“E të tjera, e të tjera”, botohet e plotë poema satirike që Teodor Keko shkroi në ’97-ën, flet bashkëshortja e tij

Botohet e plotë dhe me pjesën e dytë, poema satirike e Teodor Kekos e shkruar në 1997-ën, “E të tjera, e të tjera”. Shkrimtar e politikan, 20 vjet pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja e tij Xhuli thotë se kërkon të sjellë për publikun, një kolanë me vepra të zgjedhura si dhe publicistikën e plotë.

Në oborrin e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, ku u mblodh krijimtaria e Teodor Kekos, Xhuli nënshkruan në vend të tij… Shkrimtari mungon prej 20 vitesh, por sapo është botuar e plotë, poema e tij satirike “E të tjera, e të tjera” me parathënie nga Dritëro Agolli. 

“Është hera e parë që poema po botohet në formën e saj integrale, sepse për herë të parë Dori ka botuar pjesën e parë të poemës në vitin 1997. Pjesën e dytë e la të hapur sepse kishte shumë dëshirë që të gjithë miqtë e tij të kontribuonin”, thotë Xhuli Keko, bashkëshortja e tij.

25 vite pas, poema, bashkë me pjesën e dytë të pabotuar, që Keko shkroi në vjeshtën e vitit 1997, shkon e plotë tek publiku, edhe për të dhënë perceptimin e shkrimtarit për atë ç’ka po ndodhte në këtë vit të kobshëm.

“Poema ka marrë spunto nga poezia ‘Diskotekë Albania ‘94”, që është botuar në librin “Unë të kam dashur, por…” Të gjithë miqtë e pëlqyen, ishte koha që ne po gëzonim fajdet. Shqiptarët po gëzoheshin me mashtrimin e fajdeve dhe Dori që në atë moment e parashikoi se çdo të ndodhte”, thotë më tej.

Përmes këtij botimi vjen edhe një pjesë e jetës së Kekos si deputet, ku në radhët e parlamentit, jetësonte momente e portrete në grafika.

“E bukura e këtij botimi është që ne po kujtojmë një pjesëz. Një copë të historisë sonë”, tha ministrja, Elva Margariti, transmeton ‘shqiptarja.com’.

Publicistika e Dorit, siç rrëfen bashkëshortja pritet të botohet e plotë, ndërkaq mbetet ende nga shkëmbimet e tyre të letrave për t’u zbuluar.

“Të tjera dorëshkrime nuk ka. Unë bashkë me Ilirin, vëllain e Dorit, kemi grumbulluar të gjithë publicistikën e Dorit dhe po mendojmë që ta botojmë. Është libri që unë po shkruaj me letra që ia dërgoj Dorit dhe kam disa letra që m’i ka dërguar Dori dhe si kam publikuar asnjëherë. Dhe kolana me vepra të përzgjedhura është projekti im final”.

Pas përkthimit në Holandë e Amerikë, Dori pritet t’i shkojë edhe lexuesit francez përmes librit “Lajmëtarja e vdekjeve”.  

Andi Bejtja: Pse të gjithë duan të jenë "shoku i ngushtë i Dorit"!

Lexo edhe:

KUJTOHET TEODOR KEKO: SHUMË E KANË DASHUR PA E NJOHUR…

ObserverKult