E kundërta e Dashurisë nuk është Urrejtja. Është Shpërfillja…

elona caslli
Elona Caslli

E kundërta e Dashurisë nuk është Urrejtja.
Është Shpërfillja.
E kundërta e Arsimimit nuk është Padija.
Është Shpërfillja.
E kundërta e Artit nuk është Shëmtia.
Është Shpërfillja.
E kundërta e Drejtësisë nuk është Padrejtësia.
Është Shpërfillja.
E kundërta e Paqes nuk është Lufta.
Është Shpërfillja e Luftës.
E kundërta e Jetës nuk është Vdekja.
Është Shpërfillja e Jetës ose e Vdekjes.

Nga Elona Caslli


E nisa këtë shkrim, qëllimisht me këtë mendim nga Elie Wiesel, pasi besoj fort se shpërfillja është tragjedia e kohës sonë.

Ne jetojmë duke e shpërfillur njëri- tjetrin.
Të shpërfillësh dikë, është njësoj sikur ta fshish nga defteri i të gjallëve.

Shpërfillja e së drejtës, është autorja e të gjitha ngjarjeve të shëmtuara, që dëgjojmë.

Ekziston një zinxhir ushqimor, sikundër ekziston edhe një zinxhir njerëzor.
Ne të gjithë jemi hallkat e një zinxhiri të madh njerëzor.

Çdo njeri përbën një hallkë të këtij zinxhiri, në të përditshmen e tij.

Nuk mund të ekzistojë veçse një kufomë dhe një vrasës.
Ekzistojnë shumë vrasës pasiv dhe një vrasës aktiv dhe një kufomë.

Vrasësit pasiv, janë hallkat e zinxhirit njerëzor, që nuk funksionojnë siç duhet.

Një individ para se të tjetërsohet në kufomë nga një individ tjetër, ka trokitur diku.
Ka trokitur në dyert e shoqërisë, ka trokitur në dyert e policisë, ka trokitur në dyert e gjykatës.

Ka një bashkësi trokitjesh në historinë e çdo kufome.
Këto trokitje, nuk janë vlerësuar siç duhet nga hallkat përkatëse të zinxhirit njerëzor, ose janë shpërfillur nga këto të fundit.

Në rast të kundërt, individi nuk do të shndërrohej në kufomë, pasi hallkat e zinxhirit,i zotërojnë të gjitha mjetet, për të parandaluar fatin e tij tragjik.

Pas çdo kufome, ka një revoltë të shpërfillur kurdo dhe kudo!

Vrasësi aktiv, ai që shkel këmbëzën është vetëm një. Vrasësit pasiv, janë të gjitha hallkat e kalbura të zinxhirit, që i krijojnë mjedisin e përshtatshëm një individi të shndërrojë në kufomë një individ tjetër.

Post ScriptumDhe sikundër do të shprehej Dostojevski….

Ne i vrasim të gjithë në jetë, miku im:
Dikë e vrasim me plumba, dikë me fjalë, një tjetër me vepra dhe dikë tjetër e vrasim duke mos bërë asgjë, me gjërat që duhet të kishim bërë!”
/

ObserverKult

Kliko edhe: