin mbrapsht si njëmbëdhjetëvjeçar. Protestën time askush nuk e mori parasysh; Baba josejo. Kot e ke, Valon, që ankohesh, më këshillonte Iljazi, kushëriri im me të cilin veç gjumi na ndante. Ai e dinte se Baba im i urrente gjithmonë protestimet. Motrës po i fryhej gjoksi e Babës po i zihej fryma përditë e ma shumë nga gjoksi i rritun i motrës. Një ditë vere, me sa më kujtohet, ishte muaji korrik, morëm rrugë me një veturë të markës Pezho, nga Bochumi për në Shkup. U kthyem në Shpi. Në shtëpi të Babës. Gjithçka në këtë botë i takonte Babës: Shpija, Nana, Toka, Shkupi, Gjermania, Motrat, posepo. Edhe jeta jonë, ishte pronë e Babës.  Dikur, ndoshta kur mbusha nëntëmbëdhjetë vjet, u zuna keq me Babën. Porse, jo që e zuna për duarsh. As me të djathtën, e lëre më me të majtën. Ruana Zot! U zuna me fjalë. Baba punonte në Gjermani edhe ma tutje e unë nuk ia dilja dot t’ia mbushja mendjen të na rimerrte atje. Jugosllavia kish nisë me e la Hanin, po Baba trunin çykë. Tek vonë dikur ra i pajtimit ta sjellë Familjen krejt në Gjermani. Pa e bisedu me askënd, një ditë të Zotit, ia mbathëm me Iljazin për në Belgjikë. Aty qëndrova një vit, për me ik bashkë me Iljazin në Astana të Kazastanit. Punoja me “Mabetexin”. Mirë kemi kalue. Nuk mund të ankohem për pagën. Por, puna në hekurlidhje, ditëepërditë, ma zbraste shpirtin. Në nervozë e sipër, me atë shpirt timin të shterrun, u zuna në fjalë me njërin nga kolegët. Ishte edhe atëherë dora ime e majtë që më mori në qafë. E kisha zënë për fyti kolegun me dorën e majtë. Kjo dorë imja nuk ka terezi. Reagon simbas një refleksi të pavetëdijshëm. Teksa ka kaluar e gjithë e keqja,  shoh veten e gjykoj mbasandej të kem reague me dorën e majtë. U largova nga Astana me vullnet timin. Në Gjermani kërkova azil. E, për mos me humbë kohë mbas procedurave të azilkërkuesit, një natë në disko njoftova një brunetë letoneze që kishte letra gjermane. Rregullova statusin. Mbas kësaj ndodhie filloi me më vizitue Familja në banesë.Të gjithë filluen me vajtue mbi procesin tim të shlymjes. Të asimilimit. Nuk ka fjalë ma të urryeshme për mua. Kaq shumë më ka ndejtë në krye kjo fjalë. Nga një fjalë, te unë është shndërru në emër: Asimili është qenia ma e poshtër në botë që unë kam takue. Asimili më përcjell gjithë jetën. Asimil në Shkup. Asimil në Astana. Në Bruksel. Në Këln. Kudo ky Asimili i dreqit!  “Të ndahesha”, predikonte zëshëm Familja, “përpara se të bahej edhe ma keq në jetën teme; edhe shumë ma keq”. Pra, para se të më shkonte mendja të krijoja familje me Lituanezën. E, mandej, përfundimisht të  të asi-mi-lohesha. Derisa familja vajtonte në iso, fshehtas mbas kërthizës së letonezes tashmë ishte ngjizë ajo gjama keqbërëse në jetën time. Vajzës sonë ia ngjitëm emrin Merylin. Kjo ide e tmerroi Babën. “Asimilimi i këtij djalit, tashmë ka marrë fun!”. Baba fliste për mua, në praninë e vëllëzërve, pa më kqyrë mue fare në sy. Nuk shkoi gjatë, për me i ra ma shkurt tash, e prapë temperamenti im mori në qafë lidhjen time me letonezën brunetë. E them se më mori në qafë për arsyen se unë e kam dashtë atë njeri disi prej fundit të barkut. U ndamë me të, pa ndërhyrjen e refleksit tim të dorës së majtë. Deri atje nuk shkoi puna. Letonezja nuk kishte instinkt të më urdhëronte për diçka. Jo se bëhej e atillë. Ajo ashtu ishte e lindun. I mungonte instinkti për të urdhëruar. Ajo m’u shmang me një butësi përuljeje. Nuk ia harroj këtë asaj krijese. Nuk më dashuronte më tutje, por kishte një respekt të habitshëm për mua. Një ditë më tha: Jam duke jetuar me ty për hir të atyre ditëve të lumtura që kishim bashkë në të kaluarën. I rikthej e i përtyp ato ditë. Jo për hir të së tashmes. Thoshte ajo me ngashërim. Kjo më bëri të kujtohem gjatë. E dëftova se më duhet të lëshoj rrugë e ta shliroj atë njeri. Mbas letonezës erdhi në jetë një femër goxha e bukur gjermane. Dhe më pas djali im, të cilin e pagëzuam Fin. E çfarë është tash ky emër more, shfrynte Baba. Fin? Pra, fundi yt është ky. Fundi! Porse gjermanka kishte një prirje për kotrollë. Gjëja më e urryer në jetë; sa herë në jetë kisha zanë Babën për fyti atje në fantazinë time, pikërisht për arsye të prirjes së tij për të kontrollue gjithçka. Para se të bija në bela me gjermankën, u ndamë. Djali më viziton, e thashë ma nalt. Jo vetëm dorën e majtë, asgjë nuk ka të trashëguar nga unë; përveç një elementi. I urren peshqit.

