Edi Rama: Lamtumirë kërcimtarit legjendar, Besim Zekthi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shfaqur zemërthyer pas lajmit të hidhur se mjeshtëri i valleve popullore Besim Zekthi është ndarë nga jeta.

Ai ka postuar në Facebook një mesazh të shkurtër ngushëllimi dhe foton e Mjeshtrit të madh të valles popullore shqiptare, ndërsa shkruan:

“LAMTUMIRË KËRCIMTARIT LEGJENDAR, BESIM ZEKTHI”, shkruan Rama.

Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” – Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besiz Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tone tradicionale.

Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artisike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.