Elda Zavalani: Ka net kur shpirti udhëton, pa i marrë leje trupit…

janë ca rrugica në Korçë

Nga: Elda Zavalani

Ka net kur shpirti udhëton, pa i marrë leje trupit. Shkon larg të kërkojë pak qetësi. E braktis trupin dhe e kthen në kufomë të gjallë, që flet, që ec, që qesh, që luan, por që nuk jeton. Trupi pa shpirt s’ka jetë. Shpirti pa trup po. Madje është i lirë, i dlirë, pa vargonj, pa rregulla, pa orare, pa norma bajate shoqërish mizantrope, pa kokëçarje e shqetësime të përditshme. Udhëton nëpër udhë ndjenjash, që i ka projektuar shpresa e i ka shtruar malli. Fluturon lart, aty ku nuk e kapin dot rrufetë e stuhitë e jetës. Zhytet në det e pastrohet, përkëdhelet në perëndimet e purpurta, fle me këngën e hënës e zgjohet me atë të zogjve.

Nuk ka destinacion, ka vetëm dëshira, dëshira që e bëjnë të lumtur më shumë kur nuk realizohen.

Pastaj shkon e çlodhet diku në një cep, ku është një shpirt tjetër që e pret, që e puth dhe e shtrëngon fort, me mallin dhe dëshirën e lashtë sa Eva dhe Adami.

“- Ik tani, i pëshpërit. Trupi ka nevojë për ty!

– Më jep krahët e tu. Në to ndjehem i mbrojtur dhe i sigurt. Dhe kur të më marrë malli sërish, ato e gjejnë vet rrugën për tek ti”

Dhe shpirti i jep krahë shpirtit, e mbron, e ruan, e ledhaton.

Ai kthehet sërish tek trupi, futet pa zhurmë e bujë. Dhe trupi ndjen jetën brenda tij, gjakun në damarë, zemrën në gjoks, lotin në sy. Pastaj humbet në një përqafim të ëmbël. Janë krahët e shpirtit tjetër. I puth, i puth dhe mbyll sytë. Fle në gjumin ledhatonjës, derisa dielli ta përkëdhelë përsëri në agim, me dritën e ditës së re…

ObserverKult


Lexo edhe:

NUK JE RRITUR KUR TË DEL THINJA E PARË. JE E RRITUR KUR SAKRIFIKON VETEN PËR ATA QË DO

Nga Elda Zavalani

Nuk je rritur kur të del thinja e parë. As kur të prishet dhëmballa e pjekurisë.
Nuk je rritur kur të del një rrudhe në cep të syrit. As kur të dhemb mesi në mëngjes.
Nuk je rritur kur ke nevojë për syze, as kur ke pak takikardi.
Nuk je rritur kur të vdes babai dhe të lë në moshë të re.
Je rritur kur duhet ta shpërfillesh veten dhe të mendosh më shumë për tjetrin.
Je rritur kur dikush ka nevojë të qajë në gjoksin tënd.
Je rritur kur duhet ta mbash dhimbjen e të bëhesh i fortë për të tjerët.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObseverKult