Edison Ypi: Djali i vetmuar nuk dashuron…

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim

Nga Edison Ypi

Vajza e vetmuar po pyet veten ku ta gjejë një djalë të vetmuar. Jo me kufje dhe selfie! Vetëm me shkrepëtima shikimesh, rrënqethje prekjesh, mornica ledhatimesh, rënkime puthjesh, lotë depërtimesh.
Por djali i vetmuar nuk del nga kafeneja të më gjejë të më bëjë mua vajzë të shoqëruar dhe veten djalë të lumtur.
Të dalim ku të na çojnë këmbët. Të na dehi aroma e blirit. Të na turbullojë trishtimi i Hënës. Të mahnitemi nga përgjakja e diellit në perëndim, era e dheut në Pranverë, V-ja e patave në fluturim, blegërima e qingjave, këmborët e bagëtive, flladi i malit, simfonitë e ujvarave. Të rrokullisemi mbi bar. Të vallzojmë nën shi. Të flemë natën në pyll.
Mirëpo djali i vetmuar është një sedentar i padobishëm, i pavlefshëm.
Djali i vetmuar nuk di të bëjë asgjë me mendjen e vet dhe duart e veta.
Djali i vetmuar di vetëm të flasi në celular duke u mbllaçitur. Të nisi SMS duke ecur. Të bëjë selfie duke u zgërdhitur.
Unë vajza e vetmuar nuk dua ta ndot vetminë time me celulara dhe sms-ra.
Unë vajza e vetmuar dua të arratisem, të rrëmbehem, të pengohem, të dërrmohem, të përgjakem.
Djali i vetmuar më ëndërron mua vajzën e vetmuar, të kollajshme, pa ngatërresa materiale, pa peshë, pa aromë të mishit, pa rrënqethje të lëkurës, pa dridhje të shpinës, pra ashtu si unë nuk jam dhe nuk dua të jem.
Djali i vetmuar përton të dashurojë.
Djali i vetmuar më pret të bie nga Qielli.
Unë vajza e vetmuar s’kam nga cili qiell të bie. Unë jam vetë qielli.
Selektive dhe durimtare, unë vajza e vetmuar që djalin e vetmuar e pres në heshtje me përpëlitje zemre dhe padurim për t’i pëshpëritur vargje, megjithatë ndjehem e lumtur; që racës i siguroj pastërtinë dhe Shqipërisë mbijetesën.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: SHITEM!