Nga: Elona Caslli
Nuk mjafton jeta e vështirë që pati. Nuk mjafton fakti se shpesh dhimbja dhe jeta e tij u përdor për show në ekrane të ndryshme për të kënaqur egon e spektatorit mediokër që teksa mbllaçit vaktin e darkës, jargavitet me talljen që i bëhet një njeriu tjetër në ekran.
Nuk mjafton fakti se ikën para kohe nga jeta.
Jo, as vdekja nuk mjafton. Duhet ta etiketojmë vdekjen. Fjala bie, nuk mund të shkruhet si titull lajmi ” Vdiq Ard Daullxhiu”. Jo, nuk mund të shkruhet kështu. Duhet të shkruhet ” Vdiq i mjeri më i famshëm në Shqipëri”, në çdo portal. Mungesë e theksuar etike qoftë në plan njerëzor, qoftë në plan profesional.
Duhet shqyrtuar renditja e të mjerëve dhe emri i të mjerit që merr më shumë pikë, fiton titullin ” I mjeri më i famshëm në Shqipëri”. Ky titull e shoqëron edhe pas vdekjes, a thua se është titull nderi.
Post Scriptum– Pushofsh në paqe Ard! Një gjë është e sigurt: Zoti nuk do të të etiketojë, por do të të mirëpresë.
Lexo edhe:
ELONA CASLLI: NE NUK JETOJMË, MBIJETOJMË MAM…
Ne nuk jetojmë, mbijetojmë mam.
Ajo është diku rreth të dyzetave. Më rrëfen dialogun me të birin që do të mbushë 18 vjeç pas dy vitesh.
-Do të iki jashtë mam. Këtu nuk rri. Pastaj do të marr dhe vëllain me vete. Këtu nuk jetohet.
Mirë, po unë dhe babi ia kemi dalë të jetojmë dhe t’ju rrisim ndonëse me rroga.
Mamë, ne nuk kemi jetuar. Ne kemi mbijetuar.
Post Scriptum- Sytë e saj mbushen me lot gjatë rrëfimit dhe e vërteta që orvatemi ndonjëherë ta themi me shumë fjalë, thuhet veç me një fjali nga goja e një djali 16 vjeç- Ne nuk jetojmë, ne mbijetojmë mam.