Edison Ypi: Ai dhe ajo nuk do martoheshin…pse-pse-pse ?!

Divorc

Të dy me shkollë të lartë. Të dy me smartfona. Të dy me email, fejsbuk, instagram, pasuord që nuk e zbërthen dot as CIA.
U njohën gjatë ceremonisë së promuovimit të një libri të këllirshëm nga një autor i pështirë. Ai u magjeps pas saj kur ajo i tha “shum’ nice ky libri”. Ajo u marros pas tij kur ai i tha; “goxha cool ky autori”.
U takuan disa herë. Zbuluan binjakërinë e shpirtrave. U fejuan. U martuan. Ndër këngët që u kënduan në dasëm la mbresa të thella “Ristana”. Veçanërisht vargu lotëndjellës; “S’pata pare me të majte”.
Dikush mori në fotografi dhëndërrin duke teshtitur, çka dhëndërrit nuk i pëlqeu. Një çakërrqef nxorri nga brezi një kobure dhe çpoi tavanin. Dy që qenë më esëll arritën t’ja heqin koburen nga duart adhuruesit të traditës vetëm pasi e bindën se kishte ngatërruar shekullin.
Dasma po shkonte për bukuri. Kur befas u vunë re disa lëvizje nervoze të dhëndërrit. Dhëndërri vej-e-vijke si i tërbuar me një celular që e mbante në dorë si kobure. Me gjasa, në ekranin e atij celulari duhej të kishte diçka tmerruese.
Dasma nisi t’i ngjante një zjarri shkarpash që atypëraty shndrrohet në hi. Në fillim mbyturazi, pastaj me zë të qartë dasmorët nisën të pyesnin të habitur; ç‘ka ndodhur, ç‘po bën vaki ?! Shpejt u muar vesh se njohjen e thellë, shpirtrat binjakë, dashurinë e zjarrtë, fejesën e ëmbël, dasmën e shumpritur, i kishte marrë lumi i kishte çuar në det;
Ai dhe ajo nuk do martoheshin, nuk do bëheshin burr’ e grua, nuk do pillnin bastarda.
Pse-pse-pse ?! pyesnin të gjithë të habitur.
Disa të ftuar ja plasën të qarit.
Njohja e pasojës por jo e shkakut provokoi pëshpërima dhe psherëtima të shumta. Derisa e mori në dorë situatën një kunat i dhëndërrit.
Kunati tha; Na vjen keq që i braktisët tavolinat e të ngrënave duke i lënë të mjera si arena luftrash të humbura. Ishte e paimagjinueshme të ndodhte një hata e tillë me një dhëndërr sa trendy po aq edhe tradicional si kunati im.
Por faktet janë kokforta. Gjithçka është e dëshmuar me një foto që u bë me celular nga një shok për kok dhe mik besnik i dhëndërrit.
E vërteta e hidhur është se në foton fatale që u bë sebep për këtë divorc është fiksuar momenti kur gjatë një vallëzimi rock nuses ju dukën pak brekët./ ObserverKult