E dinte se më nuk do ta donte askënd si atë…

Nga: Luigi Pirandello

Zonjusha Ashensi, që kishte ardhur në Romë për të bërë transferimin nga shkolla normale e Peruxhas në një shkollë tjetër, në cilëndo shkollë tjetër e kudo të ndodhej, madje edhe në Sicili, iu drejtua për ndihmë deputetit të ri të zonës, të përndertit Marko Verona, i cili kishte qenë dishepull shumë i devotshëm i babait të saj të ndjerë, profesorit Ashensi të Universitetit të Peruxhas, fizikant i shquar , i cili s’e kishte mbushur vitin që kishte vdekur në një aksident fatzi laboratori.
Ishte e bindur se Verona, duke i ditur mirë shkaqet për të cilat ajo kërkonte të largohej nga qyteti i saj i lindjes, do të ushtronte në të mirë të saj gjithë ndikimin e madh që kishte fituar në parlament brenda pak kohe.
Dhe e vërteta është se Verona e priti jo vetëm me mirësjellje, por edhe me shumë dashamirësi. Madje, ai arriti deri aty sa denjoi t’i kujtonte vizitat që i kishte bërë profesorit të ndjerë kur ishte student, sepse në disa prej këtyre vizitave, në s’gabohej, ajo kishte qenë e pranishme, asokohe çupkë e re, por jo dhe fort e vogël, përderisa qysh në atë kohë, posi, posi, i ndihmonte të atit si sekretare…
Zonjusha Ashensi, kur u përmend ai kujtim, u skuq e tëra. E vogël? Aspak! Atëherë ajo i kishte mbushur të katërmbëdhjetat…
Por ai, i përndertshmi Verona, sa vjeç mund të kishte qenë?
Njëzet, e shumta njëzet e një. Oh! Ajo ishte gati t’ia përsëriste një për një tërë ç’bisedonte me të atin në ato takime.
Verona i shfaqi keqardhjen e thellë që s’kishte mundur të vijonte studimet, për të cilat në atë kohë profesori Ashensi i kishte ngjallur një dëshirë të zjarrtë; pastaj e nxiti zonjushen të tregohej e fortë, sepse me t’u përmendur fatkeqësia e para pak kohëve, ajo s’i kishte përmbajtur lotët. Më në fund, që rekomandimi i tij të kishte më shumë efekt, deshi ta shoqëronte (po pse të mundohej?), po, po deshi ta shoqëronte ai vetë në Ministrinë e Arsimit.
Por ishte kohë vere dhe të gjithë ishin me pushime. Për ministrin dhe zëvendësin e tij i përndertshmi Verona e dinte; por s’i kishte shkuar ndërmend se nuk do ta gjente në zyrë as kryetarin e degës dhe as shefin e seksionit…Iu desh ta bisedonte çështjen me kavalier Martino Lorin, sekretar i klasës së dytë, i cili në atë periudhë drejtonte degën krejt vetëm.
Martino Loro, një nëpunës tepër i rregullt, shihej me sy shumë të mirë, si nga eprorët, ashtu edhe nga vartësit, sepse sillej me shumë përzemërsi, ishte njeri i butë dhe kjo dukej, si nga vështrimi, ashtu edhe nga buzëqeshja dhe nga gjestet; ishte shumë korrekt edhe në pamje të jashtme dhe vishej pastër e me shumë kujdes.
Ai e priti të përndertshmin Verona me shumë nderime dhe me fytyrë të skuqur nga kënaqësia, jo vetëm sepse parashikonte që ky deputet, herët apo vonë, do të bëhej eprori i tij më i lartë, por edhe sepse me të vërtetë, ishte një adhurues i zjarrtë i fjalimeve që mbante ai në parlament. Kur u kthye pastaj për të parë zonjushen, për më tepër duke e ditur se ishte e bija e profesorit të ndjerë dhe të shquar të Universitetit të Peruxhas, kavalieri ndjeu një gëzim tjetër po aq të madh.
Ai sapo i kishte kaluar të tridhjetat dhe zonjusha Ashensi kishte një mënyrë të çuditshme të foluri: dukej se me anë të syve që kishin një ngjyrë të blertë të veçantë, thuajse fosforeshente, sikur i shtynte fjalët të depërtonin më mirë në zemrën e atij që dëgjonte dhe ndizej prush e tëra. Fliste me një logjikë të kthjellët e të saktë dhe një shpirt të madh, por dora-dorës kjo kthjelltësi sikur niste e turbullohej dhe ajo madhështi sikur i mposhtej nga një hir i papërmbajtur që ia përndriste fytyrën dhe asaj i vinte inat që dalëngadalë fjalët dhe arsyetimet e saj nuk e kishin më forcën e fillimit, sepse ai që e dëgjonte prirej më shumë t’ia adhuronte hirin dhe të prehej. Atëherë pak nga inati, por pak edhe nga ajo dehja që, pa dëshirën e saj dhe në mënyrë të vetvetishme, i shkaktonte ngadhënjimi i qenies së saj femërore, ajo zinte e hutohej; buzëqeshja e atij që e sodiste, pa dashjen e saj, i pasqyrohej edhe ndër buzë; shkundte kryet me inat, rrudhte supet dhe e ndërpriste bisedën duke thënë se nuk dinte të fliste, se nuk dinte të shprehej.
-Ç’është ajo fjalë! Pse? Përkundrazi, më duket se shpreheni për bukuri, -nxitoi të thoshte Martino Lori.
Dhe i premtoi të përndershmit Verona se do të bënte çmos për të plotësuar dëshirën e zonjushes, duke i dhënë kësisoj vetes kënaqësinë që t’i bënte edhe atij një shërbim.
Dy ditë më vonë Silvia Ashensi erdhi vetëm në ministri. E kishte kuptuar se Martino Lori nuk kishte nevojë për asnjë rekomandim tjetër. Dhe me thjeshtësinë më të madhe i tha se në asnjë mënyrë nuk mund të largohej më nga Roma. Ato tri ditë kishte bredhur shumë pa ndier lodhje dhe kishte soditur aq shumë vilat e vetmuara të fshehura midis selvive, mrekullinë e heshtur të kopshtijeve të Aventinos dhe të Çelios, hijen e rëndë dhe tragjike të rrënojave dhe të disa rrugëve të lashta, si rruga Apia dhe flladitjen e pastër të Teveres…Me një fjalë, kishte rënë në dashuri me Romën dhe donte të transferohej me çdo kusht në të. E pa mundur? Pse ishte e pamundur? E zorshme po, por jo e pamundur. E shumta shumë e vështirë. Por po të dojë njeriu…
Edhe si zëvendësuese në ndonjë klasë shtesë…Po, po, duhej t’ia bënte këtë të mirë. Ndryshe do të vinte kushedi sa herë për ta bezdisur dhe s’do ta linte më rehat. Si zëvendësuese ishte kollaj, jo? Atëherë…
Atëherë puna përfundoi krejt ndryshe.
Mbas gjashtë apo shtatë vizitash të tilla, një mbasdreke kavalieri Lori nuk shkoi në zyrë, u vesh si për kremte dhe shkoi në Monteçitorio për të takuar të përndershmin Verona.
Tek ishte duke pritur që ta fuste brenda portieri, vështronte dorezat, shikonte këpucët, ndukte mëngoret e këmishës gjithë shqetësim.
Me t’u futur në zyrë, për ta fshehur turbullimin, nisi t’i thoshte plot zjarr të përndershmit Verona se ajo që përkrahte ai po i kërkonte me të vërtetë të pamundurën.
-Ajo që përkrah unë?-e ndërpreu i përndershmi Verona.
-Cilën përkrahkam unë?
Martino Lori, duke e pranuar me shumë keqardhje se, pa asnjë mendim të keq , kishte përdorur atë fjalë që mund të merrej si një…interpretim i lig, u nxitua të thoshte se e kishte fjalën për zonjushën Ashensi.
-Aha!Për zonjushën Ashensi! Atëherë po, mirë e thatë, ajo që jam duke përkrahur!-iu përgjigj i përndershmi Verona buzgaz dhe duke e shtuar edhe më shumë hutimin e kavalierit të gjorë Martino Lori. –Më kishte dalë nga mendja që jua pata rekomanduar dhe s’e kuptova me të parë për kë po më flitnit.
Unë e nderoj kujtimin e profesorit të shquar, baba i zonjushës dhe profesor im dhe do të doja që edhe ju, kavalier, t’i dilnit përkrah të bijës. Pikërisht kështu: ta përkrahni dhe t’ia plotësoni me çdo kusht dëshirat, sepse e meriton.
Por prandaj edhe kishte ardhur kavalieri Martino Lori!
Veçse nuk mundte kurrsesi ta transferonte në Romë. Po t’i lejohej, ai do të donte ta mësonte arsyen e vërtetë për të cilën…për të cilën zonjusha donte të largohej nga Peruxha.
Ç’të thoje! Për fat të keq s’ishte e bukur ajo arsye! Profesorin Ashensi e shoqja e kishte dhe e kishte braktisur, një grua për faqe të zezë, dorëshpuar sa s’kishte më dhe kishte zënë të bashkëjetonte me një burrë tjetër, njeri i denjë për të, me të cilin kishte pasur dy apo tre djem. Profesori, vetëkuptohet, kishte mbajtur vajzën e vetme, duke ia dhënë të shoqes gjithë pasurinë.
Njeri i madh, por aspak praktik, profesori kishte kaluar një jetë plot halle, midis sa e sa ngushticash e hidhërimesh. Binte libra njërin mbas tjetrit, blinte pajisje për laboratorin e tij dhe pastaj nuk arrinte të kuptonte pse nuk i dilte rroga për tu bërë ballë nevojave të një familjeje tashmë të vogël. Që të mos mërzitej i ati, ngaqë u mungonin shumë gjëra, zonjusha Ashensi u detyrua të fillonte të punonte edhe ajo si arsimtare. Jeta e asaj çupe, deri ditën e vdekjes së të atit, kishte qenë një lloj përpjekjeje e pasur plot durim e virtyt. Por ajo ishte krenare për namin e babait dhe me plot të drejtë, aq sa këtë krenari mund t’ia përballte me kryet lart turpit të së ëmës. Veçse tani, për fat të keq, mbasi i kishte vdekur i ati dhe kishte mbetur pa mbështetje, thuajse e varfër dhe krejt e vetme, s’dinte më si të jetonte në Peruxha, ku jetonte edhe e ëma e pasur dhe e pacipë. Ja, kjo ishte e tëra.
Martino Lori, i prekur nga ky tregim (ç’është e vërteta i prekur edhe para se ta dëgjonte nga goja plot autoritet e një deputeti me një të ardhme të shkëlqyer), duke u larguar dha të kuptohej se kishte ndër mend të bënte ç’t’i ndoresh për atë vajzë,  jo aq shumë për sakrificat dhe për hidhërimet e saj sesa për atë përkushtim të mrekullueshëm si bijë.
Dhe në këtë mënyrë zonjusha Silvia Ashensi, që kishte ardhur në Romë për të bërë transferimin, në vend të tij gjeti një burrë.

                                                                  II

Por jeta bashkëshortore shkoi shumë ters gjatë tre vjetëve të parë. Për dreq.
Martino Lori u kredh kokë e këmbë në zjarrin e ditëve të para. Ndërsa e shoqja, përkundrazi, dha shumë pak nga vetja.
Me t’u shuar flaka që përzhit trup e shpirt, gruaja, për të cilën ai mendonte se ishte bërë krejt e vetja ashtu sikurse ai qe bërë krejt i saj, befas i doli shumë më ndryshe nga ç’e pati menduar.
Me një fjalë, Lori u kullua se ajo nuk e donte, se kishte pranuar të martohej me të e zhytur në një ëndërr të çuditshme, nga e cila po zgjohej tani e egër, e zymtë dhe e paqetë.
Ç’kishte ëndërruar?
Me kalimin e kohës, Lori u kujtua edhe për gjëra të tjera: se ajo jo vetëm që nuk e donte, por as që mund ta donte, sepse natyrat e tyre ishin shumë të kundërta. Midis tyre nuk mund të kishte as edhe të paktën një keqardhje të ndërsjelltë. Sepse, nëse ai, duke e dashur, ishte gati ta respektonte karakterin e saj shumë të rrëmbyer dhe të gjallë, shpirtin e saj të pavarur, ajo, që nuk e donte, nuk mund as t’ia duronte temperamentin dhe opinionet e tij.
-Ç’opinione!-i bërtiste, duke e shkundur me përçmim.-Ti nuk mund të kesh opinione, i shtrenjti im, sepse nuk ke nerva…
Ç’punë kishin nervat me opinionet? Lori i shkretë mbetej gojëhapur.
Ajo e quante të egër dhe të ftohtë meqë heshtte, kështu? Por ai heshtte për të shmangur grindjet! Heshtte, sepse ishte ndry në hallin e tij tani që e kishte mbledhur mendjen se ishte shkërmoqur ëndrra e tij për të pasur një shoqe të përzemërt dhe të kujdesshme, një shtëpizë të paqme, të qeshur, mbushur me dritë e dashuri.
Martino Lori habitej me mendimin që po krijonte për të e shoqja nga dita në ditë, nga interpretimi që u bënte veprimeve të tij, fjalëve të tij. Kishte ditë që mund të thuhet se dyshonte në vetvete se nuk ishte ai që mendonte se ishte, ai që kishte menduar përherë se ishte dhe se, pa e kuptuar, tani na kishte gjithë ato të meta, gjithë ato vese që ia përfliste e shoqja.
Gjithmonë kishte pasur një jetë të sheshtë; s’ishte futur kurrë në labirintet e errëta dhe të thella të jetës dhe, ndoshta, prandaj nuk dinte të dyshonte as per vete dhe as për të tjerët. E shoqja, përkundrazi, qysh në fëmini, kishte qenë dëshmitare skenash të tmerrshme dhe, për fat të keq, kishte arritur në përfundimin se gjithçka mund të jetë e ligë, se në këtë botë nuk ka asgjë të shenjtë, as edhe nëna, o Zot, as nëna!…Po, po, Silvia e gjorë meritonte falje, meritonte dhimbsuri edhe pse e shihte të keqen edhe aty ku s’ishte dhe për këtë arsye tregohej e padrejtë ndaj ti. Por sa më shumë që ai, me atë mirësinë e tij të shtruar, përpiqej  t’i afrohej që t’i ngjallte më shumë besim ndaj jetës, për ta bindur që të shqiptonte gjykime më të drejta, aq më shumë egërsohej edhe kundërshtonte ajo.
Por në mos nuk i falte dashuri, o Zot i madh, të paktën të tregonte pak mirënjohje ndaj atij që, në fund të fundit, i kishte dhënë përsëri një shtëpi, një familje, duke e hequr nga një jetë endacake plot rreziqe! Ishte kryelartë, e sigurt në vetvete, e bindur se nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë nevojave me punën e saj. Dhe gjatë atyre tre vjetëve të parë e kishte kërcënuar gjashtë apo shtatë herë se do t’ia fillonte përsëri punës si mësuese e se do të ndahej prej tij.
Më në fund e vuri në jetë kërcënimin.
Atë mbasdite, kukr u kthye nga zyra, Lori nuk e gjeti të shoqen në shtëpi. Në mëngjes qe grindur, madje ashpër me të, sepse ai e kishte qortuar butas. Por kishte një muaj që kishin nisur të grumbulloheshin retë e zeza të stuhisë që kishte shpërthyer atë mëngjes. Gjithë atë muaj ajo kishte qenë e çuditshme: ishte sjellë shumë e zymtë; madje kishte treguar edhe një neveri të madhe ndaj tij.
Pa arsye, si zakonisht.
Në letrën që i kishte lënë në shtëpi, ajo shkruante se e kishte ndarë mendjen top ta prishte një herë e mirë me të dhe se do të bënte çmos që të futej përsëri si mësuese: dhe, në fund, i thoshte që ai të mos bënte marrëzira dhe të mos e kërkonte gjithë potere. I tregonte në ç’hotel do të flinte, por të mos shkonte ta kërkonte sepse do të qe e kotë.
Lori, i hutuar, u mendua gjatë me atë letër në dorë.
Kishte vuajtur shumë dhe padrejtësisht. Largimi i asaj gruaje ndoshta kishte për të qenë një farë lehtësimi, por edhe një dhimbje. Ai e donte. Pra, një lehtësim i çastit, pastaj një vuajtje e thellë dhe një boshllëk i madh për gjithë jetën. E dinte, e ndiente mirë se tani e tutje nuk do të mund ta deshte asnjë grua tjetër. Pastaj duhej menduar edhe skandali, të cilin nuk e meritonte: ai që ishte aq korrekt në gjithçka, i ndarë nga gruaja, i ekspozuar ndaj ligësisë së njerëzve që mund të mendonin kushedi se çfarë gabimesh mund të kishte bërë në një kohë kur, kishte Zotin shahit, ndër ata tre vjet kishte qenë aq shpirtgjerë dhe aq i duruar.
Ç’të bënte?
E ndau të mos bënte gjë atë mbrëmje. Nata mund t’i sillte atij ndonjë këshillë dhe asaj pendimin.
Të nesërmen nuk shkoi në zyrë dhe priti gjithë paraditen në shtëpi. Mbasdite po bëhej gati të dilte, edhe pse thellë në vetvete nuk kishte marrë ndonjë vendim, kur, nga Dhoma e Deputetëve, i erdhi një ftesë nga i përndershmi Marko Verona.
Ato ditë po përjetohej një krizë qeveritare dhe prej disa ditësh në Ministrinë e Arsimit përmendej me këmbëngulje emri i Veronës si nënsekretar shteti i mundshëm për arsimin. Kishte dhe nga ata që thonin se do të bëhej ministër.
Ndërmjet sa e sa mendimesh, Lorit i kishte shkuar ndër mend të shkonte te Marko Verona që të këshillohej me të. Kishte hequr dorë, duke menduar telashet e shumta që do të kishte ai ato ditë. Silvia me siguri nuk do të qe përmbajtur dhe, duke e ditur se ai do të vihej në krye të sistemit të arsimit, ndoshta kishte shkuar te ai për t’u futur në arsim.
Martino Lori u ngrys duke menduar se Marko Verona, duke shfrytëzuar autoritetin si eprori i tij i ardhshëm, do ta urdhëronte të mos ndërhynte nëpër zyra kundër dëshirës së të shoqes.
Por, përkundrazi, Marko Verona e priti në parlament me shumë përzemërsi.
I tha se nuk i vinte hiç mirë që ia kishin hedhur lakun në fyt, siç u shpreh ai. Ministër jo, jo, për fat! Zëvendësministër. Nuk do të kishte dashur ta pranonte as atë përgjegjësi më të vogël, po të kiheshin parasysh rrethanat e atij momenti politik. E kishte detyruar disiplina e partisë. Prandaj, të paktën në zyrë do të kishte dashur të kishte ndihmën e një njeriu të ndershëm në të gjitha drejtimet dhe shumë të zot, kështu që mendja i kishte shkuar menjëherë tek ai, te kavalieri Lori. Pranonte?
Dyllë i verdhë nga emocioni dhe me veshë të ndezur, Lori nuk diti si ta falenderonte për nderin që po i bënte, për besimin që po i tregonte; megjithatë, duke e falënderuar, seç kishte në sy një pyetje mbushur tërë ankth dhe vështrimi i tij linte të kuptohej haptas se në të vërtetë priste tjetër gjë. Me gjithë mend nuk dontë gjë tjetër prej tij i përndershmi Verona. Shkëlqesia e Tij?
Deputeti qeshi, duke u ngritur nga vendi dhe i mbështeti butas një dorë mbi sup. Ç’është e vërteta donte edhe një gjë tjetër: donte durim e falje për zonjën Silvia. Punë të rinjsh!
-Erdhi më takoi dhe m’i paraqiti qëllimet e saj “të prera”, -tha gjithë duke buzëqeshur. –I fola gjatë dhe…jo, jo, s’është aspak e nevojshme të shfajësoheni, kavalier. E di shumë mirë se gabimet janë të zonjës dhe e dini? Ia thashë troç. Madje e bëra të qante…Po, sepse i fola për të atin, për vuajtjet e mëdha që pati hequr i ati nga ai çrregullim i hidhur i familjes…dhe i fola edhe për shumë gjëra të tjera. Shkoni pa merak, kavalier. Zonjën do ta gjeni në shtëpi.
-Shkëlqesi, nuk di si t’ju falënderoj, -nisi të thoshte Lori i emocionuar, duke u përkulur.
Por Verona e dnërpreu menjëherë:
-Mos më falenderoni e , mbi të gjitha, mos më thërritni shkëlqesi.
Dhe, duke u ndarë prej tij, e siguroi se zonja Silvia, grua me karakter, do t’i mbante me siguri premtimet që i kishte bërë dhe jo vetëm që nuk do të përsëriteshin më skenat e papëlqyeshme, por ajo, me të gjitha mënyrat, do t’i provonte se ishte penduar për të gjitha hidhërimet e kota që i kishte shkaktuar deri atëherë.

                                                                         III

Dhe ashtu ndodhi.
Mbrëmja kur u pajtuan shënoi një datë të paharrueshme për Martino Lorin, të paharrueshme për shumë arsye, që ai i kuptoi apo më mirë i mori me mend aty për aty nga mënyra se si iu hodh ajo në qafë qysh në çastin kur u panë.
Sa shumë, sa shumë qau! Po sa shumë lumturi thithi ai në ato lot pendimi!
Martesën e tij të vërtetë ai e jetoi ato ditë; qysh ditën e parë ai pati ngjat bashkëshorten që kishte ëndërruar e edhe një ëndërr e tij e fshehtë dhe e zjarrtë u plotësua pa dyshim në çastet e para të atij bashkimi.
Kur Martino Lori u bind plotësisht për gjendjen e të shoqes dhe kur më vonë ajo i lindi një vajzë, duke vërë re se ajo lindje i dha asaj gruaje fuqinë për t’i treguar atij aq shumë mirënjohje e përkushtim dhe për të flijuar aq shumë për të bijën, ai arriti të kuptojë dhe të shpjegojë shumë gjëra. Ajo donte të ishte nënë.
Mbase nuk e kuptonte dhe nuk dinte ta shpjegonte as ajo vetë këtë nevojë të fshehtë të natyrës; prandaj kishte qenë aq e çuditshme më parë dhe jeta i ishte dukur aq boshe dhe aq e pakuptimtë. Donte të ishte nënë.
Lumturia e ëndrrës së kthyer në jetë erdhi e u turbullua në fund nga rrëzimi i papritur i qeverisë, në të cilën bënte pjesë i përndershmi Verona dhe-pak si në hije-edhe Martino Lori, sekretari i tij i posaçëm.
Nga ajo mësymje e dhunshme e opozitës së bashkuar për të rrëzuar qeverinë, gati-gati pa arsye, ndoshta Martino Lori u indinjua edhe më shumë nga vetë i përndershmi Verona. Ky i fundit, nga ana e tij, deklaroi se politika i kishte ardhur në majë të hundës dhe se kishte ndër mend të tërhiqej për t’iu kushtuar studimeve të ndërprera edhe më me dobi e kënaqësi se më parë.
Dhe, ç’është e vërteta, me zgjedhjet e reja ia doli t’i mposhtte trysnitë ngulmuese të zgjedhësve dhe nuk paraqiti kandidaturën.
E kishte bërë për vete një vepër të madhe shkencore e lënë përgjysmë nga profesori Bernard Ashensi. Nëse e bija, zonja Lori, do ta nderonte duke ia besuar atij, ai do të përpiqej t’i vijonte eksperimentet e mësuesit të tij dhe ta përfundonte atë vepër.
Silvias iu bë qejfi sa s’thuhet.
Gjatë atij viti bashkëpunimi të përzemërt e të devotshëm, qenë forcuar së tepërmi lidhjet e miqësisë ndërmjet të shoqit dhe Marko Veronës. Edhe pse ky i fundit ishte sjellë në mënyrë të atillë që tjetri të mos e ndiente peshën e postit dhe të dinjitetit të tij dhe tani e trajtonte me mjaft konfidencë dhe me shumë përzemërsi, derisa sa kishte arritur t’i drejtohej me “ti”, Lori, nga ana e tij, tregohej i druajtur dhe pakëz i përmbajtur, ngaqë në personin e mikut shikonte gjithnjë eprorin e vet. Veronës nuk i vinte mirë dhe shpesh e vinte në lojë. Ç’është e vërteta, Lori qeshte me talljet e tij, por thellë-thellë i vinte keq, sepse në shpirtin e shokut vërente një hidhërim që shtohej nga dita në ditë.
Mendonte se shkak për këtë do të qe bërë tërheqja e tij e mbushur me përbuzje nga jeta politike, nga betejat parlamentare; dhe i fliste shoqes dhe e këshillonte ta shfrytëzonte ndikimin që dukej se kishte ajo mbi të për ta nxitur, për ta shtyrë që të kridhej përsëri në jetë.
-Qysh jo! Do të më mbaka vesh mua!-i përgjigjej Silvia.-Jo, jo, ai s’kthen më, ti e di. Pastaj mua s’më duket si thua ti. Punon me aq ngulm, me aq afsh…
Martino Lori shtrëngonte supet.
-Mbase është ashtu!
Veç i dukej se Verona e gjente atë qetësinë e hershme vetëm kur luante me Xhinetën e tyre të vogël që po rritej me shpejtësi, e shëndetshme dhe e shkathët.
Verona tregonte aq shumë dhimbsuri për atë fëmijë, sa Lori prekej dhe i rrëmbusheshin sytë, i thoshte t’i hapte mirë sytë se një ditë kishte për t’ia rrëmbyer. E kishte me gjithë mend: nuk tallej.
Dhe Xhinetës nuk i duhej thënë dy herë kjo gjë: do ta linte me babanë dhe mamanë, apo jo? Edhe mamanë që të ikte me të…Xhineta thoshte po, vajzë e keqe! Për lojërat, ë? Për lojërat që ai i sillte me rast e pa rast. E ç’dhurata se! Të atilla që si Lori dhe e shoqja e ndienin veten ngushtë. Sidomos e shoqja nuk rrinte dot pa ia dëftuar Veronës se mbetej e fyer. Sedër e sëmurë? Jo. Ishin të shumta dhe tepër të shtrenjta ato dhurata dhe ajo s’e donte një gjë të tillë. Por Verona, i cili kënaqej kur vërente gëzimin që shfaqte Xhineta për ato lojëra, shkundte supet qejfprishur nga hatërmbetja dhe nga kundërshtimet e tyre, madje arrinte deri aty sa t’i qortonte me takt që të mos e zgjatnin dhe ta linin fëmijën t’i gëzonte.
Dalëngadalë Silvia filloi ta shprehte se po i vinin në majë të hundës ato mënyra sjelljeje të Veronës dhe të të shoqit, i cili, për t’u shfajësuar, vazhdonte po atë avaz, se kinse për shokun e tij kishte qenë një humbje e madhe tërheqja nga jeta politike, i përgjigjej se kjo nuk ishte një arsye që ai të vinte e të shfrynte dufin në shtëpinë e tyre.
Lori donte ta kundërshtonte të shoqen dhe t’i thoshte se, në fund të fundit, atë duf Verona e shfrynte duke bërë të lumtur vajzën e tyre, por heshtte për të mos e çartur mirëkuptimin që ishte vendosur midis tyre qysh ditën e parë të pajtimit.
Ajo, që në vitet e para Lori e kishte konsideruar një farë armiqësie, tani në sytë e tij qe shndërruar në mirësi dhe virtyt.
Tani e ndiente veten të mbushur plot e përplot me shpirtin e saj dhe të ndihmuar nga karakteri e nga energjia e të shoqes, për deri sa këto nuk drejtoheshin më kundër tij. Edhe jeta tani i dukej më e plotë, e mbështetur shumë mirë në një taban të sigurt me atë grua pranë, me atë grua të vetën, krejt të vetën, e tëra për shtëpinë dhe për të bijën.
Thellë në shpirt e çmonte gjë shumë të vyer miqësinë me Veronën dhe prandaj donte që në zemër të së shoqes të mos thellohej përshtypja se ai qe bërë i tepërt dhe i bezdisshëm, meqë tregonte gjithë atë dhimbsuri për Xhinetën; veç nga ana tjetër, po se ajo dhimbsuri aq e përmbajtur do t’ua turbullonte paqen e shtëpisë, atë harmoninë me të shoqen….Po si i bëhej që Verona ta kuptonte këtë në një kohë kur nuk donte të vinte re ftohtësinë me të cilën e trajtonte Silvia tani? Sa ma shumë rritej Xhineta, aq më tepër ajo tregonte një pasion tepër të zjarrtë për muzikën . Dhe përsëri Verona tregohej i gatshëm, dy apo tri herë në javë, ta çonte vajzën me karrocë nëpër koncerte të ndryshme; dhe shpeshëherë, gjatë stinës operistike, vinte e komplotonte me të dhe e nxiste që me ojnat e veta t’u mbushte mendjen babait dhe mamasë ta shoqëronin në teatër, në lozhën e pajtuar që më përpara për të.

Lori, i zënë ngushtë dhe në siklet, buzëqeshte; nuk dinte të thoshte jo, për të mos i prishur qejfin shokut së të së bijës. Por, dreqi e mori, Verona duhej ta kuptonte që ai nuk mund të pranonte një gjë të tillë edhe aq shpesh: shpenzime nuk kishte vetëm lozha dhe karroca: Silvia duhej të vishej domosdo mirë; nuk mund të bënte figurë të keqe. Ashtu ishte: ai tashmë ishte shef seksioni dhe një rrogë të hairit e kishte, por edhe pare për t’i prishurt kot nuk kishte.
Veçse Verona e donte aq shumë atë çupë sa nuk i vinte re aspak këto gjëra dhe as që i binte në sy sakrifica që duhej të bënte Silvia ndonjë mbrëmje, duke ndenjur në shtëpi me sebepin se nuk ndihej mirë.
Ku e gjen të kishte qëndruar gjithnjë në shtëpi! Një ga ato netë ajo u kthye nga teatri, duke u dridhur nga të ftohtit. Të nesërmen në mëngjes kishte kollë dhe i filloi një ethe e fortë. Në krye të pesë ditëve vdiq. 
                                                                   IV

Nga ajo vdekje aq e rrufeshme, në fillim, Lori mbeti më shumë i çoroditur se i hidhëruar.
Në mbrëmje, sikur ta vriste ajo çoroditje e mbushur me ankth, ajo dhimbje e mbytur që kishte rrezik ta budallallepste krejt, Verona e nxori jashtë dhomës së përmortme, e detyroi të shkonte pranë të bijës dhe e siguroi se do të rrinte ai aty dhe do ta përgjonte të vdekurën tërë natën.

Lori e la veten që ai ta nxirrte së andejmi. Por më mbrapa, vonë natën, shkoi përsëri në dhomën e përmortme dhe gjeti Marko Veronën, që kishte rrasur fytyrën në buzë të shtratit mbi, të cilin dergjej kufoma e ngrirë dhe e zverdhur.
Në atë fillim iu duk se Verona s’i kishte bërë dot ballë gjumit dhe, pa u kujtuar, kishte mbështetur kryet aty; pastaj, kur vërejti më mirë, vuri re se trupi i përshkundej herë mbas here prej ngashërimash të përmbajtura. Atëherë vaji, ai vaj që s’kishte mundur t’i shpërthente nga zemra e përmbyti edhe atë përnjëherësh, kur pa shokun që po qante në atë mënyrë. Por tjetri i doli menjëherë përpara me një të brofur, gjithë duke u dridhur dhe i çakërdisur në fytyrë; dhe meqë Lori po i ndente krahët për të përqafuar, e shtyu, e shtyu, me plot kuptimin e fjalës, me një egërsi të zymtë. Duhej ta ndiente veten mjaftë përgjegjës për atë fatkeqësi, sepse kishte qenë pikërisht ai që pesë netë më parë e kishte detyruar Silvian të shkonte në teatër dhe tani s’ia mbante më zemra ta shihte shokun të vuante deri në atë shkallë. Kështu e shpjegoi Lori atë gjest dhune, mendoi se dhimbja mund të veprojë në gjithfarëlloj mënyrash në shpirtin e njeriut: disa i shemb përdhe, disa të tjerë i tërbon.

Dhe as vizitat e nënpunësve vartës, që s’kishin të sosur dhe që e donin si baba, as fjalët inkurajuese të Veronës që i tregonte vajzën e përhumbur mes dhimbjes dhe të shqetësuar për të atin, nuk arrinin ta shkundnin nga ai farë asgjësimi ku kishte rënë, sikur misteri i egër dhe i zymtë i asaj vdekjeje të papritur ta kishte mbështjellë të tërin dhe t’ia kishte rralluar jetën rreth e rrotull.
Tashmë i dukeshin ndryshe të gjitha gjërat; zërat sikur i vinin nga larg dhe sikur një pjesë syresh, ata më të njohurit për të, ai i shokut, ai i së bijës, tani sikur kishin një tingull që s’e kishte vënë re kurrë më parë.
Dhe kështu, dalëngadalë, nga një gjendje hutimi sikur nisi t’i lindte njëlloj kureshtjeje e re për botën që e rrethonte, por që e linte të ftohtë, botë që më parë s’i qe dukur kurrë kështu dhe as që e kishte njohur të tillë.

A ishte vallë e mundur që Marko Verona të kishte qenë gjithnjë kështu siç po e shihte ai tani.? Edhe pamja e tij e jashtme, edhe hija e fytyrës së tij i ngjanin ndryshe. Po vetë e bija? Përnjëmend ishte rritur aq shumë? Apo mos fatkeqësia kishte zhvilluar krejt përnjëherësh një Xhinetë të re, shtatlartë, të dobët, pakëz të ftohtë, veçanërisht me të? Në përgjithësi i ngjiste së ëmës, por nuk e kishte atë nur që në vashëri ia përndizte dhe ia ndrinte bukurinë Silvias së tij. Prandaj Xhineta shpesh herë nuk ngjante as e bukur. Kishte po atë hijen e rëndë të së ëmës, por pa ato vërshimet e saj të çilta, pa vrullet e saj.

Tani Verona vinte më lirshëm e thuajse çdo ditë në shtëpinë e Lorit; shpeshherë rrinte edhe për drekë apo darkë. Më së fundi , e kishte përfunduar veprën e rëndësishme shkencore, të cilën e kishte ideuar dhe filluar Bernardo Ashensi dhe po bëhej gati ta dërgonte për t’u shtypur në një botim të zgjedhur. Shumë gazeta kishin botuar lajmet e para dhe për një pjesë të përfundimeve më të rëndësishme kishin zënë të diskutonin gjallërisht revistat më të mëdha, jo vetëm italiane , por edhe të huaja, duke lënë kështu të parashikohej nami i madh që do të fitonte ajo vepër brenda pak kohe.
Mbas botimit të veprës, merita e Veronës për vijimin e punës dhe për deduksionet e reja shumë të guximshme që kishte nxjerrë nga ideja fillestare u pranua nga të gjithë se nuk ishte më e pakët nga merita e vetë Ashensit. Këtij i doli nami, por shumë më tepër Veronës. Nga të katër anët i erdhën lëvdata dhe nderime. Ndërmjet të tjerash i erdhi edhe emërimi si senator. S’do të kishte dashur t’i mbërrinte menjhëherë mbas daljes nga bota parlamentare, por gjithsesi e priti me kënaqësi, sepse atë nderim nuk ia kishte sjellë politika.

Ato ditë Martino Lori, duke menduar sa gëzim do të kishte ndier Silvia e tij po ta kishte paq aq të nderuar emrin e të atit, i zgjati edhe më shumë vizitat që bënte te varri i të shoqes mbasi dilte nga Ministria. E kishte bërë zakon. Shkonte edhe në dimër, ndër ditë të këqija, që të përkujdesej për lulet pranë varrit, që të përtërinte fitilat e llambës dhe fliste me zë të ulët me të vdekurën.  
Varrezat , që i shite përditë, si dhe mendimet që i sugjeronin ato, ia zbehnin edhe më shumë fytyrën.

Si Verona, ashtu edhe e bija ishin përpjekur t’ia ftohnin këtë zakon; në fillim ai kishte mohuar, ashtu si ai fëmija kur zihet në faj; pastaj, kur u detyrua ta pranonte, ngrinte supet duke buzëqeshur zbehtas.
-S’më bën keq…Përkundrazi, gjej ngushëllim, -u ishte përgjigjur. –Lërmëni të shkoj.
Sepse edhe po të kthehej mbas zyrës drejt e në shtëpi, kë do të gjente? Verona vinte përditë dhe e merrte Xhinetën për të dalë. Jo se ai ankohej, përkundrazi, i ishte mirënjohës shokut që ia zbaviste të bijën. Ajo farë ashpërsie, që kishte dalluar disa herë në sjelljen e shokut dhe ndonjë të metë tjetër të lehtë të karakterit të tij, s’kishin mundur t’ia trandnin adhurimin dhe aq më pak mirënjohjen dhe përkushtimin për atë njeri, të cilit as talenti i madh, as fama dhe nderimi që kishte njohur, as edhe fati s’e pengonin t’i falte një miqësi kaq të ngushtë, edhe më shumë se vëllazërore: një njeriu fatkeq si ai, që nuk dinte se kishte tjetër cilësi për ta merituar përveç zemrës së tij të mirë.

Tani ai vërente gjithë kënaqësi se s’kishte gabuar kur i thoshte të shoqes se dhimbsuria e Veronës kishte për të qenë një fat i madh për Xhinetën e tyre. Provën më të plotë e pati kur ajo mbushi tetëmbëdhjetë vjeç. Oh sa do të kishte dashur që Silvia e tij të ishte aty atë mbrëmje!

Marko Verona, që kishte ardhur qëllimisht pa asnjë dhuratë nëpër duar për Xhinetën, sapo ajo ra të flinte, e mori Lorin veç dhe, fort i prekur, i tha se një mik i tij, moshatar me të, markezi Flavio Gualdi, nëpërmjet tij, i kërkonte dorën e së bijës.
Martino Lori aty për aty mbeti i nemitur. Markezi Gualdi?
Një aristokrat…fort i pasur…dorën e Xhinetës? Duke shkuar me Veronën nëpër koncerte, nëpër konferenca, në shëtitje, kuptohet se Xhineta kishte mundur të futej në një botë së cilës nuk do t’i qe afruar për shkak të origjinës dhe për kushtet shoqërore të familjes së saj; dhe kishte ngjallur edhe ndonjë simpati, por ai…
-Ti e di, -i tha shokut, thuajse i hutuar dhe i mpirë nga gëzimi, -ti e di gjendjen time…nuk do të doja që markezi Gualdi…

Verona e ndërpreu:
-Gualdi e di…e di atë që duhet të dijë…
-E kuptoj. Por meqë ndryshimi ëshë aq i madh, nuk do të doja që…sado ta ketë me dëshirë, të mos arrijë të marrë me mend shumë gjëra…
Verona e ndërpreu përsëri i bezdisur dhe i acaruar:
-Nuk doja të ta thoja, por meqë ti, më fal, tani po flet në hava, që të qetësohesh do të të them se, duke qenë miku yt unë për shumë vjet…
-E di, e di…

-Mund të them se Xhineta është rritur më shumë me mua se me ty…
-Po…po…
-E ç’më qan tani? Mos mendon se i jam futur kësaj martese ashtu në tym? Tani mjaft! Unë po shkoj. Xhinetës foli ti nesër në mëngjes. Ke për ta parë se s’ke për ta pasur të vështirë.
-Ajo e pret një gjë të tillë? –pyeti Lori, duke buzëqeshur përmes lotëve.
-S’e vure re që s’u çudit aspak kur më pa që sonte erdha duarbosh?
Dhe, duke thënë këto fjalë, Marko Verona qeshi me të madhe, ashtu si Lori s’e kishte dëgjuar të qeshte që prej shumë vjetësh.

                                                                V                     

Në fillim një përshtypje e përgjithshme, e akullt. Por Lori nuk i kushtoi rëndësi, sepse ashtu sikundër kishte shpjeguar kushedi sa gjëra të tjera në jetë, i shtyrë nga mirësia e pahile, edhe atë gjë e kishte pranuar si një rrjedhojë të natyrshme të pabarazisë shoqërore si dhe të karakterit, të edukatës dhe të figurës së vetë dhëndrit.
Markezi Gualdi tashmë nuk ishte edhe aq i ri: ishte ende flokëverdhë, me një të verdhë të ndezur, por flokët kishin nisur t’i binin; fytyrën e kishte të kuqërremtë, si një statujëzë fort e hajthme porcelani të smaltuar; fliste ngadalë, me një theks më shumë francez se piemontez, pa u ngutur, duke e veshur zërin me një mirësi të qetë, gjë që veç binte çuditërisht në kundërshtim me vështrimin e ngrirë të syve të kaltër, si të qelqtë.
Lori kishte pasur përshtypjen se ata sy, në mos nuk e përzinin, të paktën e largonin; madje i qe dukur se kishte vënë re në ta një vështrim lehtësisht tallës ndajsjelljes së tij të pa të keq në fillim dhe më vonë me njëfarë dyshimi.
Po edhe sjelljen krejt të ndryshme të Gualdit ndaj Veronës dhe ndaj Xhinetës ai do të mund ta shpjegonte; megjithatë kishte përshtypjen se të fejuarën Gualdi e kishte ngaj shoku i tij dhe jo nga ai që ishte i ati. E vërteta ishte kjo, por Verona…
Ja: Martino Lori nuk arrinte ta shpjegonte dot punën e Veronës…

Tani që kishte mbetur vetëm në shtëpi dhe nuk shkonte më në zyrë për t’i bërë qejfin dhëndrit, meqë kishte dalë në pension Marko Verona a nuk duhej ta rrethonte edhe më tepër me miqësinë e tij vëllazërore me të cilën e kishte nderuar gjatë gjithë atyre viteve?
Verona shkonte çdo ditë për ta takuar Xhinetën në vilën e Gualdit, ndërsa te shoku nuk kishte shkuar më, as edhe ashtu kot, qysh ditën që i qe martuar e bija. Mos ishte lodhur duke e parë ashtu të ndryrë ende në zinë e vjetër dhe, meqë ishte plakur edhe vetë,  preferonte të shkonte aty ku kënaqej, aty ku Xhineta për shkak të tij, dukej e lumtur?
Mund të ishte edhe ashtu. Po atëherë pse kur shkonte të shihte të bijën dhe e gjente në tryezë, me atë dhe me dhëndrin, Verona, që dukej si njëri i shtëpisë, e priste ftohë, me njëfarë mllefi? Mos vallë këtë përshtypje ftohtësie ia krijonte ambienti, ajo dhomë e madhe buke që farfurinte nga pasqyrat dhe që ishte e mobiluar me salltanet? Nuk duhej të ishte kështu. Verona jo vetëm i qe larguar, por kishte ndryshuar edhe sjelljen: sa mezi i shtrëngonte dorën, sa mezi shikonte nga ai dhe vijonte bisedën me Gualdin , sikur të mos kishte hyrë njeri në dhomë.

