E kujtojmë Liliana Çavollin/ Dëgjoni 5 këngë të paharruara të saj (Video)

Liliana Çavolli u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942. Ishte fëmijë kur familja e saj u shpërngul në Shkup aty ku qëndroi disa vjet. Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e saj ishte këngëtare dhe në gjurmet e saj eci dhe Liliana ku filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare.

Njëkohësisht ndoqi mësimet në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që ajo të shquhet shpejt si emër premtues. Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Çavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin cilësitë kryesore të saj që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve ajo ishe shumë mirënjohëse.


Në Radio Prishtinë ajo këndonte vet dhe këndonte bukur por njëkohësisht ka dhënë një ndihmesë që edhe këngët tjera, që transmetoheshin, të kishin nivelin e duhur artistik. Ishte redaktore e muzikës dhe udhëheqëse e emisioneve të paharrueshme si “Unë ti muzika dhe poezia”, “Evergeen” etj.

Çavolli ua mori zemrat dëgjuesve me këngët e saja, si “Kjo dashnia kjoft mallkue”, “Kam një mall e kam një zjarr”, “Lamtumirë “, “O lum e lum”, “Kur del hana” e shumë të tjera.

Pas një sëmundjeje të rëndë, ajo u nda nga jeta më 9 maj të vitit 2015 në moshë 73-vjeçare.

Në vazhdim ua sjellim pesë të këngë të paharruara të Liliana Çavollit:

E përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

E KUJTOJMË HAFSA ZYBERIN/ DËGJONI 5 KËNGË TË PAHARRUARA TË SAJ (VIDEO)