E trishtë: Aktori i njohur ndërron jetë gjatë xhirimeve të filmit më të ri

Aktori i njohur i filmave, Jay Pickett, është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare. Lajmi është konfirmuar edhe nga bashkëshortja e tij, Elena Pickett.

I trishtueshëm është fakti se aktori ishte duke xhiruar një skenë për filmin e ardhshëm “Treasure Valley” në momentin që ndërroi jetën. Regjisori i filmit, Travis Mills, ka treguar se Jay Pickket ishte në Idaho duke xhiruar.

“Jay Pickett, aktori ynë kryesor, shkrimtari, producenti dhe krijuesi i këtij filmi ka ndërruar jetë papritur teksa ishim në vend duke u përgatitur për një skenë filmi. Zemrat tona janë të thyera dhe jemi të pikëlluar për familjen e tij, që janë të shkatërruar nga kjo tragjedi shokuese.

Ai ishte duke bërë atë që donte më shumë duke aktruar, kalëruar dhe bërë filma. Dhe ai ishte i jashtëzakonshëm”, ka shkruar regjisori në një postim në facebook në faqen zyrtare të filmit, transmeton ‘tirananews.al’.

Ndërkohë që ende nuk ka një përfundim zyrtar, dyshohet se shkak i vdekjes së aktorit mund të jetë bërë një atak kardiak. Regjisori ka treguar se të gjithë ata që ishin të pranishëm në ato momente bënë gjithçka që ta mbanin gjallë aktorin e ndjerë.

Jay Pickett ka qenë shumë i njohur për rolet e tij në “General hospital”, “Days of our lives” dhe “Port Charles”.

LEXO EDHE: Vdiq komediani i njohur, Jackie Mason