Edison Ypi: O Zot sa rrejn

filmat shqiptar shami edison ypi

Rrejn.
O Zot sa rrejn.
Rrejn kur flasin. Rrejn kur bërtasin. Rrejn kur heshtin. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur ëndërrojnë. Rrejn kur fitojnë. Rrejn kur humbin. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur rrejn.
Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat, rrejn konferencat, rrejn kongreset. Të gjitha dhe të gjithë veçse rrejn dhe rrehen.
Nuk rrejn rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, se të atillë e kanë vesin.Rrejn gjith kohën. Rrenin dje, rrejn sot, do rrejn nesër, do rrejn deri ditën e fundit, deri frymën e fundit.
Nuk rrejn as bukur apo këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën, për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen doresh. Rrejn pa u menduar.
Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejn pa e ditur pse rrejn. Rrejn se duhet të rrejn.
Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena.
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, këtu mor Zotni të gjithë vetëm rrejn. Këtu oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien.
Vishen me rraqe gabi – hiqen sikur ndjekin modën.
I ngijnë flokët me xhel – u duket vetja i bukur.
Gjezdisin me Benzin e tjetrit – ushqehen me marmalatë të mykur.
Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë.
Duke rrejtur, hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e shpallin hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.
Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta ndreqësh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive.
Kapilarizimi i rrenës nga fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta mpin trurin, ti ngrin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.
Nuk rrejn një herë, që ti falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejn pafundësisht.

miqve edison ypi rrejn


Rrena këtu është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta kafshojë e helmojë.
Këtu rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt, rrejn spiunat.
Këtu rrejn të gjithë. Rren ustai hallexhiun. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja. Rren televizori, rrejn autorët, redaktorët, opinionistat, analistat.
Majtas e djathtas, larteposht e rretheqark, rrena dhe vetëm rrena.
Bërtit sa të tundet dheu. Ulurit sa të ngresh dallgët e detit. Grise qiellin duke bërtitur e klithur. As hijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund.
Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, duke j’u lutur Zotit të thotë ku është e vërteta, pse e vërteta vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.
E kotë. Pas hapit të parë në rrugën për me zbulu të vërtetën, je mbuluar nga një mal me rrena.

ObserverKult

Lexo edhe:

QENGJI I URTË I THITHË DY NËNA”, 25 FJALË TË URTA SHQIPE

mallkime fjalë të urta

Fjalë të urta, shqiptarët kanë shumë. Ato janë thënie të shkurtra  që në mënyrë shumë sintetike shprehin mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme dhe të cilat kanë dalë nga jeta dhe përvoja e popullit përgjatë shekujve.

Për këtë arsye, ato paraqiten si të vërteta të pakundërshtueshme e me vlerë të përhershme.  Zakonisht shquhen për mprehtësinë dhe aftësinë për të shprehur mendimin me sa më pak fjalë dhe në mënyrë figurative.

Tematika e proverbave është shumë e gjerë dhe e larmishme.

Në vazhdim mund të lexoni disa fjalë të urta shqiptare që ObserverKult ka zgjedhur për ju:

  • S’tunden malet me përralla.
  • Në portën e të shurdhit mos trokit.
  • Nuk mësohet plaku si duhet krehur mjekra.
  • Pas lufte të gjithë bëhen trima.
  • Mos ki frikë nga hasmi, po nga miku i rremë.
  • Kur u ba horri pashë, vrau t’anë.
  • Mos mëso ustanë, po merri zananë.
  • Fjal’ e ëmbël thyhen të fortin.
  • Fjala e mirë në ditë të keqe.
  • Dy duar për një kokë, koka për atdhenë.
  • Me njoftë veten asht urti, me qeverisë veten, është trimni.
  • Po nuk nderove veten, s’të nderon njeri.
  • Pyet shtatë a tetë, e bëj si di vetë.
  • Qafa e unjur, koka e prerë.
  • Qëndro shtyllë e mos u bëj urë.
  • Kam inat po nuk kam takat.
  • Qingji i urtë thithë dy nëna.
  • Sa të mbledhësh ti rrusht, tjetri ka ngrënë një kosh.
  • Kur të vjen nevojtari në derë, po s’pate gjë, jep një gotë ujë.
  • S’mbartet ujë me shportë.
  • Si është vendi bëhet kuvendi.
  • Sevapi as shitet, as blihet.
  • I ligu të puth e të kafshon.
  • Njeriu vlen sa di, e din sa mban mend,
  • Trimërinë pas luftës e urtësinë pas kuvendit s’e ha as qeni. /Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

FËMIJA VDIQ ME FJALËN E FUNDIT “DUA BUKË”, RRËFIMI I DËSHMITARIT

rrejn 99-vjeçarja që ndërroi jetë mes telave me gjemba

“Dua bukë”, o zot çfarë vdekje pamë…

Sekuestrimi i pasurisë së familjes Fidani dhe shpërndarja e djemve të saj, në burgje dhe kampe internimi. Një prej trashëgimtarëve, Meti Fidani, tregon sagën e kësaj familjeje, ku i ati u burgos në Burrel dhe xhaxhai u dërgua në kampin e Tepelenës

Në një postim të para pak kohëve në faqen e tij në Facebook, djali i vëllait të Ferik Fidanit, tregon se si ardhja e komunistëve në pushtet, shkatërroi familjen Fidani, një nga më të pasurat e Devollit të Sipërm, në vitet ’40, duke dënuar me burgje dhe internime dy nga bijtë e saj.

Një prej tyre ishte Feriku, më i madhi i 5 vëllezërve dhë më i urti, siç e quan Meti, një nga ata që “nuk turbullonte ujët” kurrë, siç i thonë në ato zona. Megjithatë, kjo nuk do ta ndalte pushtetin ta internonte në kampin e Tepelenës, nga gjithë ai burrë, u kthye gjysmë njeri. Nga kampi i Tepelenës, nuk mund të ktheheshe ndryshe, nëse ishe njeri kur shkoje.

“Tmerret e këtij kampi i ka provuar dhe i ka parë xhaxha Feriku. Ka parë kur fëmija jepte shpirt dhe fjala e tij e fundit ishte bukë… Kishte parë se në një ditë humbën 30 jetë fëminore… Kishte parë kur as arkivole nuk kishte për fëmijët e vdekur…

As varre nuk kishte… Komandanti legjendar e kishte hequr dhe të drejtën e varrit… Armiq këta fëmijë… Humbën pa nam e nishan… Shumë eshtra i mori Vjosa. Shumë eshtra nuk dihet se të kujt janë, shumë eshtra nuk dihet se ku janë… Dhe nuk janë pak… Janë 6000 të zhdukur në gjithë Shqipërinë”, shkruan nipi i Feritit në postimin e tij. Xhaxhai i tij kishte parë vërtet shumë, por fliste pak. “-

Për qahmet të Tepelenës – thoshte shpesh xhaxha Feriku. Ai ishte një nga të mbijetuarit e këtij kampi. Nuk fliste shumë i urti xhaxha… Sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Vetëm se kur dëgjonte ndonjë këngë për komandantin, shkonte me vrap dhe e mbyllte radion”.

Para se ta çonin në Tepelenë, Ferikun e kishin internuar në Porto Palermo. Familja e tij nuk dinte asgjë për fatin e tij, deri sa vëllai i vogël, Nekiu, e gjeti. I kishin mbetur vetëm kockat dhe rrobat e trupit, por ishte i gjallë dhe kjo kishte rëndësi. Familja Fidani, e vënë në shenjestër, nuk mund të shpresonte më shumë. Jeta iu ishte kërcënuar disa herë anëtarëve të saj.

Një nga vëllezërit, Lacja, kishte shkuar me kokën në trastë dhe dy fëmijët me vete të dorëzohej në çadrat e gjyqit partizan në Shipckë të Voskopojës. Sigurisht, Shazija dhe Engjëlli i vogël, që kur të rritej, do të ishte një i burgosur politik më shumë nga familja Fidani, nuk do ta preknin zemrën e partizanëve që ishin treguar të pamëshirshëm në shumë raste duke i dhënë atij gjyqi namin e gjyqit nga nuk ktheheshe më, por ishte zemra dhe zëri i djalit të Sali Butkës, që e shpëtoi Lacen. “Nga një çadër ngjitur u dëgjua një zë urdhërues:

-Iljaz Fidanit t’i falet jeta. Të dënohet 6 muaj me punë të detyruar.

As Lacja e as sekretarja nuk e prisnin këtë.

-Ik o Lace ik. Merri fëmijët e shko në shtëpi. Ik mor Lace, mor vëlla, se gjaku nuk bëhet ujë-foli ai tjetri pa dalë fare nga çadra.

Ai që po fliste ishte Muharrem Butka, i biri i Sali Butkës”, tregon pasardhësi i familjes Fidani. Edhe jeta e vëllait tjetër, Etemit ishte varur në fill të perit, por pastaj ishte shpëtuar po me ndërhyrje. “Babain e kishin dënuar me pushkatim, por falë ndërhyrjes së Myftar Tares, u anulua vendimi me 101 vjet burgim”, tregon i biri, Meti Fidani. Do të mbetej gjallë dhe Etemi, pa çka se në burgun e Burrelit.

Edhe dy vëllezërit e tjerë kanë historitë e tyre në këtë sagë. Estrefit iu desh të fshihej te njerëzit e bashkëshortes, në Melçan, pasi i sekuestruan dyqanin në qendër të Korçës. Vetëm që para se të ikte, ai bëri një gjest që më vonë do e shpëtonte nga dënimi kapital. Ua fali nxënësve dhe fëmijëve në nevojë gjithë artikujt shkollorë dhe veshjet që kishte në dyqan.

Tekstin e plotë e gjeni KETU