Autori i “Rayuela”-s Julio Cortazar, shkrimtar, përkthyes dhe intelektual argjentinas është konsideruar si një nga autorët më inovatorë dhe origjinalë të kohës së tij.
Lindi në Belgjikë në 26 gusht 1914 dhe vdiq në Paris në 12 shkurt 1984. Në vitin 1963 u publikua për herë të parë romani i Julio Cortazar-it, “Rayuela ose Hopscotch” në anglisht. Vetë autori e ka cilësuar këtë si një kundër roman që shënoi para dhe pas letërsinë latino-amerikane. E konceptuar si një lojë letrare dhe i shkruar me një liri letrare, “Rayuela” është përshkruar si shumë libra në një.
Në kujtim të këtij autori në vazhdim do t’i publikojmjë disa nga frazat e tij të nxjerra nga romani “Rayuela”:
Ecnim pa kërkuar, por e dinim se do të takoheshim.
Pas moshës 40-vjeçare fytyrën e vërtetë e kemi pas qafe, duke parë dëshpërimisht mbrapa.
Mua më duket se peshqit nuk duan të dalin nga akuariumi, ata asnjëherë nuk e prekin xhamin me hundë.
Ndoshta nga të gjitha ndjenjat tona, e vetmja që nuk është me të vërtetë e jona është shpresa. Shpresa i përket jetës, është vetë jeta që mbrohet.
Shpjegimi është një gabim i veshur mirë.
Vetëm në ëndërr, në poezi, në lojë – ndezja e një qiriu, ecja me të nëpër një korridor. Mendojmë shpesh herë ajo ç’kemi qenë, para se të dimë këtë duhet ditur nëse jemi.
Çdo herë e më shumë dyshoj se të biesh dakord është iluzioni më i keq.
Melankolia e një jete tepër të shkurtër për kaq shumë biblioteka. Kur beson se ke mësuar plotësisht ndonjë gjë, gjëja, ashtu si ajsbergu, ka një pjesë jashtë dhe ta tregon dhe pjesa tjetër kaq e madhe gjendet përtej limitit tënd.
Sikur të mund të zgjidhje dashurinë, sikur të mos ishte një rreze që të çan kockat dhe të bllokon në mes të udhës.
E dashur nuk të dua për ty, as për veten time, por për të dy së bashku… të dua sepse nuk je e imja, sepse ndodhesh nga ana tjetër, aty ku më fton të hidhem dhe nuk mundem.
E keqja e ëndrrës nuk është ëndrra. E keqja është ajo që e quajnë zgjim.
Kush është i gatshëm të lëvizë, të humbë kontrollin, të zhvendoset nga qendra dhe të zbulojë vetveten?
Dashuri e varfër është ajo që me mendim ushqehet.
Dhe kështu është; ata që na ndriçojnë janë të verbërit.
Vetëm duke jetuar në mënyrë absurde mund të thyhet ndonjëherë ky absurd i pafundmë.
Çdo herë ndjej më pak dhe kujtoj më shumë. Po çfarë është kujtimi? Gjuha e ndjenjave, një fjalor fytyrash dhe ditësh dhe parfumesh që kthehen si folje dhe si mbiemra në një diskurs./Observerkult