Edison Ypi: Mos eja sapo ke dalë nga dushi…

Mos eja sapo ke dalë nga dushi. Më xhelozon për vdekje uji i ngrohtë që ta përkëdheli kurmin.
Më ruajt Zoti po erdhe nga kafeneja ku vështrimet e banalëve ta kanë ftohur zjarrin dhe mua më sjell hirin.
Të vish pas tundimeve virtuale të zjarrta të leximit të një libri, unë që jam real do të dukem i ftohtë.
Të vish nga një sallë koncerti plot me emocione të larta shkaktuar nga të tjerë që kërkon t’i zbrazësh mbi mua me ngut, është bombë me sahat.
Të vish pasi ke kafshuar një mollë, duket e pafajshme por është e frikshme, e rrezikshme, e padurueshme, e papranueshme.
Po erdhe tek unë pasi ke thithur palcën e një kocke, do bësh një faj aq të rëndë sa nuk do ta fal kurrë.
Po ke ndërment të vish fill pasi ke bërë një selfie, më mirë më fut në dhe’ të gjallë.
Të vish pasi ke dalë nga deti, do ishte mrekulli, por është një kripje aq e shijshme sa po ta provoj kam frikë se çmendem.
Nëse të është shkrepur të vish pas një udhëtimi në Kosovë, duket si krisma e duhur, por kam frikë se kur të më tregosh çfarë pe atje, do vdes nga dëshpërimi.
Të vish kur sapo ke dalë nga Kisha, do të ketë mbetur mendja te një paragraf tmerrësisht i bukur i Biblës, dhe fjalët e mia do të duken të mjera.
Në ardhsh nga Xhamia, do jesh fiksuar te disa sure kuranore aq të bukura sa kur të m`i thuash do më bjeri pika.
I vetmi shteg nga duhet të vish është e rënë nga Qielli të jesh.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: RROFSHIN PLEHRAT