“E pashmangshme”, ekspozita më e re nga artisti Robert Aliaj Dragot

“E pashmangshme” titullohet ekspozita më e fundit që pritet të hapet në mjediset e COD pranë Kryeministrisë në Tiranë. Artisti Robert Aliaj Dragot, kuratori i ekspozitës dhe drejtoresha e COD, Eridana Çamo prezantuan për publikun detaje të ekspozitës, me ftesën për ta vizituar atë.

“Kjo ekspozitë pason një emër tjetër të madh si Sali Shijaku. Materialet për artistin vijnë në përballje me veten, por edhe me publikun. Këtë sjell artisti në COD. Ekspozita vjen në një nga hapësirat më të rëndësishme politikëbërëse në vend. Për fat kjo ekspozitë vjen në momentin kur masat e Covid-19 janë lehtësuar, çka i shërben publikut”, theksoi drejtoresha e COD, Eridana Çamo.

Kuratori i kësaj ekspozite është artisti tjetër Klod Dedja i cili theksoi se ndihet i emocionuar të jetë në hollin e Kryeministrisë me artistin Dragot, i cili, siç u shpreh ai, “lëviz si një lloj virusi brenda vetes”.

“Kjo vjen si përkthim i xhesteve dhe formës së tij artistike. Edhe televizionin ai e ka përdorur si një urë lidhëse me publikun. Para pak kohësh, ne biseduam së bashku dhe artisti më kërkoi që të isha kurator i kësaj ekspozite. Shqipëria është në një fazë zhvillimi dhe ndryshimi të vazhdueshëm ndaj edhe pranova të marr përsipër këtë aktivitet. Nesër fillon me një performancë e cila është e lidhur me elementin kryesor që është muri. Muri është simbol që Europa e njeh shumë mirë dhe është pjesë e historisë së saj”, theksoi kuratori.

“Dua të përgëzoj artistin për këtë zhanër të rrallë për publikun shqiptar por që është vërtetë shumë komunikues. Performanca është shumë e drejtpërdrejtë dhe publikut i shërben shumë ky art i vërtetë. U bënë disa muaj që artisti punon dhe është lodhur vërtet shumë për të arritur deri në këtë finale”, vijoi Dedja.

Vetë artisti falënderoi qendrën COD për ftesën.

“Kjo është një përplasje me veten time, sepse vendi dhe ndërgjegjja jonë ka shumë probleme të mëdha. Në eksperiencën time personale e kam parë veten shpeshherë duke u përballur me mure si shoqërore, por edhe institucionale. Ne shqiptarët kemi arritur t’i përballojmë këto mure të cilat i kemi ngritur po vetë. Këto mure kemi harruar që duhen shembur dhe të përballemi me anën tonë të errët. Muri është i mbushur me simbole dhe shumë universal. Pikëpyetja është se përse duhet të ndërtojmë mure që më pas ato duhet t’i prishim dhe t’i zhbëjmë që më pas të jemi të lirë që të komunikojmë”, u shpreh vetë artisti Robert Aliaj Dragot./ATSH

LEXO EDHE: Podujeva do të bëhet me galeri të artit