Edison Ypi: Mirëmbrëma shoku kurvi, fillojmë transmetimet…

filmat shqiptar shami edison ypi

Nga Edison Ypi

Mirëmbrëma shoku kurvi, fillojmë transmetimet.

Pas këtij grushti fjalësh të një spikereje televizive niste çdo mbrëmje ferri propagandistik televiziv me filma të pështirë deri në vjellje, punë inekzistente, suksese imagjinare, heroizma halucinante, të gjitha të ideuara nga diktatori, të urdhëruara nga diktatori, të survejuara nga diktatori.

Gjithçka që mund të shihje në televizionin që diktatori vetë e bënte dhe vetë e shihte, ishin, një traktor që çante arat, një mjelëse që tejkalonte planin, një ushtar që mbronte atdheun.

Në këto kushte, meqënëse në atë burg, si në çdo burg, mes të burgosurve dhe gardianëve ka gjithmonë ndonjë vuajtje të përbashkët, etja për të parë televizionet e huaja u bë gjithpërfshirëse.

Përpjekjet e ethëshme për të parë fshehtaz televizionet e huaja vazhduan me vite.

Një rrjetë teli apo një tepsi me vrima varuar në tavan ose fiksuara diku në një pozicion ku televizori “kapte”, patën një farë suksesi për të parë me vështirësi ndonjë film, por nuk qenë zgjidhje.

Rrjeta e telit dhe tepsia me brima nxjerrë në ballkon mbuluar me ndonjë rreckë hedhur mbi të për të mos u parë nga rruga, as kjo nuk dha rezultat.

Valët televizive perëndimiore refuzonin të hynin në shtëpitë e shqiptarëve të joshura nga tela dhe tepsia.

Plasën barcaletat.

Barcaletat vinin në Tiranë pasi ngjizeshin në Shkodër dhe ambalazhoheshin në Laç.

Nga Shkodra ku thoshin “N’shpin teme asht i nalum me u pa televizioni shqiptar”, erdhi haberi se frigoriferit bosh ose më këpucë brenda për t’i mbajtur të freskëta, po t’i shtoje disa llampa, shndrrohej në televizor të cilit po t’i vendosje përsipër një Dhi’ të vogël bronxi nga ato që prodhonte “Artistikja Migjeni”, bëhej “me i dhi m’te” dhe problemi për me pa të gjitha televizionet e botës ishte i zgjidhur.

Kur eksperimentet me dhe pa llampa, me dhe pa dhi’ mbi të, nuk dhanë rezultat, u muar vesh se për të parë televizion duhej antenë e vënë mbi terracë.

Energjitë kreative të shpenzuara për ndërtimin e veprave të 5 vjeçarëve ishin hiçasgjë ndaj punës kolosale kreative për ndërtimin dhe fshehjen e antenës televizive.

Televizioni VHF i diktatorit kërkonte antenë të madhe me tuba të gjatë.

Televizionet e huaja UHF kërkonin antenë të vogël me tuba të shkurtër.

Fshehja e antenës të voglës UHF brenda antenës të madhe VHF, si plotësisht e mundur, shkaktoi një hutim ngazëllyes. Elementët e shkurtër të antenës së vogël u zgjatën artificialisht me tuba plastike. Pensionistët dhe spiunat që vigjëlonin nga oborri i pallatit nuk mund të vinin re hollësira të tilla në distancë.

Sa më lart të ngrihej antena, aq më i ëmbël dukej helmi i kulturës borgjezo-revizioniste.

Një djalosh tek Rruga e Durrësit që quhej Kirov, e ngriti antenën më lartë se të gjithë, mbi 10 metra mbi terracë.

E drejtoi si duhet nga perëndimi, e shtrëngoi me bulona, bulonat i sharroi dhe i shurroi që të ndryshkeshin dhe të mos liroheshin dot nga asnjë spiun, asnjë pensionist, asnjë çels anglez.

Emri rus i djaloshit trim që babain e kishte oficer, shkaktonte një mahnitje të këndshme që provonte se antikonformizmi nuk ishte fenomen klasor, as shoqëror, e aq më pak politik.

