Më 1 të Vjeshtës së Dytë 193…
Datë historike, për jetën time. Të paktën mue kështu më duket, sepse plot motmot mâ parë dhe pikërisht më 1 Tetuer, u njofta me Margeritën.
Tre muej mbas ndamjes sonë, e pash prap, por jo në Licè si vitin e kaluem. Asgja s’e kishte ndryshue. Vetëm se m’u duk ma e matun në mendime e gjykime.
I kishte evitue shprehjet fëminore që i mbante prore në gojë. Po. E hasa prap mbas tre muejësh të gjatë ndamjeje, në Axhensín e automobilavet.
Ajo e dinte se do t’isha atë mbramje Vjeshte në Qytetin X…se ia kisha thanë kur u ndamë, ditën e këthimit; dhe ajo, si shoqe e mirë po më pritte.
Dhe porsa qëndroi automobili, syt e mij u ndeshën menjiherë me ata të Margeritës. M’u duk melankolike atë mbrëmje, megjithse në tiparët e saj u vizatue vrik nji rrem nënqeshjeje.
-Erdhe mâ në fund!-briti porsa zbrita.
-Po Margeritë. E din sa më ka marë malli?-gjegja pa i matë fjalët.
-Përse nuk më shkrove asnji herë? Apo mos gjete ndonjë…shoqe mâ të mirë në Kryeqytet? Zatèn kështu jeni ju djemt: përherë trathtarë!-shtoi tue ma kapë njenën valixhe nga duerët.
-Jo kurr Margeritë!-i thash si për ta ngushëllue dhe për ta largue nga çdo dyshim-Jam i sigurtë se asnji tjetër…shoqe, nuk mund të barabitet me ty. Unë nuk të kam shkrue, tue drashtë se mos komprometoheshe përpara prindërve. Apo s’kam gjykue drejt?
-Prindët e mij të njofin mirë ty dhe e dijnë se na jemi shokë klase. S’kanë pra përse të dyshojnë.
-Po Margeritë. E dij se jam fajtuer, por dij edhe se ti do të më falish, jam i bindun se do të ndjesh.
Apo jo?
Në shejë aprovimi, më shtrëngoi dorën fort.
Në shetitoren e Shëngjergjit desha të ndahem, do të drejtohesha për n’Internat. Iu luta që të shkonte në shtëpi; por ajo nuk u bind, donte të më shoqnojë deri atje, megjithse errsina e kishte kapullue gjithësinë.
U strukëm nën kubèn e nji karroce dhe u drejtuem për në konvikt. Mbas njizet minutash, arabaja qëndroi. Përpara portës s’Internatit ishin grumbullue nji mori studentësh që bisedojshin me za të naltë. Porsa më panë, ata që më njoftën, më përshëndetën dhe më përqafuen përmallshëm tue më drejtue nji varg të gjatë pyetjesh.
Mandej, njeni nër’ ta, Andrea-kushërini i Margëritës-iu drejtue asaj si për ta ngacmue: ,,E! nuk të thash se sot vjen Memli!” Ajo, u skuq e turpnueme pa u përgjegjë.
U ngjita nalt, i vendosa të dy valixhet nën shtratin tim, në bujtinën e sipërme dhe u përgatita të dal prap me që dëkorja e internatit ende nuk e kishte fillue funkcionimin.
Kur mbërrimë përpara nji restauranti, desha të ndahem prej saj, mbassi ajo edhe ishte vonue tue u sjellë me mue.
Por edhe këtë radhë, kundërshtoi tue ngulë kambë që të shkojsha në shtëpí të saj. Mezi munda-mbas shum mundimesh-me ia mbushë mendjen se nuk ishte i pëlqyeshëm propozimi i saj, ndonse mungonte i ati.
U ndamë pra, të mallëngjyem, për t’u pamë prapë të nesërmen në rendin e tetë të Liceut.
*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshi: “Gremina e dashunis”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
ZEMRA IME PO VUAN… SHPRESOJ SE NUK DO TË HARROJË…
Nga: Mustafa Greblleshi
3 Maj 193…
Pranvera e qeshun, u rikthye gjene. Ajo u shfaq sërisht me pamjen e saj gazmore. Natyra, tashmâ, asht mveshë, tanësisht me petkun e saj të gjelbërt.
Burimet e freskëta ia nisën rishtas gurgullimit të tyne dhe bilbili ziliqar nuk mungoi edhe këtë vjet me u ngjitë kryenalt n’Altarin e tij: ai ia filloi kangës mallëngjyese.
E bukur asht Natyra e vendit tonë, madhështorë janë malet kreshnikë të kësaj toke, sepse edhe vetë Shqipnija plakë ka qëndrue gjithmonë e papërkulun, Zonjë e randë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult