reklamë

Edicioni i dytë i “Prishtina Dance Festival” rikthehet me 32 artistë e tri skena

Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të dytë të “Prishtina Dance Festival”, i cili do të mbahet më 4, 5 dhe 6 shtator, duke mbledhur vallëzues, artistë dhe dashamirë të vallëzimit nga Kosova, rajoni, diaspora dhe vende të ndryshme të Evropës.

Drejtori i festivalit, Rron Haxhiislami, në një intervistë në emisionin e mëngjesit në RTK, ka bërë të ditur se pas suksesit të edicionit të parë, festivali këtë vit do të vijë në një format më të zgjeruar, me 32 artistë ndërkombëtarë, tri skena dhe rreth 13 stile të ndryshme të vallëzimit.

“Vërtetë festivali i ka tejkaluar pritjet në edicionin e parë. Artistët që kanë ardhur kanë qenë shumë të kënaqur dhe në të njëjtën kohë edhe pjesëmarrësit. Dëshira për ta bërë edicionin e dytë menjëherë ka qenë shumë e madhe, por edhe gatishmëria prej bizneseve dhe prej institucioneve për të na ndihmuar”, tha Haxhiislami.

Sipas tij në edicionin e dytë janë rritur dukshëm, pasi nga një skenë që herën e kaluar ishte me 15 artistë, tash pjesëmarrës do të jenë 32 artistë dhe tri skena. Haxhiislami ka bërë të ditur se programit të festivalit i janë shtuar edhe stile të reja, ndërsa një nga risitë e këtij edicioni do të jetë përfshirja e fëmijëve në klasa të posaçme të vallëzimit.

“Promovimi i vallëzimit është kryesorja, pra me pa çfarë benefite ka vallëzimi në aspektin mental dhe aspektin fizik. Sivjet për herë të parë po fillojmë edhe me klasat e fëmijëve”, tha ai.

Ai theksoi se festivali synon jo vetëm promovimin e vallëzimit, por edhe promovimin e Kosovës dhe të artistëve shqiptarë nga diaspora, të cilët kanë ndërtuar karrierë në vende të ndryshme të Evropës.

“Promovimi i Kosovës dhe mikpritja që e kemi ne këtu. Po ashtu synimi jonë është që diaspora jonë e suksesshme në pjesën e vallëzimit nuk është vlerësuar mjaftueshëm”, tha Haxhiislami.

Ai tha se organizimi i një festivali të tillë ndërkombëtar sjell edhe sfida, veçanërisht në aspektin e logjistikës dhe transportit të artistëve drejt Kosovës, pasi siç tha vendi ynë nuk ka linja të mjaftueshme fluturimeve.

Festivali është i hapur edhe për ata që nuk kanë përvojë në vallëzim. Sipas drejtorit të festivalit, mësimet do të organizohen në nivele të ndryshme, duke u mundësuar edhe fillestarëve të provojnë stile të ndryshme.

Gjatë tri ditëve të festivalit do të organizohen mësime, aktivitete dhe net vallëzimi. Programi nis më 4 shtator, ndërsa pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zgjedhin mes biletave ditore, biletave për ‘party night’ dhe opsioneve të tjera të pjesëmarrjes.

Për fëmijët, organizatorët kanë paraparë klasa të veçanta, kryesisht për grupmoshat 11 deri në 14 vjeç, ndërsa në raste të caktuara mund të përfshihen edhe fëmijë më të vegjël me praninë e prindit.

Sipas Haxhiislamit “Prishtina Dance Festival” synon të zgjerojë komunitetin e vallëzuesve dhe të krijojë një hapësirë ku profesionistët, pasionantët dhe fillestarët mund të ndajnë përvojat dhe të mësojnë stile të ndryshme të vallëzimit./rtk

ObserverKult


Lexo edhe:

Edi Rama ndan pamje nga Muzeu Kombëtar i Lundrimit në Shkodër (Video)