Me kohë Nana filloi me u ankue. Nuk e përballoja vajtimin e Nanës, çjerrjen e Babës, kritikat me za të butë, po që ta bëjnë trunin gërrnajë të vëllëzërve… vetëm shikimi plot dëshpërim i motrës kur  e vizitoja në një paralagje të Shkupit sikur më jepte të drejtë; tashti gjoksi i saj  i fryrë, ai gjoks që asokohe ia këpuste frymën Babës, ishte ngjitur sikur një statujë guri për gojën e një foshnje grykëse së cilës nuk ia mbaja mirë n’mend emrin.

Menzi kisha marrë veten nga shkëputja e lidhjes me Monikën e largimin nga Fini, kur Baba zbuloi një ditë planin e të ardhmes sime. Për ironi të jetës, derisa Baba po farkonte planin për jetën time, vëllai i madh u zu në dashni me një vajzë nga Petersburgu. Baba humbi kontrollën për një kohë. Rituboi të gjithë Familjen dhe ia këputën me një vëllait të madh. Por, për habi të të gjithëve, vellai i madh i mbeti besnik dashnisë së tij. Doli nga Shpia e iku me vajzën ruse nga Petersburgu; dorën në zemër, nuk kishte faj vëllai që kishte rënë në dashni të përvëlueshme. Përveç e hijshme, vajza nga Petersburgu bartte në kokën e saj, si me thënë, gjysmën e librave të botës. Kishte doktoru në shkencat e së drejtës; prindërit e saj, hebrej, vinin nga shtresa e mesme e Petersburgut, e në Hamburg kishin zënë vend si është më së miri.  Baba mandej ra në spital. Atë kohë, unë, si fëmija i dytë me radhë, mora rolin e rivendosjes së harmonisë në Familje. Pranova të martohem me një vajzë nga Peja. Ishte e hijshme, e më pëlqente shumë sidomos zani i saj disi i lagësht; ishte seksi në pamje por, thanë të drejtën tashti, shumë pasive në shtrat. Kërkoj ndjesë për këtë detaj, por, fjala e nxjerr fjalën. Kam pasë rastin me njoftë femna, si i thonë një fjale, nga të katër anët e botës, por kjo vajza nga Peja me ato vija aq seksi të trupit, nuk i bënte dy gjuajtje të lira në shtrat. Dikur më rruplloi nëpër mendje se ajo ndoshta ia kish shitë kahmoti zemrën dikujt tjetër atje në rrugët e Pejës, e tashti kish mbetë vjerrë emocionalisht në këte botë të ftohtë gjermane; e dëfton njeriu. Kujtoj unë, kur dikush bahet se të don por, në të vërtetë, kurrë nuk të dëshiron përnjimend, kurrë nuk lëshohet në dyert e asaj shkrimjes totale në ty. Në njëfare mase të dy e ndjenim se kishim një fat të përbashkët. Kjo, kujtoja unë, ndoshta do të ndikonte të na afronte me kalimin e kohës. Lidhja jonë, dihej mirë, ishte nje aranzhim nga jashtë. Dhe, si diçka e përjashtme mbeti përherë; ndonëse unë bëra çka ishte e mundshme ta ngrohja nga brenda. Në fillim, me mbërritjen e Arjetës në Gjermani dukej se gjithçka do të shkonte mirë. Ajo kishte tashmë të njohur historinë time me gratë. Unë ia kisha rrëfye të gjitha. Duke qenë një natyrë e drejtëpërdrejtë unë ia kisha rrëfye biografinë time, duke e pyet ngultaz: Dëshiron me e kalue jetën me një njeri të këtillë? Pyetjen ia pata shtrue një ditë maji në një kafeteri në Pejë. Po-ja e saj m’u pat duk bindëse. Kishte qenë bindëse për mua, por jo edhe e sinqertë. Ndoshta kish qenë e sinqertë me mua, por jo me veten. Në vitet në vijim gjërat dolën në sipërfaqe. E, kur një ditë e zuna duke shiku me mallëngjim një album të vjetër fotografish, gjithçka m’u bë e qartë. Më pas, gjithçka mori teposhtëzën. Grindjet u kthyen në konflikt. Porse, unë gjithmonë kisha kujdes ta zija bërrylin e saj me dorën e djathtë; e, atë ditën tragjike u zumë keq dhe unë ia kisha rrokë bërrylin me dorën time të majtë. Në gjyq mora një dënim të lehtë. Por humba vendin e punës si Securitas… kjo me dhemb shumë këto ditë. E adhuroja shumë Pirgun në L.

