E uritura
Ndiehej e uritur. Ishte e uritur. Stomaku i saj fishkëllente trishtueshëm. Duhej të hante diçka. Ta mbushte atë stomak të madh me çfarëdo, mjaftonte që ta mbushte e të ndiehej e ngopur. Sepse, nëse ngopej nuk dinte të arsyetonte. Ndërsa, e gjendur me barkun petë, arsyeja e saj punonte mrekullueshëm.
Por ajo nuk donte që arsyeja t’i punonte, pasi i dukej e tepërt, duke qenë se, në botën ku jetonte, arsyeja nuk vihej fare në përdorim, pasi krijesat e botës, çdo ditë e më tepër po merrnin për bazë mosarsyetimin dhe gjithçka u shkonte më mirë, sikur me të i paraprinin çdo problemi apo dëshire.
Prapë ndiehej e uritur. Prapë ishte e uritur. Stomaku i saj akoma e vazhdonte atë fishkëllimën trishtuese, duke qenë se ende nuk kishte gjetur asgjë për të futur nën dhëmbë. Ndonëse ishte në kërkim, asgjë nuk po shihnin sytë e saj. Ende po ndiente arsyen ta rrëmbente, duke mos i lënë asnjë qelizë të trupit pa kontroll.
Sillej nëpër atë vend të çuditshëm, por ende nuk po shihte asgjë që të kënaqte dëshirën dhe syrin e saj. Papritmas, sytë iu ndalën në një qenie e cila rrezatonte zymtësi. Pavarësisht nga kalimi i shumë viteve, e njohu. Ishte krijesa që i kishte ikur nga kthetrat kohë më parë.
E vështroi. Ngultas. Më pas shikimi sikur iu ëmbëlsua. Ndoshta e kishte marrë malli për atë qenie të vogël, por, nga ana tjetër, stomaku i saj prej të uriture, këtë mall sikur ia hidhte poshtë. Duhej të vendoste: të kishte mall apo uri.
Rrugë të mesme a mund të kishte? Mbase. Por, e urdhëruar nga stomaku, e ndoqi me hapat e mëdhenj e të shpejtë. Krijesa, edhe pse me ndjenjën e frikës që i ishte endur në trup, nisi të vraponte.
Vraponte. Por, hapat e mëdhenj e të shpejtë po i afroheshin gjithnjë e më shumë. Krijesa u tulat një çast, pasi nuk po dinte nga t’ia mbante, derisa gjeti një skutë të vogël dhe u fut brenda. E uritura u tërbua. Duhej se s’bën të hante diçka. Por, ajo krijesë që i kishte shpëtuar kohë më parë, i shpëtoi përsëri. Në atë skutë ku ishte fshehur, nuk mund ta kapte pasi atje ajo nuk mund të depërtonte dot. Por ajo duhej të hante diçka, se s’bën!
U tërbua edhe më shumë kur pa se nuk po ia arrinte qëllimit. Iu afrua edhe më shumë ndërtesës ku krijesa arratisëse ishte fshehur në atë “skutë të mallkuar”, e quajti, dhe nuk e kuptoi përse e quajti ashtu, edhe pse në ato momente arsyeja po i punonte mrekullueshëm.
Duhej ta gjente. Filloi të thyente xhamat e asaj ndërtese, e pastaj t’i përtypte ngeshëm. E dinte mirë, krijesa e fshehur nuk kish nga t’i shkonte. Pastaj, me duart e saj të mëdha e të bëshme, kapte copëzat e mureve dhe i përtypte, edhe ata ngeshëm. Tani po ndiehej më mirë. Arsyeja, moment pas momenti, po e lëshonte. Po bëhej e paarsyeshme. Ndiehej e plotfuqishme. Muret filluan t’i pëlqenin, sa filloi t’i hante më shpejt, ashtu e babëzitur siç ishte. Në një qoshe të asaj ndërtese, tashmë të shkatërruar, vërejti tek strukej krijesën e arratisur.
Qeshi me të madhe, ndërsa qenia e vogël dridhej e dridhej nga frika që i ishte ngjeshur në trupin e saj të vogël si një xhup i ngushtë. Ajo vazhdonte akoma të qeshte. Tashmë e kishte në dorë. Por, befas, ndjeu dhimbje barku.
“Mos!”, thirri.
U kujtua se stomaku i saj nuk mund t’i treste ato “ushqime”. Lëshoi një “oh”. E pas pak çastesh, e uritura, tashmë e ngopur, u pllakos përdhe.
ObserverKult
___________
Lexo edhe: