Edison Ypi: Kurrë nuk i kuptova, kurrë nuk i desha…

filmat shqiptar shami edison ypi

Nga: Edison Ypi

Kurrë nuk i kuptova. Kurrë nuk i desha. Kurrë nuk i durova. Kurrë nuk i mora seriozisht. Kurrë madje nuk më është dukur se kanë ekzistuar. Se kurrë nuk na rrahu e njëjta erë.
Kurrë nuk na lagu i njëjti shi. Kurrë nuk na terri e njëjta natë. Kurrë nuk na zbardhi e njëjta ditë. Kurrë nuk na ngrohu i njëjti diell.

Kurrë nuk na zbehu e njëjta hënë.
Kurrë nuk flisnin, vetëm pëshpërisnin. Kurrë nuk bisedonin, vetëm brohorisnin.
Kurrë nuk punonin, vetëm llapnin. Kurrë nuk hanin, vetëm lëpinin. Kurrë nuk ecnin, vetëm zvarriteshin. Kurrë nuk ndala së ëndërruari si të arratisesha. Kurrë nuk i ndava sytë nga gjallesat dhe mjetet fluturuese dhe lundruese, zogjtë, aeroplanat, harabelat, anijet, gomonet, peshqit.

Kurrë nuk më kuptuan. Kurrë nuk u dhashë rast të më njihnin.
Kurrë nuk u ula në bankën e parë në shkollë. Kurrë nuk fola me mësuesit dhe pedagogët. Kurrë nuk më shpëtoi soc-autor dhe soc-libër pa e tallur. Kurrë nuk fola në ndonjë mbledhje kolektivi. Kurrë nuk vajta në aksion rinie.

Kurrë nuk vajta në Teatrin Popullor. Kurrë nuk vajta në Opera. Kurrë nuk pashë, dhe ende nuk kam parë, dhe kurrë nuk do shoh një film shqiptar nga fillimi në fund. Kurrë nuk kërkova rritje rroge.
Kurrë nuk kërkova asnjë privilegj. Kurrë nuk bëra muhabet me asnjë shef, drejtor, apo çfardo epror. Kurrë nuk u bëra problem i ndonjë polici. Kurrë nuk njoha ndonjë sigurimist.
Kurrë, për asnjë çast, asnjë rast dhe asnjë arësye, nuk kam pasur të bëj me Sigurimin për të cilin dija vetëm se ekzistonte dhe asgjë tjetër. Kurrë nuk pata frikë nga Sigurimi. Kurrë nuk u çlirova nga frika e atyre që nga Sigurimi kishin frikë.

Kurrë nuk njoha ndonjë të famshëm apo të rëndësishëm, përveç Ismail Kadaresë, dhe Lasgush Poradecit që nuk mund të quhej i famshëm, e aq më pak i rëndësishëm, përderisa e konsideronin të vdekur.
Kurrë nuk pashë një edicion lajmesh në televizor. Kurrë emri i diktatorit nuk u shqiptua prej meje.
Kurrë nuk kam trokitur në derën e ndonjë partie. Kurrë nuk u takuam. Kurrë nuk u afruam. Kurrë nuk u pajtuam. Ata bërtisnin, unë heshtja. Ata iknin unë vija. Ata vdisnin unë lindja.

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

Edison Ypi: Rrofshin plehrat