E vërteta është se ne jemi bërë frikacakë, po ikim nga dashuria…

Nga Simone Regazzoni

A jemi ende të aftë për të qenë në lartësinë e dashurisë? A kemi ende forcë? Sot në epokën e fundit të dashurisë, të këtij pasioni të vjetër, për të cilin duket se nuk ka më kohë? Vallë, cila është e vërteta për dashurinë sot?

E vërteta është se ne jemi bërë frikacakë. Të aftë për të bërë seks, lirisht, dhe për kënaqësi ia ​​mbathim nga dashuria: kemi shumë aventura të thjeshta për të shmangur aventurën e dashurisë. Sepse dashuria kërkon shumë prej nesh. Më shumë sesa vetë subjekti mund të japë. Sepse dashuria na vendos përballë murit pa rrugë shpëtimi. Dashuria kërkon gjuhë, fjalë, rrëfime, të cilat duhen përsëritur; kërkon që të shpiket një përkohshmëri tjetër që i bën ballë asaj të jetës së përditshme; kërkon forcën e së pakthyeshmes “përgjithmonë”: një pikë përjetësie, një të shkuar që nuk largohet në rrjedhën e fundme të kohës; por mbi të gjitha na kërkon të braktisim egon: limanin e sigurt të ekzistencës sonë, të fuqisë sonë, të qenies sonë.

Të humbasësh gjithçka, madje edhe botën, për t’u shfaqur ballë Tjetrit: pa ditur, pa parë, në zgrip të natës. Duke nisur me një rrëfim, Dashuria ekziston dhe nuk e lë veten të kapet nga asnjë abstraksion, të kuptohet nga asnjë mendim, të kapet nga asnjë logo: është lëkura, mishi dhe zëri; është frymimi yt, heshtja jote, mungesa jote, ky trupi yt që lëviz nën gishtat e mi, regëtima e zemrës sate. Dhe zhurma e shiut që bie tani – e dëgjon? – atomet në zbrazëti, një potere nga lart poshtë: dhe kjo shmangie e padukshme (clinamen) që shpërthen nga askund, që je ti. Ekziston hapësira e një pranie (nga “ex- sistere” në “të qenit jashtë”) përtej jetës së mbyllur në domenin e egos, përtej vetë jetës, që mbetet gjithmonë për t’u bërë.

Nuk ka asgjë për të menduar këtu. Mendimet e mia janë lodhur për ty. Dashuria është gjithmonë diçka që duhet të bëjmë në mënyra të shumta. Dashuria bëhet: për shembull këtu, përmes tingëllimës dhe ritmit të fjalëve. Dhe ti e di më mirë se kushdo tjetër. Dëgjomë: nuk po flas për një dashuri të veçantë, pa fre, të jashtëzakonshme, aq më pak për një dashuri që jeton vetëm në fantazinë e filozofëve, poetëve, romancierëve, këngëtarëve, regjisorëve. Dua të vetmen dashuri të denjë për këtë emër, dashurinë time, për të cilën na mungon guximi: dua dashurinë si një ngjarje që na kapërcen dhe na kërkon ta jetojmë atë me forcën e një po-je.

Dashuria nuk mund të mendohet apo thjesht të thuhet. Dashuria nuk mund të vihet në dyshim, të hetohet. Dashuria nuk është një temë e mundshme diskutimi filozofik. Dashuria nuk është një gjë që duhet vëzhguar apo shfaqur. Nuk ka filozofi dashurie, shkencë dashurie, diskurs dashurie. Dhe gjithçka që ju kanë thënë dhe treguar për dashurinë është vetëm mashtrim. Për shkak të dashurisë, kjo është ajo që dua t’ju them sonte, për dashurinë nuk ka njohuri.

Prandaj Platoni, pasi e bëri Sokratin të thotë se nuk di asgjë, përveç gjërave të dashurisë, fjalimin më të bukur për dashurinë, në Simpozium, e la ta mbajë jo Sokrati, por një grua, Diotima, një priftëreshë e kualifikuar në misteret e dashurisë, ligjërimi i së cilës nuk ka vlerë filozofike, por MISTERIKE. Ligjërimi sokratik si ligjërim filozofik, ligjërim i vërtetë, episteme, nuk mund të vazhdojë rrugëtimin e vet kur është në lojë dashuria.

“Të dashuroj”- Filozofia si një deklaratë dashurie

Ujdisur shqip Rielna Paja


Lexo edhe:

KADRI ROSHI KA PUNUAR SI PASTRUES BANJOSH E HAMALL, SHKARKONTE THASË ME ÇIMENTO 13 ORË NË DITË…