Kur midis grash kalon e bën kuvend,
unë vij aty e syt’ me dritë i mbush;
në bukuri ty s’ta kalon askush
që dashurin’ më rrit e që më çmend.
Bekuar qoft’ dhe çasti, dhe ai vend
ku atë dritë panë syt’ e mi
e them: Lavdi më ty, o Perëndi!
që ajo ish e denjë për hirin tënd.
Prej teje lind mendim’ i dashurisë
që ti kur ec, pas vetes sate mbledh,
pasione njerëzish, pa gjë të keq i zvjerdh.
Prej teje ky shpirt’ i bukurisë,
prej qiellit vjen, së mirë i hap shteg,
për çdo njeri si unë që shpresa pret.
Përktheu: Dhori Qiriazi