Edi Rama: Teatri Kombëtar ishte i papërfunduar, shembja e godinave ndodh kudo

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi mbrëmë se projekti origjinal i Teatrit Kombëtar mbeti i papërfunduar, për shkak të sistemit të kohës.

Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se “unë nuk thashë të ndërtojmë teatrin e ri kombëtar atje. Unë thjesht kam thënë krejt gjë tjetër dhe po e përsëris edhe këtu nëse nuk e keni dëgjuar, dhe nuk besoj ta dini nëse nuk e keni dëgjuar. Ajo që ka bërë më shumë efekt në shumë njerëz jashtë me të cilët unë kam folur është që shembja është shoqëruar me vizatimin, pra me vizatimin idilik të arkitektit. Por ju duhet të dini që projekti i atij arkitektit që shfaqet si projekt i Teatrit Kombëtar nuk është realizuar kurrë. Pse? Sepse filloi në vitin 1938 dhe në 1939 me fillimin e luftës u bë ndërprerja drastike për të gjitha ndërtimet publike dhe të gjitha ndërtesat. Është bërë një ndërprerje e madhe e fondeve dhe ndërtesat që ishin në proces janë thjeshtëzuar maksimalisht për të vazhduar dhe për të mbaruar pa pjesëmarrjen fare të arkitektëve. Nuk bëhet fjalë, për të gjitha ndërtesat pa përjashtim, pa marrë fare mendimin e arkitektit dhe është bërë një mbyllje e përshpejtuar. Në vitin 1939 përfundon ndërtimi me strukturë pupuliti dhe druri me përzierje çimentoje dhe në 1941 vjen ekspertiza dhe thotë nevojiten riparime urgjente”, u shpreh Rama.

“Ajo që ne do të bëjmë është: ne jemi të përgatitur për një ofertë të re për fëmijët”, tha ai.

Rama shtoi se “në këtë ofertë të re për fëmijët, që do të jetë shumë komplekse, do të jetë krijimi i një rrjeti destinacionesh për fëmijët. Destinacione kulturore dhe sociale për fëmijët dhe qendra jonë e parë e fëmijëve do të bëhet në Tiranë. Dhe ideja kush është? Merr projektin original dhe një grup arkitektësh, ne do të bëjmë një godinë që do t’i mishërojë bashkërisht të dyja. Këtë shëmbëlltyrë të së shkuarës fëmijët do ta kenë si pjesë të këtij kompleksi”.

Rama tha se shembja e godinave ndodh kudo në botë. “Që të kuptosh që është gjëja më normale në historinë e zhvillimeve urbane të botës, në të gjitha qytetet dhe të gjitha vendet e botës, edhe në Paris, edhe në historinë e Parisit kur ndodhin gjëra që sjellin ndryshime të reja dhe të forta ka gjithmonë palë specialistësh që janë pro dhe kundër”, u shpreh ai.