Rekuiem për Z.

Barlet A., më dërgoi mesazh të shkurt në Whatsapp, derisa isha duke e lexuar librin e sapobotuar të Lee Smolin “Quantenwelt”: “Unë po nisem. Takohemi në Stuttgart. Mos harro të nisesh me kohë, ke mbi pesë orë rrugëtim. Edheee, të lutem, mos harro të ma sjellësh pikturën që më ke premtu. Hehe!” Në dy pasdite me radhë po lexoja Lee Smolin… autori përbehej qysh në krye se kishte ardh koha të mbrapshtohej shkolla e Nihls Bohrit dhe Werner Heisenbergut me shokë, se bota nuk ishte e përnjëmendtë, ashtu siç e kishte menduar njeriu kohë të gjatë; se ekzistonte një realitet krejt ndryshe; se ekzistenca ishte e mvarun drejtpërdrejt nga vrojtuesi, apo vrojtuesit, dhe e pashkëputshme nga të vrojtuarit. Pra, simbas Nihls Bohrit me shokë, bota në një dimension të thellë të ekzistencës,  ishte nje projeksion i diçkafit tjetër, pa një entitet substancial. Në historinë e shkencës teorizimet e Bohrit kanë zënë vend përmes definicionit të  njohur me “The Copenhagen Interpretation”. Pra, Lee Smolin, bënte kryq qysh në fillim se ai me këtë libër do ta vërtetonte të kundërtën e Bohrit; e ngaqë njeriu vetvetiu tërhiqet nga poetika e stilizimeve absurde mbi të qenmen, unë kisha harxhuar gjashtëmbëdhjetë euro nga buxheti im për bibliotekën, për t’iu bashkëngjitur fshehtas ithtarëve të Lee Smolin, e për ta vulos përfundimisht të vërtetën mbi ekzistencën e një bote atje përtej projeksioneve të vrojtuesve të cilët mbase asnjëherë nuk ia kishin dalë të qartësojnë se kush i vrojtonte vetë ata, vrojtuesit pra. Një regresion singular i një nuacimi të pafund të absurditetit ekstrem.

Librin e Lee Smolin nuk e mbarova së lexuari.

Vdekja e Z., në një ambient në rrethinat e Stuttgartit hyri në këtë mes; unë  kujtova se kisha humb interesimin vetëm për një çast, por doli e kundërta. Librin e Smolin e vura në radhorët e bibliotekës për të mos iu kthyer mbase kurrmë.

Në rrethinat e Stuttgartit mbërrita në ora dy pasdite. Mbaruam me punët që Barleti kishte planifikuar në banesën e re.

Në muzg dalim dhe i afrohemi një restauranti afër Stuttgartit. Është verë. Qetësi muzgu. Në hyrje të Restaurant-Pizzeria është e vendosun një skulpturë druri. Auloni pyet se çfarë është ky send kështu, duke dhënë atypëraty mendimin se diçka e atillë nuk i pëlqente fare. Barleti ia kthen me kujdes: Shpirt i  babit, është një skulpturë që paraqet një gjel. Një gjel fort i shëmtuar, shton më pas Auloni duke ngrit vetullat. Një gjel i gdhendun në dru, thotë Barleti. I shëmtuar e  bile edhe pa sy. Unë nuk ia pashë sytë!, thotë Auloni mendueshëm. Dikush kishte provuar ta kopjonte një vizatim, thëngjill në letër, të Picassos nga viti 1938.

Unë dhe Auloni zëmë vend afër dritares me shikim kah rruga. Dielli depërton përmes drunjve matanë rrugës e futet në ambientet e restaurantit; lëshoj shikimin shkarazi dhe vërej se  të gjithë vizitorët, përveç Aulonit, janë krijesa ardh në këtë botë nga shekulli i kaluar. Barleti merr hapin drejt banakut të bëjë porosinë. Ndalon shkurt, më afrohet: Përnjimend Pizza Margheritta? Mbetet duke me shikuar një copë kohë, sikur don ta vërtetojë përsëdyti se vërtet  dëshiroja një “margheritta” në një restaurant në rrethinat e Stuttgartit. Unë dhe Auloni, mbasi i kemi ik temës së gjelit të shëmtuar e, bile një gjel pa sy, shtrohemi në bisedë për shijen e pakrahasueshme me një tjetër, simbas Aulonit, të  Coca Colës. Në xhamin e dritares lëvrijnë tri insekte. Dyert e Lokalit janë hapekrahë. Vë re se Auloni ngryset papritmas e me kureshtje. Në xhamin e dritares ngjitet një kandërr. Është një zekth i ngathtë, i lodhun… përballët për jetëavdekje me absolutizmin e xhamësisë… ngjitet lart, provon të gjejë një dalje, një ikje, një shlirim nga totaliteti i atij kurthimi të tejdukshëm. Zekthi është tejshterrun, i rrëqethun, e mua më kujton parabolën e Robert Musilit “Letërngjitësi i mizave”. Bëhem gati të përballem me Zekthin. Ngritem e nga tavolina afër nesh tërheq dy servieta… Barleti kthen kokën e më shikon me habi; buzëqesh, po aq habitshëm me gjestin tim, bën me shenjë se mbas pak do të sjellë servieta me bollëk…

Barlet A., e njoh prej 39 vjetësh. Është një miqësi e kahershme; ndajmë principe të ngjashme në jetë e, ndërkaq, mendimet i kemi shpeshherë të kundërta. Ka ndërru vendin e punës, e me këtë është detyruar ta ndërrojë edhe vendbanimin. Është tërheq afër Stuttgartit, dhe ka kërkuar ndihmën e  tre miqve të fëmijërisë ta ndihmojnë. Dy prej tyre kishin qenë tepër të zënë; unë i përgjigjem pozitivisht, lë menjanë dy termine… dhe heq dorë pa dëshirë nga të lexuarit e librit të Lee Smolin.