Dikush tha se aftësia e antenës për të thithur valët shtohej dukshëm nëse elementët e saj prej tuba bakri mbusheshin me zhivë.

Magazinat e ndërmarrjeve u boshatisën nga tubat e bakrit.

Nga farmacitë u zhdukën termometrat të cilëve u merrej zhiva.

Kur u pa se zhiva e termometrave nuk dha efekt, u hap fjala se duhej zhiva e kuqe, zhiva e nëndetëseve që ndodheshin në Pasha Liman.

I kuq flamuri, i kuq gjaku, e kuqe ideologjia, e kuqe rruga e partisë, të kuq librat e diktatorit, të kuqe citatet e maos, i kuq horizonti, e kuqe lindja, i kuq “Këndi i Kuq”, e kuqe coha e podiumeve, e kuqe edhe zhiva e antenave. Ah jo, kjo është e tepërt, mjaft se më çmende.

U muar vesh se legjendat për zhiva me ngjyra i përhapte Sigurimi. Të eturit për të parë filma dhe lajme i pushtoi dëshpërimi dhe frika.

Por nuk u tutën.

Sofokli Karpuzi prodhoi fshehtas në “Uzinën Traktori” stampa të posaçme për të prerë elementë antene me konfiguracion si bisht dallandysheje.

Shtysa që Sofo i dha sofistikimit të antenës i vështirësoi teknikat për fshehjen e antenës, ama përmirësoi goxha cilësinë e figurës.

Tuç Zyma ëndërronte një repetitor të fshehur në një kaçubë në majë të Dajtit.

Repetitori i Tuçit do t’i merrte valët direkt nga italia.

Por Tuçi nuk e zgjidhi dot problemin e ushqimit të repetitorit me energji. Me bateri nuk ishte e mundur.

Tuçi nuk mund të shkonte një herë në muaj në Majë të Dajtit për të ndërruar bateritë nga frika se e arrestonin në emër të popullit me sebepin se ishte nisur për tu arratisur nga Martaneshi.

Meqënse ushqimin e repetitorit nuk e zgjidhi dot as me energji diellore, projekti i Tuçit mbeti ëndërr e parealizuar si ëndërrat e pararojës së bërësve të antenave që ishin kryesisht qeflijtë e filmave porno.

Thuhej se televizori në Laprakë s’kap.

Në Kino Studio edhe kap edhe s’kap.

Në Sauk kap.

U bënë harta me vendet ku televizori kapte dhe s’kapte.

Një numur banorësh të Tiranës të etur për të parë televizionet e huaja, ndërruan shtëpitë për të vajtur në vendet ku televizori kapte.

Në terracën e një pallatit pranë Medresesë dikush instaloi një antenë brenda një kutie dërrase mbyllur me beze të kuqe mbi të cilën ishte shkruar “Rroftë diktatori”.

Antenën më të sofistikuar, atë me bosht që dilte mbi terracë nga kanali i tymit të sobës dhe ulej ditën e ngrihej natën si periskop nëndetseje, e ndërtoi i nënshkruari që ka parë mijëra filma, por kurrë një film shqiptar.

*Titulli i origjinalit: “Antena”

ObserverKult


filmat shqiptar shami

Lexo edhe:

EDISON YPI: EJA, MOTËR, EJA SHPEJT SA ËSHTË GJALLË SHQIPËRIA…

Nga Edison Ypi

Eja Motër, eja. Eja në Shqipëri. Eja në vendin tënd brenda indit tënd. Eja eja. Këtu ka aq dhembshuri, mall, dashuri, punë, aq emocione, aq të papritura, sa kurrkund tjetër.

Sa nuk numërohen. Sa Yj’ ka në Qiell. Sa disa Infinita rresht.

Vetëm në Tiranë dhe vetëm “Te Brryli” ke për të parë të rinj të hatashëm me sy të turbullt që nuk i gjen as në romanet e Dostojevskit as në filmat e Pasolinit.

Aq intriga që nuk do t’ia kishte rrok’ mendja Shekspirit.

Aq meselera, idera, plane, ëndrra, gëzime, krime, qëllime, premtime, shpresa, zhgënjime, dështime, realizime, sa nuk i kap dot asnjë penë, asnjë ngjyrë, asnjë tingull.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult