E mahnitshme: “Ringjallet” Skënderbeu nga duart e skulptorit Gëzim Muriqi (FOTO)

skënderbeu... e bukur

Skënderbeu- shtatore nga Gëzim Muriqi

Gazetari Albert Vataj ka postuar në Facebook fotografi ku shihet skulptura e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut realizuar nga skultori i mirënjohur Gëzim Muriqi.

Vataj e ka cilësuar këtë vepër arti si një “ringjallje” të Skënderbeut.

Nga Albert Vataj

Kjo punë thjeshtë është madhështore në krejt madhështinë e mëkimit artistik. “Ringjallja” përmes krijimit është vetë vullneti i hyjnisë së shpirtit dhe ndjenjës kombëtare shqiptare, që përmes artistit vjen e shpërfaqet si një thirrje që e dëgjojmë edhe sot.

Padyshim që nga skulptori i njohur Gëzim Muriqi kemi të bëjmë me një shtatore ndryshe të Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu. Spikat një kurajë besimi për të sjellë të pavdekshmin, të gjallë mes të gjallëve, në erën e modernitetit. Ajo është e përmasave epike, sepse e tillë është vepra e Skënderbeut në histori, i tillë ka mbetur në kujtesën gjeneratave.

Të gjithë komponentët që përbëjnë ansamblin e këtij krijim janë të kuruar mjeshtërisht. Që nga karakteristikat fizike, ashpërsia e komunikimit, shprehja e tipareve të fytyrës, drejtqëndrimi, armatura, veshja dhe gjithçka tjetër në këtë idealizim kompozimi është unike.

Kjo shtatore nuk ka asnjë ngjashmëri me realizimet e mëhershme, të cilat gjithashtu e kanë sjellë Heroin Tonë Kombëtar siç fuqia krijuese që kërkon ta ballafaqojë aktin krijues me ëndjen tonë përfytyruese, me madhështinë që Skënderbeu ka zënë vend në vetëdijen tonë.

Ka udhëtuar gjatë kjo legjendë, duke shigjetuar tejpërtej pesë shekuj, për të mbërritur te krijimi. Nga zërat që u harruan, librat dhe rrëfenjat që e endën me fije drite këtë shenjtor, partiturat e kanavacat që e lartësuan në përjetësi, prej gjithë përfytyrimeve dhe idealizimeve rrokaqiellur, ka ardhur ky Skënderbe në të sotmen tonë. Ka dalë nga shpirti i artistit për t’u ngjitur në apogjeun e kryeveprës së artit. Ne sot jemi të shastisur dhe magjepsur njiherash.

Skënderbeu i Gëzim Muriqit vjen përmes “ringjalljes”, i shtrënguar për betejë. Përballë tij është historia që kërkon të rishkruhet, është shqiptaria që kushtron në një besë me i lidh.

ObserverKult


ISMAIL KADARE: PORTRETI I SKËNDERBEUT

Portreti i Skënderbeut, poezi nga Ismail Kadare

Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.

Dy brirë dhie kish mbi krye
Emblemë e vjetër e çuditëshme
Sikur ta dinte që mes brirëve
Dy perandorë do të godiste.

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte ditën Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.

Pas vdekjes eshtrat iu ndanë
Në mijëra varre ata u shtrinë
Gjithçka të shumtë ai e pati
Të vetme kish veç Shqipërinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

SI E HODHËN NË ERË KOMUNISTËT KISHËN E SKËNDERBEUT E DONIKËS…