Bëhem gati ta tërheq në servieta e ta nxjerr Zekthin jashtë; një kandërr që shqetësonte shtatëvjeçarin Aulon, me të cilin kisha zënë një simpati të fortë në atë muzg të qetë e të kandshëm, nuk kishte vend aty. Barleti vjen me hapa të lehtë. Ka bërë porosinë, më kthehet edhe një herë me “a përnjemend piza margerita a”? Teksa ulet më drejtohet:  Ke një copë udhë të mirë deri sa të kthehesh sonte; e çmoj shumë këtë ndihmë tanden, thotë ai, dhe nis të picërrojë sytë kur kthen kryet drejt xhamësisë së dritares që çon shikimin te peizazhi përtej rrugës. Duke picërru sytë me sforcim, duke i rrotulluar kërdhoklat e syve, ka fokusuar kandrrën me flatra në dritare. Zgjat dorën mbrapa shpine, nxjerr nga xhepi i pasmë një katërkëndëshe të butë, sa pëllëmba e dorës, një katërkëndëshe  të lëkurtë, të zezë në të kaftë dhe me një qetësi triumfale godet me kujdes, me njërën nga dy shpinat e kuletës, insektin e rrëzbitun; e zë me shpinën e lëkurtë – i kotë është vështrimi im qortues duke i thënë pa zë mooos, a nuk e dëftove që unë sapo u bëra gati ta nxjerr jashtë – duke e mbajtë ashtu të zënë, e ndrydh lehtë, lehtë, me kujdes, me ngulm, në qetësi, për të mos lënë në xhamësinë e dritares gjurmët e aktit eliminues. Mbetja e Zekthit bie në dysheme, përmbys, te këmbët e tavolinës. Me maja të këpucës Barleti e shtyen Zekthin, sikur me kokallë, tutje në qoshin e tavolinës fqinje dhe me nënqeshje të ngjitur për mollëzash i drejtohet Aulonit të traumatizuar lehtë: Hë shpirti i babit, vetëm një xekërr ishte!

Dy minuta më pas shoh të afrohet pranë tavolinës kamerieri. Ka një fytyrë të zbehtë marokene, sy të qetë e të ikun brenda,  dhe duke folë me za të naltë po të butë më drejtohet: Pica margerita, ju dëshiroj apetit të mirë!

Në banesë mbërrij gjysmë ore mbas mesit të natës. Udhëtimin prej pesë orësh e ndërprej shkurt duke u fut në një Rastplatz të mbushun plot e përplot me kamionë; tabelat e makinave, mveshur me hijësime drunjsh në errësirë e spërkatur nga ndriçime të zbehta nga shtyllat elektrike, tregonin vendnisjet nga shtete e vende të ndryshme të kontinentit. Dhe, të atilla në një hapësirë aq të ngushtë, të ndillnin mendimin sikur ti ato çaste kishe humbur rrugën e papritmas  gjendeshe brenda  parkingut të një mini-parlamenti fushor; në mendje pa dashje, më shfaqet John Steinbecku me “Udhëtimi im me Çarlin”.

 Të nesërmen ngrihem me përtesë, gjymtyrët i ndiej të më dhembin nga bartja e ca mobileve të lehta në banesën e re të Barletit. I vë një rrotullake të hollë automatit të kafes. Lëngu i zi me aromën e kandshme depërton përmes shqisave në tru. Zë vend në cepin e foteles; libri i Lee Smolin është i kthyer përmbys,  lexuar në vetëm dy të tretat e tekstit. Pij kafen, zgjat dorën e marr librin e Smolin, e shikoj pak sekonda, mbyll kapakët. Në mendje më rishfaqet akti i ekzekutimit të Z. Nga biblioteka nxjerr një vëllim të Brockhaus. Ashtu në këmbë, mbështet me bërryla në tavolinë, zë e lexoj biografitë e Tabanus bovinas. Mbas shfletimit të literaturës mbi Zekthin, kisha përshtypjen se të lexuemit e “Quantenwelt” ishte i tepërt. Jeta dhe vdekja e kandrrës me krahë, në një rastaurant afër Stuttgaritit kishin vënë vulë mbi teorinë e Smolin se do të duhej të ekzistonte një botë përtej vrojtueshmërisë. Marr në dorë librin e Le Smolin. E vendos në radhorin e bibliotekës. Për të mos e lexuar mbase kurrrmë! Duke iu rikthyer kafes tashmë të ftohur, më shkon mendja tek “Macja e Shrëdingerit”, dhe ndiej sikur më kaplon prapë një trazim mendje në arealet e trurit tim. Gjithë ato shkrime të kësaj bote! Ta bëjnë trurin gërrnajë, them me vete, dhe në mendje më vjen një kamerier duke i rënë fshesë dyshemesë së një lokali, duke përmbledh troshkat e ushqimeve dhe lëvozhgat e insekteve, në orët e vona të natës, i rraskapitun, ndoshta me një ndritësim të hollë në sytë, tek kujton dikë që mbase do të kujtohej ta vrojtojë jetën me të dhe për të.  

ObserverKult


Lexo edhe:

AVNI ALIJA: BETTY