Harvey Keitel mos luani në filmin “Shtëpia e verdhë”, është propagandë serbe

I dashur Harvey Keitel, po dëgjoja lajmet në RTK dhe emri juaj u përmend për një angazhim të mundshëm tuajin në një film propagandues serb për të ashtuquajturën shtëpi inekzistente “Shtëpia e verdhë”, ku kinse shqiptarët kanë kryer krime mbi popullatën civile serbe. Realiteti është krejt ndryshe i dashur Harvey. Populli shqiptar ka qenë viktimë e regjimit të Millosheviqit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit. Unë e di që mua nuk më takon t’ju them se çfarë të luani e çfarë jo . Por tani bëhet fjalë për një puro propagandë të shtetit serb.

Shumë i dashur Harvey, unë jam vetë aktore, dhe shpesh herë keni qenë inspirim për mua. Por, ju lutem shumë, mos e bëni një gjë të tillë sepse do ta lëndonit një popull të tërë. Do ta lëndonit një popull i cili i rrezikohej nga spastrimi etnik. Ju lutem mos e bëni, sepse do t’i lëndonit mbi 13.000 civilë shqiptar të vrarë, në mesin e tyre fëmijë, të rinj, gra shtatzëna dhe të moshuar. Do t’i lëndonit mbi 20.000 gra të dhunuara. Do t’i lëndonit 1653 familjet e personave të pagjetur, që ende nuk kanë një varr ku t’i qajnë të afërmit e tyre .

Gjatë gjithë luftës kam qenë në Kosovë, dhe a e dini cila ka qenë frika ime më e madhe i dashur Harvey?! Jo nga vdekja, sepse në luftë njeriu edhe mund të vritet, por frika ime më e madhe ka qenë se mund të dhunohem në sy të babait dhe vëllezërve të mi . Dhe për më tepër, thurja plane në kokën time për një vdekje të shpejtë, që një gjë e tillë të mos më ndodhte. Ju kujtoj, i dashur Harvey, që NATO-ja intervenoi në vitin 1999 që ta shpëtojë një popull nga spastrimi etnik, dhe që të mos përsëritej një Srebrenica e dytë.

Andaj, shumë i dashur Harvey, ju lutem mos e bëni sepse nuk ju bën aspak nder një film propagandues i një regjimi që bëri tri luftëra brenda 10 viteve në Ballkan, duke lënë me qindra mijëra varre pas vetes .

Me përulësi, Aurita Agushi (aktore nga Kosova).

#harveykeitelpleasedontdoit