Edison Ypi: Ja çka thashë kur isha tek Ismail Kadare

Edison Ypi


Nga: Edison Ypi

Aty nga mesi i viteve ’90. Vizitë te Kadare. Mysafirët; Një kritik arti, një gazetar, një përkthyes, një i panjohur, dhe Kadare. Helena hyne e dilte me kafe ndër duar. Kakuja hyri vetëm një herë. Ndejti pak çaste sa rrotulloi një herë sytë si antenë radiolokatori, dhe iku nga erdhi.

Llaf e muhabet, biseda erdh’ e u përqëndrua nga pikëpamja etike, materiale, idealistike, intelektuale, qytetare, patriotike, mbi ikjen, emigrimin, arsyet, avantazhet, problemet.
Mysafirët folën me radhë secili mbi qasjen e vet me arratinë, e cila deri dje ishte e pamundur, ose të kushtonte kokën, ndërsa tani ishte bërë befas e kollajtë si kafshimi i një thele bakllavaje.

Nuk u lanë pa i sjellë në vëmendje përvojat e dështuara apo të suksesëshme të filanit dhe fistekut; nja dy kompozitorë të cilët nga marshet e paradave me çizme ushtarësh, ku kishin vajtur merreshin me muzikë kishtare. Disa këngëtarë dhe shkruajtës tekstesh këngësh që fitonin goxha duke zëvendësuar në tekstet e hershme traktoristin me një qefli regjizor Hollivudi, dhe mësuesen e fshatit me modelen bishtpërdredhur të pasarelës etj.

Kur më erdhi radha mua me fol, thashë pakashumë këtë;
Hypa në një vaporr në mars ’91. Vaporit nuk iu ndez motorri. Nga ekuipazhi, asnjë. Ndoshta kishin ikur matanë detit.
Mes thasëve të shqyera të miellit dhe sheqerit nga rezervat e vaporrit, ca halabakë të djersitur me kanotjera të pista dhe me leva në duar, vinin vërdallë për të gjetur dikënd që dinte ta ndizte motorrin e vaporrit.

Në kthesën e vështirë të një korridori të ngushtë zbardhur me miell e sheqer, u përplasa me një nga ata të hakërryerit me levë në dorë në kërkim të ndonjë shpëtimtari që duhej të ndizte motorrin si Prometeu Zjarrin.

– Çfarë je ti ?
– Inxhinier, i thashë me zë të dridhur tek përfytyroja levën e tij duke shkatërruar brinjët e mia.
– Ndize motorin.
-Nuk di. Nuk kam ndezur as nuk kam fikur kurrë një motor vaporri. Më kupto drejt. Ndezja e motorrit është edhe në interesin tim, se unë e ti, ndodhemi, si të thuash, në të një njëjtën varkë, e cila varkë, po futi ujë…më kupton besoj.

Mesa duket kombinimi i sinqeritetit me kërkimin e ndjesës e bindën se të merrej me mua ishte kohë e humbur, dhe iku duke bërtitur; Ah ju intelektualët duheni vrarë të gjithë.

Motori nuk u ndez. Duke u kthyer në Tiranë më kapi një mall i zjarrtë për shtëpinë. Sikur po kthehesha pas nja një viti, ndërkohë që mes bardhësisë së sheqerit dhe miellit të hallakatur gjithandej në vaporrin që s’u ndez, ndejta më pak se 1 orë.

Pas Italisë, nën shembullin e Woody Allen, i cili pasi dëgjoi pak Vagner u vërsul të pushtojë Poloninë, dëgjova një fragment nga një Ep me lahutë, Zana, Kreshnikë, dhe u nisa ta pushtoj Greqinë. Greqia fort e bukur. Por e nuhata shpejt se Greqia nuk mund të ishte grua për mua. U ktheva pas nja gjashtë muajsh me lotë të zjarrtë në sy për gërxhet e vendit tim.

Dy herë më kthyen në Durrës nga trageti për parregullsi në pasaportë.
Të dyja herët gjatë kthimit po ai mall i zjarrtë me flakë Ferri sikur në traget të mos kisha ndejtur nja dhjetë minuta, por dhjetë vjet.

Vazhduan këto variacione me ikje e ardhje, mall e zjarr, derisa një ditë u binda, dhe bindjen e shpalla te shtëpia e Kadaresë.

– Unë që gjithë jetën kam ëndërruar të iki nga ky Ferr me krahë si të Ikarusit dhe mjete si të James Bondit, nuk iki, dhe nuk do iki, bërtita me sa kisha në kokë. Më duket se po të iki unë, punët në Shqipëri nuk venë mirë.

Një mizë që vërtitej nëpër dhomë zhurmonte si MIG.
Pas një pauze të shkurtër, Kadare, i cili gjatë rrëfimit tim qëndronte i ngurtësuar, u bë befas viskoz.
Tha Kadare;
– Qenke si ai njeriu i shpellave të cilin shpellarët që dilnin për gjah, e linin në shpellë të ruante zjarrin të mos fikej.

*Titulli i origjinalit: “Nuk iki”


Lexo edhe:

EDISON YPI: DUA NJË SHEKSPIR, NJË KADARE, TË SHKRUAJ PËR MUA NJË ROMAN…

EDISON YPI: FILMI SHQIPTAR ISHTE M*** PROPAGANDISTIK…