Herta Muller: Çaushesku ishte i çmendur dhe çmendi gjysmën e Rumanisë

  “Çaushesku ishte i çmendur dhe çmendi gjysmën e Rumanisë. Jam e çmendur për shkak të tij”.

Herta Muller, lindur në 17 gusht 1953 në Banatin rumun, në gjirin e pakicës gjermanofolëse dhe është autore e disa romaneve, tregimeve dhe eseve. Puna e saj është kurorëzuar me çmime të panumërta letrare, duke përfshirë edhe atë më prestigjiozin, çmimin “Nobel” për letërsinë, në vitin 2009.

Librat e përrallave me kafshë të Herta Muller, nuk kanë asgjë magjike. Përmes krijimtarisë së saj, bufat vdekjeprurës, lopët me qumësht të kuq, macet me sy regjistrues, fazani i brishtë si njeriu, dhelpra e gjymtuar, lundrojnë në një atmosferë paragjykimesh poetike, mister dhe frikë. Një koktej eksploziv, ku bashkohen jeta fshatareske e vogëlushes Herta, çobaneshës 10-vjeçare që rend nëpër livadhe dhe jetës urbane, të gruas së revoltuar, të përndjekur nga policia sekrete e Çausheskut./ Konica.al

Fituese e çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 2009, Herta Muller lindi në Rumaninë perëndimore, në provincën e Banatit, e populluar asokohe nga pasardhësit që flisnin gjermanisht nga kolonët suabian të vendosur në shekullin e 18-të. I ati një nazist i papenduar, nëna një maniake shtëpiake, e cila ka humbur gjithë ndjeshmërinë pas një periudhe burgimi pesëvjeçar në një kamp internimi rus. Herta Muller ndodhej në kulmin e përndjekjes së policisë, e cila refuzoi në vitin 1979 të bashkëpunonte me Sigurimin, policinë sekrete të Çausheskut. Shkrimtarja bën pjesë tek ata qytetarë që Republika Federale Gjermane shpëtoi nga Çaushesku pak para rënies së tij, për t’u ofruar atyre një jetë të dytë. Aktualisht jeton në Berlin dhe prej vitit 1995 është anëtare e Akademisë Gjermane për Gjuhë dhe Letërsi (Deutsche Akademie für Sprache und Dicthung)./Konica.al

Herta Müller shpeshherë ka theksuar “situatën shumë të veçantë gjuhësore të shkrimtarëve që flasin gjermanisht në Rumani”: “Gjuha e të shkruarit, gjermanishtja e standardit të lartë, bashkëjetoi me dialektin, atë suabian të Banatit, dhe gjuhën përçuese, rumanishten. Kësaj i shtohej gjuha e regjimit, e cila e kishte devijuar gjuhën në favor të saj. Si rrjedhojë, ishte vigjilenca jonë për të shmangur fjalët ose konceptet e dhunuara ose të ndotura nga politika. Ata iu referuan një realiteti që nuk ishte i yni”. Herta Muller është një nga shkrimtaret më të njohura të Gjermanisë, veprat e para letrare të së cilës datojnë që nga viti 1982. Prej asaj kohe ka botuar vëllime të shumta të përkthyera në shumë gjuhë të ndryshme të botës.

Librat e saj të parë u censuruan nga regjimi i Çausheskut, deri në ndalimin e plotë për të mos botuar më në Rumani. Më 1987, mërgoi në RFGJ, së bashku me të shoqin, shkrimtar. Disa nga veprat janë: “Çdo gjë që kam e mbaj me vete”, një roman poetik i jashtëzakonshëm, ku tregon për fatin e një të riu nga Transilvania e Rumanisë në një kamp pune rus; “Njeriu është një fazan i madh mbi tokë”, “Engjëlli i uritur”, “Toka e kumbullave të gjelbra”, “Takimi”, “Pasaporta”, “Lëkundje frymëmarrjeje”, etj.

Libër pas libri, Herta Muller rrëfen universin e ngurosur në frikë, ankth, poshtërsi, tradhti, komprometim, që ishte i përditshëm në Rumani. “E di se ç’do të thotë të ngrihesh në mëngjes me frikën në bark, sepse nuk e di nëse do të arrish të jetosh deri në darkë”, – shprehet shkrimtarja në një konferencë. Kjo eksperiencë tragjike përshkon stilin e të shkruarit dhe veprën e saj. Madje, shkon përtej eksperiencës personale të autores, ajo është paradigma e vuajtjes. Larmia e imazheve, fuqia e tyre krijojnë një kontrast të fuqishëm me përmbajtjen, koncizitetin, përpikërinë dhe lakonizmin e fjalës. Poetika e Herta Mullerit, prehet mbi magjinë çliruese të fjalës.

Ajo shkruan për të zbuluar tek të shkruarit koherencën e domosdoshme të jetës, sikur fjalët t’i mundësonin të ribashkonte copëzat e një jete të thyer, të njerëzve, plagët e të cilëve janë kaq të thella, saqë mbeten përjetësisht gojëhapur dhe në pezëm. Romanet dhe tregimet e saj janë një riorganizim ngulmues i tablosë së thyer shpirtërore nga çmenduria diktatoriale. Pa dyshim, kjo bën që të shkruarit e saj të karakterizohet nga një thjeshtësi tronditëse. /Konica.al