Edison Ypi: Filmi shqiptar është një kazan plehrash…

filmat shqiptar

Filmi shqiptar

Filmi shqiptar është një kazan plehrash plot me qen e mace të ngordhura, brisqe të ndryshkur, çizme llastiku të grisura, stomaqe bosh, sy të çakërrdisur, veshë të zënë, tru të tharë, gjëndra kanceroze, lëkura me ekzema, kocka të deformuara, kufoma të kalbura.

Në vendin ku i vetmi vend gatimi ishte haleja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, e vetmja dëshirë ishte të ikje nga syt këmbët; çfarë thoshin se prodhonin, ishin të gjitha rrena.

Shqipëria diktatoriale prodhoi vetëm 1 gjë. Atë më të urryerën, më të trupshmen, më brutalen; makabritetin estetik më kriminal që ka parë bota, zezonën e quajtur film shqiptar.


Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve për thithjen e trurit.


Filmi shqiptar ishte një kasaphanë ku shqiptarët lëpinë gjakun e njëritjetrit si macet dhe qëntë në oborrin e thertores.

Filmi shqiptar ishte një pirun me tre dhëmbë; një sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”, një brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, një trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”.

Filmi shqiptar është ajo dukuri katastrofike gjoja edukative që i ndan shqiptarët; Në njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit.

Filmi shqiptar ishte një supë e helmatisur propagandistike të cilën shqiptarët pasi e hëngrën pritën sa u erdhi rasti të rrëmbejnë ndonjë anije për të ikur në fund të botës për ta vjellë.

Filmi shqiptar është një kokteil i kakës së mëngjezit me shurrën e mbrëmjes që po ta pish edhe pes lek po të kesh në xhep, vete ja fal një jevge me shpresën e marrë se jevga do t’i shumfishojë.


Filmi shqiptar është një afrodiziak i dështuar për femra-burra: zborriste, kooperativiste, traktoriste, mjelëse etj.


Filimi shqiptar është një elisir të cilin pasi e pi çorroditesh aq tepër sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë pa e ditur se çfarë lufte do bësh e me kë do luftosh.

Filmi shqiptar është një kakofoni me tekst katastrofik që ka lënë në mendjet e shqiptarëve batutat më të shpëlara, më të neveritshme. Mos provo të kuptosh pse ndodhi kështu se sëmuresh me një diagnozë që s’ka çmendinë që ta shëron.
Filmi shqiptar është dhe do mbetet e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga aktorë “korifej”.

Filmi shqiptar është një arkivol që e paraqesin si djep, i kanë vënë rrota të çvendoset, dhe krahë të fluturojë.

Se si ja kanë arritur kësaj, dinë ta spjegojnë vetëm ata spiunat ata turiqenat që në shtyp dhe në televizor mbrojnë filmat shqiptarë.
Filmi shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në kafene.

Filmi shqiptar është një këshilltar i vyer për të bindur të mos zësh kurrë libër me dorë.
Filmi shqiptar është faktor elektoral tepër i rëndësishëm, mjeti më efikas për ta mbajtur të bashkuar kopenë e budallenjve trushpëlarë.
Po thonë broçkullën e broçkullave, se filmin inekzistent shqiptar e pëlqen populli i madh Kinez.



Dy lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film shqiptar.



Të parët janë ata që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative, nuk i lidh asgjë, dhe s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, për shembull, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel. Ngaqë s’mund të fajsohet askush për atë që s’ndjen, këta s’mbajnë asnjë përgjegjësi.

Të dytët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan tu ikin për dhjamë qeni dhjetra vitet krrusur mbi govatën e drunjtë “Shqipëria e Re” brenda së cilës provojnë të lajnë lëveret e përgjakura të shqiptarëve përmes monstruoziteteve propagandistike huazuar nga stepat dhe gulagët.
Zoti i ruajt nga skëterra e këtejme dhe e përtejme edhe të parët edhe të dytët.

Filmi shqiptar nuk është asgjë tjetër përpos një vampir propagandistik që mund të shihet pa pasoja ulur në rradhën zero, karrikja infinit.

ObserverKult

Lexo edhe:

Edison Ypi: Na ishin dy Nëna shqiptare…