Sa s’e linin më këmbë para tryezës. Vetëm Xhineta, kohë mbas kohe , i drejtonte ndonjë fjalë, por ashtu e ftohtë, që të mos thuhej se askush nuk i kushtonte vëmendje.
Martino Lori largohej me zemër të ndrydhur nga një ankth i pashpjeguar, i hutuar dhe zemërvrarë.

Asnjë llojrespekti nuk duhej të tregonte dhëndri për të?
Asnjë lloj vëmendjeje? Të gjitha festimet dhe ftesat duhej t’i takonin Veronës, meqë ishte i pasur dhe i famshëm? Por, nëse punët do të vijonin kështu, në qoftë se që të tre do të vijonin ta pritnin çdo natë në atë mënyrë , si të qe një i huaj, një njeri i tepërt, ai nuk kishte për të shkuar më aty; jo , për Zotin: nuk do të shkonte më! Dhe, pastaj, ta shihnin ata të tre!
Kaluan dy ditë; kaluan katër e pesë; kaloi një javë e tërë dhe as Verona, as dhëndri dhe as Xhineta, askush, as edhe një shërbëtor, s’u duk të pyeste për të, se mos ishte gjë sëmurë…

Me sytë që nuk shihnin më, duke u endur nëpër dhomë, Lori fërkonte vazhdimisht ballin me gishtat e paqetë, sikur të donte ta zgjonte mendjen nga ato dremitje plot ankth ku qe zhytur . E, meqë s’dinte ç’të mendonte më, kthehej në të kaluarën me shpirt të trazuar…
Përnjëherësh, pa e ditur pse, mendja iu ngul në një kujtim të largët, në kujtimin më të trishtuar të jetës së tij. Atë natë të kobtë digjeshin katër qirinj dhe Marko Verona, me fytyrë të rrasur në buzët e shtratit mbi të cilin po dergjej Silvia e vdekur, ishte duke qarë.
Dhe vetëtimthi, sikur në shpirtin e tij të murrtë, ata qirinj të përmortshëm të kishin shkëndijuar dhe të kishin ndezur një flakërimë të mnerrshme për të ndriçuar fund e krye gjithë jetën e tij, qysh ditën e parë që Silvia i kishte dalë përpara e shoqëruar nga Marko Verona, ai u kujtua…

Iu prenë këmbët dhe iu duke se i erdhi rrotull gjithë dhoma.
Fshehu fytyrën mes duarve dhe, i mbledhur grusht, thirri:
-Është e mundur? Është e mundur?
Ngriti sytë nga portreti i së shoqes, në fillim i hutuar nga ajo që i vlonte në shpirt, pastaj ia nguli vështrimin atij portreti duke shtrënguar grushtet dhe duke ngërdheshur fytyrën me një shprehje urrejtjeje, neveri e tmerri:
-Ti? Ti?

Më shumë nga të gjithë e kishte mashtruar ajo. Ndoshta prandaj pendimi i saj , më mbrapa, kishte qenë i sinqertë. Verona jo…Verona jo! ….I vinte në shtëpi sikur të ishte i zoti i saj dhe, pse jo? Ndoshta mendonte se Lori e dinte meselenë dhe hiqej sikur s’kujtohej për gjësendi për të përfituar poshtërsisht…
Me t’i shkuar ndërmend ky mendim i urryer, Martino Lori ndjeu t’i ngrinin gishtat dhe sikur iu çanë brinjët . Brofi më këmbë por iu morën mendtë. Mëria dhe dhimbja iu shkrinë në një vaj të papërmbajtur plot ngashërima.
Më në fund u përmend, krejt i këputur dhe fare bosh përbrenda.
I qenë dashur më shumë se njëzet vjet që ta kuptonte të vërtetën. Dhe s’do ta kishte kuptuar në qoftë se ata nuk do t’ia kishin shpalosur para syve me ftohtësinë dhe me mospërfilljen e tyre të përçmuar. Zëre se ia kishin thënë troç.

Ç’mund të bënte tani mbas njëzet vjetësh ? Tani që kishte marrë fund gjithçka…prej aq kohe…në heshtje…pa bujë, ashtu si bëjnë njerëzit për të qenë, që dinte t’i ujdisin punët? A s’i kishin dhënë të kuptonte gjithë mirësjellje se tashmë nuk i mbetej të luante kurrëfarë lloj roli? Kishte mjaft: tani s’ia kishte nevojën kush, sepse ata, që të tre, ishin marrë vesh për bukuri ndërmjet tyre…Nga të gjthë, mbase më pak e ligë dhe më pak e pabesë kishte qenë ajo që ishte penduar menjëherë mbas gabimit dhe kishte vdekur…
Dhe Martino Lori atë natë, duke vijuar një shprehi të vjetër, u gjend përsëri në rrugën që të çonte ndër varre. Ndali, i ngrysur e mëdyshas nëse duhej të bënte përpara apo të kthehej mbrapsht.

I shkoi mendja te lulet rrëze varrit, për të cilat përkujdesej gjithë dhimbsuri prej disa vjetësh. Mbas pak edhe ai do të shkonte për të pushuar…Aty poshtë pranë saj? Jo, jo: tashmë jo…
E, pra, kishte qarë ajo grua atëherë kur qe kthyer te ai e me sa dhimbsuri e kishte rrethuar më vonë…Po, po: kishte qenë penduar..Atë po, vetëm atë, ai ndoshta mund ta falte.
Dhe Martino Lori mori përsipër rrugën për në varreza. Atë natë kishte për t’i thënë diçka të vdekurës.

*Shkëputur nga libri i Luigi Pirandello: “Tregime e novela”

*Titulli i origjinalit: “Gjithçka për të mirë”

Përktheu: Amik Kasoruho

Përgatiti: ObserverKult