Mbi vëllimin me proza poetike “Humb humbellash”
Nga Rei Hodo
Përzgjedhja e veprave që justifikojnë procesin e botimit dhe afrimit me publikun që arrin të kuptojë madhështinë e letërsisë nuk i takon vetëm autorit (duke nënkuptuar këtu cilësinë e të shkruarit) por edhe shtëpisë botuese duke marrë kështu meritat e ndërlidhjes mes autorit dhe lexuesit.
Ndër botimet e fundit të Shtëpisë Botuese “Jozef”, nga shkrimtari, poeti e shqipëruesi Enton Bido erdhi një trastë me proza poetike, një gjini jo fort e rrahur nga autorë shqiptarë por që qëndron bindshëm me poezisë dhe prozës. Duhet pasur parasysh se proza poetike e pa hovin e saj të zhvillimit në epokën e para romantizmit karakteristikë bazë e së cilës është hibridizimi i dy zhanreve të mësipërm. Proza poetike, ndër të tjera, konsiston në një strukturë të sofistikuar fonike e gjithashtu klasifikohet si identifikuese e saj veçoria figurative.
Fenomenet që parashtrohen nëpërmjet komunikimit me veprën ose veprat letrare shpesh trashëgojnë edhe mesazhin apo qëllimin përfundimtar të vetë veprës. Në poezi, ndoshta gjinia më e kulluar, më shenjtore artistiko-letrare, shpjegimi i sa më sipër, pra fenomeve (që në shumicën e rasteve parashtrojnë momente të përditshmërisë), i fshihet me teprì subjektivitetit të shtuar dhe thellësisë ndjesore që personifikon poezia.
Autori e afron lexuesin me një format tjetër krijimi e rrjedhimisht duke e vendosur subkoshiencën e tij në korniza që nisin nga honi mitologjik e qasen tej kulmit hyjnor. Një përzierje që gatuhet në mendjen e autorit duke e krijuar terrenin e atillë që (e shprehur në mënyrë të përgjithësuar) përgjigja përfundimtare të mbetet e ngjizet në mendjen e lexuesit.
Sa më sipër, gjininë poetike e kurorëzuam si të kulluar e shenjtore (aq sa edhe vetë Poradeci, poetin e konsideronte mbi gjithçka). Ka momente në vepër ku autori, përpos dëshirës për të zgjidhur problemin e fabulës/fabulave mundohet të parashtrojë një të mundshme, atë që logjika e konsideron më të arrirën. Thënë ndryshe, mundohet që zgjidhja të gjendet tek e kulluara, tek zoti (p.sh. “Oaz dhe…”, “Dritat e albatrosit”, “Pushtimi nga…” etj.).
Së dyti, gjej të kritikueshëm faktin se edhe pse (gjatë gjithë veprës) autori syresh tenton drejt optimizmit, ky i fundit përkundet nëpër ngurtësime deri diku edhe të justifikuara. Këtë autori ia atribuon proceseve apo fenomeneve që hasen në përditshmëri të çdonjerit prej nesh.
Së treti, erosi shpesh paraqitet si ndërvarësi e femrës nga njëra anë dhe detit nga ana tjetër. Edhe pse, në një formë apo një tjetër, femërorja është prezente në gjithë krijimet, marrëdhënia që ajo krijon me detin e koncepton erosin në një dimension të ri. Si shembull, (disi edhe kontroversial) vjen krijimi “Një qenie që pret një anije”. Përmbysja e ngjarjes në këtë rast e shndërron mitologjiken në ndoshta moderne. Paramendoni një Penelopë duke u endur ajo në kërkim të Odiseut. Të tilla përplasje fabulash rikonceptojnë mendjet dhe kohët e reja letrare.
Së katërti, edhe krijimi “Shfaqje në hon” përpiqet të ngrihet mbi po të njëjtën përmbysje zhvillimore. Mendoni rrathët hyjnorë të Komedisë dhe vendosini personazhet tanë në një zbritje imagjinare në “fushë-betejë”.
Autori përpiqet të saktësojë kornizën brenda së cilës marrin udhë të gjitha ngjarjet gjë që edhe mund të maskohet ose zëvëndësohet me të papërcaktuarën duke i dhënë krijimtarisë një tis fshehtësie, të pranuar nga të gjithë.
Në përfundim, thuhet me bindje se “poema e shndërron botën në poezi, rrëfimi poetik në prozë sugjeron një botë poetike (…)”, (Tadié, 1978, 195).
ObserverKult