U helmua, u vra, ishte i sëmurë? Si vdiq Aleksandri i madh?

aleksandri

Aleksandri i III i Maqedonisë i njohur si Leka i Madh, qe mbret i Maqedonisë. Leka i Madh ishte një ndër komandantët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, në moshën 32 vjeçare kishte pushtuar pjesën më të madhe të botës së atëhershme.

Pas pushtimit të Greqisë nga babai i tij, Filipi II, Aleksandri e shndërroi atë në perandori- u zgjerua nga Ballkani në lumin Nil dhe në Himalaje, gjunjëzoi popuj të tërë gjatë rrugës.

Por si vdiq Aleksandri i madh?

Janë parashtruar shumë spekulime, por ende nuk mund t’i përgjigjemi pyetjes.

Aleksandri i Madh kishte temperaturë të lartë për disa ditë, ai nuk ishte në gjendje të fliste dhe të ecte. Dymbëdhjetë ditë më vonë vdiq.

Disa argumentojnë vdiq nga shkaqe natyrore, të tjerë besojnë se ai u vra fshehurazi duke i dhënë helm në një banket festiv.

Shumë historianë i atribuojnë vdekjen e tij një sëmundjeje, diçka si ethet tifoide, malaria etj.

A u helmua Aleksandri?

Sipas Dr. Leo Schep, një toksikolog nga Qendra Kombëtare e Zelandës së Re, Aleksandri i Madh, nuk mund të ishte helmuar. Sipas tij vdekja nga arseniku do t’i kishte ardhur shumë më shpejt.

Bazuar në atë që e dimë nga shkrimet e historianit të lashtë grek Diodorus, Aleksandri i Madh kishte dhimbje pasi piu një tas të madh të verës së papërzier në nder të Herkulit. Duke u ankuar se nuk ndjehej mirë shkoi në shtrat, shëndeti i tij u përkeqësua në mënyrë të vazhdueshme. Ethet ia dërmuan trupin.

Dr. Shep mendon se është e mundur nëse atij i është dhënë një bimë helmuese e njohur si Veratrum album, kjo bimë rritet në Evropë dhe në disa pjesë të Azisë Perëndimore.

Hipoteza tjera

Dr.Kethrin Holl, lektore në Shkollën Dunedin të Mjekësisë dhe mjeke praktikante në Universitetin e Otagos në Zelandë e Re ka një argumentim ndryshe nga të mëparshmit.

Ajo beson se sundimtari i lashtë nuk vdiq nga infeksioni, alkoolizmi apo vrasja. Holl mendon se Aleksandri vdiq si pasojë e një çrregullimit neurologjik që njihet si Sindroma Gilen-Bare (GBS).

Në një artikull të botuar në “Buletinin e Historisë së Lashtë”, ajo thotë se teoritë e mëparshme rreth vdekjes së udhëheqësit të famshëm në vitin 323 Para Erës Sonë, nuk kanë qenë të kënaqshme, përderisa nuk e kanë shpjeguar të gjithë ngjarjen.

Nuk kishte shpjegime shterruese

Në veçanti, ajo thotë se askush nuk ka dhënë një përgjigje gjithëpërfshirëse, që të përmbajë një shpjegim të besueshëm dhe  shterrues për një fakt të regjistruar nga një burim – trupi i Aleksandrit nuk arriti të shfaqte shenja të dekompozimit për 6 ditë pas vdekjes së tij.

“Grekët e lashtë, menduan se kjo provonte që Aleksandri ishte realisht një hyjni. Ky studim, është i pari që siguron një përgjigje të botën reale”- thotë Dr.Holl.

Së bashku me vonesën e raportuar të dekompozimit të trupit, 32-vjeçari thuhet se kishte ethe, kishte edhe dhimbje barku. Pra një paralizë progresive dhe simetrike në rritje; dhe qëndroi i vetëdijshëm deri pak para vdekjes së tij.

Dr.Holl beson se një diagnozë e GBS, e kontraktuar nga një infeksion i bakterit Kampilo Pilori (i zakonshëm në atë kohë, dhe një shkaktar i shpeshtë i sindromit GBS), i qëndron testeve rigoroze shkencore, nga perspektiva klasike dhe mjekësore.

Shumica e argumenteve rreth shkakut të vdekjes së Aleksandrit, përqëndrohen tek ethet e tij dhe dhimbja e barkut. Megjithatë, Dr.Holl thotë se përshkrimi se ai mbeti me mendje të kthjellët deri në fund, vështirë se ka marrë ndonjë vëmendje.

Ajo beson se Aleksandri u prek nga një variant akut motorik i neuropatisë aksonale të GBS që i prodhoi paralizë, por pa pasur konfuzion apo humbur vetëdijen.

Aleksandri nuk kishte vdekur vërtet

”Vdekja e tij, u ndërlikua më tej nga vështirësitë në diagnostikimin e vdekjes në kohërat e lashta, ato mbështeteshin në kontrollin e frymëmarrjes, në vend të pulsit”.

Së bashku me llojin e paralizës së trupit të tij (zakonisht të shkaktuar nga GBS), dhe rënien e kërkesës për oksigjen, simptomat e mësipërme zvogëlojnë dukshmërinë e frymëmarrjes.

Një shkatërrim i mundshëm i autoregullimit të temperaturës së trupit, dhe kokërdhokët e syve të tij që fiksohen dhe zgjerohen, dëshmojnë gjithashtu se ruajtja e trupit të tij për disa ditë nga dekompozimi, nuk ka ndodhur për shkak të një mrekullie, por për shkak se ende nuk kishte vdekur.

Por a u zbardh misteri?

“Unë dua të nxis debat dhe diskutim të ri, dhe ndoshta të rishkruaj librat e historisë, duke argumentuar se vdekja e vërtetë e Aleksandrit ndodhi 6 ditë më vonë se sa është pranuar më herët. Vdekja e tij mund të jetë rasti më i famshëm i pseudothanatosit, ose diagnozës së rreme të vdekjes, që është regjistruar ndonjëherë”- thotë doktoresha.

Dr. Holl beson se njerëzit janë ende të interesuar për Aleksandrin. Kjo shkaku se ishte një person psikologjikisht kompleks dhe i ndërlikuar, që shihej si një hero luftëtar, ndërsa analizat më moderne janë përpjekur të jenë më të gjera dhe më të nuancuara. Pavarësisht mënyrës sesi duan ta perceptojnë njerëzit Aleksandrin, ka një dëshirë për të provuar dhe kuptuar jetën e tij, në një dimension sa më më plotë që të jetë e mundur.

Misteri i qëndrueshëm i shkakut të vdekjes së tij, vazhdon të zgjojë interesin publik dhe të studiuesve.
Popullariteti i hipotezës së sindromës GBS, si shkaku i vdekjes së Aleksandrit të Madh, qëndron tek fakti se ajo shpjegon në një qasje të ndryshme shumë elemente të ndryshëm, dhe i rendit ato në një tërësi koherente.

Përgatiti T.K./ ObserverKult

Lexo edhe:

ALEKSANDRI I MADH PREMTOI TA RINDËRTONTE BABELIN