E dënuan dy herë, jetoi vetëm 5 ditë pasi doli nga burgu

Historia e Nikolla Mercanajt, që diktatura e dënoi dy herë. Herën e parë pak kohë pas martese, kur vajza e vogël ishte vetëm një vjeç dhe të dytën pasi kishte dalë në pension. Një jetë në burgje, internim dhe survejim, e mbyllur vetëm pesë ditë pas lirimit. I biri tregon historinë e përndjekjes së pandalur ndaj babait dhe familjes …

65-vjeçari, atë ditë janari, ishte duke marrë pensionin para postës së Lushnjës. Në fshatrat e së cilës jetonte i internuar, kur e ndaluan me parrullën “në emër të popullit je i arrestuar”.

E akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 10 vjet burg. I kreu në Ballsh, në Zejmen dhe në Shën Vasil të Sarandës. Siç tregon i biri, Mark Mernacaj, në librin “Zërat e kujtesës Vëllimi VII”, botim i ISKK, gjatë kohës që i ati vuante dënimin u bënë tri amnisti nga të cilat dhe pavarësisht moshës, nuk përfitoi nga asnjë.

Vetëm në amnistinë e katërt të vitit 1986, Nikollës iu fal 1/4 e dënimit të mbetur. Që do të thoshte 1 vit. U lirua pas 9 vitesh burg më 15 janar të vitit 1989.

Jetoi vetëm pesë ditë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Kishte kryer, bashkë me dënimin e parë 17 vite burg. Dhe periudhën midis dy dënimeve e kishte kaluar i internuar në fshatrat e Lushnjës.

“Babai nuk ka qenë fash ist. Ai ka qenë në ushtrinë e Gardës Mbretërore në Itali, Romë. Në atë kohë, ne ishim pushtuar nga Italia. Babai ishte ushtar në Elbasan dhe prej aty. Një pjesë të ushtarëve i kanë dërguar në Itali për shërbimet mbretërore. Babai ka pasur disa revista nga ajo kohë. Dhe për këtë arsye e akuzuan si fash ist dhe për “agjitacion e propagandë”, po ashtu dhe si spiun.

Ai ka qenë në burg nga 1952 deri në janar 1960”, tregon Marku për “Zërat e kujtesës”. Nikollën e dënuan jo shumë kohë pas martesës, një vit pas lindjes së vajzës së parë, Diellës.

Gruaja e tij, Drania, ishte një nga ish-fëmijët e kampit të Beratit dhe Tepelenës. Internuar atje me gjithë pjesën e mbetur të familjes, pasi dy vëllezërit e saj, Toma dhe Frani ishin arratisur në vitin 1948. 

Gjatë kohës që bashkëshorti i saj vuante dënimin në burg, prindërit dhe vëllezërit e tij u arratisën të gjithë fillimisht në Mal të Zi e më pas në SHBA. Kjo bëri që rreth një muaj pasi Nikolla doli nga burgu. Ndërkohë që komunistët i kishin sekuestruar gjithë pasurinë pas largimit të prindërve, ta internonin bashkë me gruan dhe vajzën Diella, në Savër të Lushnjës.

Atje lindën dy fëmijët e tjerë, Maria dhe Marku, që tregon këtë histori. “Në Savër kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës, deri në vitin 1991”, tregon ai. Për një periudhë kohe i zhvendosën në fshat tjetër internimi, siç ishte Gradishti. Kjo për arsyen se një nga mushkat e sekuestruara familjes, i kishte humbur të zotit të ri.

Fajtorë u bënë menjëherë vëllezërit e Nikollës dhe meqë nuk kishin me kë të hakmerreshin tjetër, vendosën që Nikollën me gjithë familje ta zhvendosnin nga Savra për në Gradisht.

Më pas, kur mushka u gjet në një humnerë, Nikolla Mercanajt i thanë se me anë të një kërkese mund të ktheheshin sërish në Savër, siç edhe bënë. Pas një aksidenti me makinë, ai u shtrua 6 muaj në spital, qëndroi dy vjet pa punë dhe iu rikthye sërish punës në bujqësi deri sa doli në pension, kur do të vinte dënimi i dytë.

“Arsyeja e dënimit të dytë ishte se, në vitin 1976, pasi gjyshi vdiq, gjyshja shkoi në Amerikë, sepse kishte djemtë.

Në atë kohë, ajo ishte 105 vjeç. Ikja e saj bëri bujë të madhe. Ajo, në fakt, shkoi për vizitë në Amerikë, jo për të qëndruar. Vetëm pas disa kohësh vendosi dhe vajti për të plotësuar letrat, siç ishin rregullat për emigracion.

Kur po merrej me këto procedura, e merr vesh një kongresmen amerikan, që ishte në Bronx…se kishte një rast, një grua që kërkonte shtetësinë në moshën 105-vjeçare. Kjo ngjarje, shkoi deri te presidenti i asaj kohe, Gerald Ford, i cili bëri një dekret të posaçëm për t’i dhënë direkt nënshtetësinë nënës, pa qenë nevoja për rezidencë.

Ky rast bëri një bujë të madhe. Shkruajtën shumë gazeta. Shkoi deri tek mediat australiane lajmi. Kjo ishte pra akuza e dytë për babain duke i thënë se nëna e tij, kishte shitur nënshtetësinë shqiptare dhe ka marrë atë amerikane”, tregon Marku.

Nikolla do ta kalonte në burg gjithë jetën e mbetur, pasi ndërroi jetë vetëm 5 ditë pasi u lirua.

“Babai kishte shumë sëmundje në trup, po jo deri në atë gjendje, sa ta çonte drejt vdekjes. Sipas shokëve të burgut, është sëmurë 15 ditë para se të lirohej. Në librin e Patër Zef Pëllumbit (ai) tregon se ka qenë i shtruar në infermierinë e burgut. Aty tregon me detaje, ku bashkë me babën, ka qenë i shtruar edhe Dom Pjetër Gruda, i cili vdiq dy ditë përpara se të lirohej babai.

Ndërsa im atë arriti të lirohej, të dilte gjallë. Patër Zef Pëllumbi dëshmon se të dy janë mbytur nga infermieri i burgut, Kosta, i cili ishte dhe vetë i burgosur… Patër Zef Pëllumbi tregon se ky, Kosta bënte çmos që të burgosurit mos të dilnin nga burgu.

Më ka treguar dikush që kishin shkuar për inspektim nga Tirana. Babai në atë kohë kishte qenë i shtruar. Panë ambientet, panë edhe dy të sëmurët që ishin Dom Pjetër Gruda dhe babain. Ata pyesnin se pse ishin aty, pse nuk i kishin çuar në spital për mjekim më të specializuar?

Për babain, ai u thotë se lirohet tani, kur për Dom Pjetrin përgjigjet se nuk ka gjë, është mirë, por në fakt, të dy vdiqën”, thotë Marku në intervistën për Luljeta Lleshanakun përfshirë në botimin “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VII. Ai kujton se babanë ia prunë me barrel, kur shkoi ta nxirrte nga burgu, ditën që i mbaronte dënimi, madje sipas tij, e vonuan deri sa të shkonte ora 13.00, ora kur edhe e kishin arrestuar 9 vite më parë.

“Nuk i falën as gjysmë ore”, komenton ai. I ati nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kështu që Marku mori rekomandim në Savër dhe me makinë e çoi në spitalin e Tiranës, ku doktor Vangjel Todri i tregoi gjendjen e rëndë të atit.

Pas pesë ditësh ai ndërroi jetë. Marku tregon se e sorrollatën gjatë për ta transportuar trupin e tij në Shkodër, ku familja kishte vendosur që të prehej Nikolla, pasi e prunë një herë në Savër.

“Kur mbërritëm në Shkodër ishte ora 8 e ca e darkës. Gjithë njerëzit kishin ikur dhe, ne, e varrosëm babanë në errësirë vetëm me 6 persona, me të cilët erdhëm nga Lushnja”, tregon ai.

Vetë do të ktheheshin në Savër, aty ku jetuan deri në vitin 1991./kujto.al

Nikolla Mercanaj

Lexo edhe:

ARMEND REXHEPAGIQI & TUNA: UNË SA TË DESHA NJË ZOT E DI… (TEKSTI DHE KËNGA)

ObserverKult