Nga Edison Ypi
Letrat që i kam nisur vëllait në Spaç. Nostalgjira të trishta. Nuk është mirë t’u afrohesh se sëmuresh.
Kanë mbetur disa dhjetra. Të tjerat kanë humbur.
Nuk i jam kthyer asnjërës prej atyre letrave për të parë çfarë kam zhgrrapsur ‘many tears ago’.
Aso kohe, nëna ime Hasia dhe unë, jetonim si Zonja Nurihan dhe Mark Zavalina. Prisnim e përcillnim mysafirë me halle të ngjajshme.
Prej tyre kishte dhe thjesht kuriozë. Ndoshta edhe spiunë. Dëgjonim radiot e huaja. Lexonim libra. Edhe të ndaluar.
Qarkullonim habere. Bënim muhabete. Pinim çaj mali. Tymosnim cigare Partizani. Ndër të paktët që nuk na braktisën, ishte njëri që nuk i linte gjë mangut Ekrem Fortuzit.
Pothuaj të gjitha letrat i shkruajta unë. Në emër të nënës, për më tepër siguri.
I nisja me, “I dashur Biri im”, ose “I dashur Arti” dhe i përfundoja me “Të përqafon Mamaja_____” pra, siç duket dhe në foto, me bishtin e a-së së fundit të zgjatur për t’i bërë të kuptonte Eduardit atë që ai e dinte, se bashkë me nënën e tij e përqafonin edhe shkruajtësi i letrës, pra unë, motrat, kunetërit, nipat, mbesa, dhe të tjerë.
Zakonisht në fund, ndonjëherë edhe në krye, në të gjitha letrat vija datën. Nuk di pse në atë kohë me kronologjinë isha më rigoroz se sot.
Ndoshta sepse kronologjia ishte e afërt me pritshmërinë, përkohshmërinë, provizoritetin e diktatorit dhe diktaturës.
Një ditë, tek kërkoja diçka mes ca rraqeve, më dolën parasysh ato letra. Për herë të parë, zgjata dorën mora njërin nga ato zarfa.
Atë që më zuri dora. E hapa. Letra mban datën 15 dhjetor 1982. E lexova.
Si gjithë letrat që kam nisur në Spaç, edhe ajo letër bën fjalë për libra, fjalorë, rroba, ilaçe, ushqime. Më bëri përshtypje ky paragraf;
“Mos na shkruaj letra me vdekje. Ne e kuptojmë vështirësinë e burgut, madje jo vetëm duke e marrë me ment, se fundja kjo vështirësi nuk varet nga madhësia e tij”.
Nuk e mbaj ment për cilën vdekje e kishte fjalën Eduardi. Ndoshta do ta gjej në ndonjë letër tjetër.
Ama ky kunj kaq i rrezikshëm që pata shkruar, kjo çfryrje kaq e zararshme me vdekje, kollajllëk për të marrë me ment vështirësitë e dy burgjeve, burgut të madh ku ishim mbyllur ne, dhe burgut të vogël ku vuante ai, më futën në atmosferën sa të zararshme dhe të këndëshme të asaj mënyre komunikimi.
Ju vërsula letrave të tjera.
Lexova nja tre a katër prej tyre.
Gjeta ndër to kunja edhe më të forta se paragrafi i mësipërm. Madje shumë më të forta. Te të gjitha ato letra kam ngulur kunja të tilla.
Do i bëj të njohura ato letra e ato kunja nga koha kur partia dhe diktatori i kishin zgjidhur problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një mënyrë të thjeshtë. Me dy burgje.
Një burg të madh që ishte Shqipëria e rrethuar me tela me gjëmba dhe një burg të vogël ku nga çasti në çast mund të hynte i gjithë burgu i madh.
Me këtë rast do qartësoj deridiku edhe paradoksin filozofik mbetur pezull ndër shekuj. Atë të futjes së një sfere të madhe brenda një sfere të vogël.
Mirëpo dilte një pyetje. Përderisa problemet ishin zgjidhur, qetësia kishte vendosur, kufiri ishte blinduar, Sigurimi vigjëlonte, spiunat bënin punën e vet, gazeta Drita dilte rregullisht, revista Nëntori po ashtu, puna vullnetare vazhdonte, traktorat çanin arat, plani tejkalohej, pse futa kunja nëpër letra ?
Nuk i futa kunjat për të realizuar qëllime të dëshirueshme por të pamundura si, ta zemë, për të rrëzuar diktaturën e proletariatit, penguar kongreset, apo sabotuar planet 5 vjeçare.
Me shpresë dhe besim se edhe bashkëvuajtësit tanë do bënin të njëjtën gjë, kunjat nëpër letra i ngulëm që unë dhe nëna ime në burgun e madh, dhe vëllai në burgun e vogël, të ndjeheshim gjallë.
Sa kohë ato kunja në ato letra përveç ne të treve, ndoshta edhe ndonjë të katërti në Spaç që kontrollonte letrat por nuk kuptonte metaforat, nuk do t’i lexonte askush tjetër, asgjë nuk mund të arrihej me ato kunja nëpër ato letra.
Ndonjë apo disa vigjilentë të sotëm, fort të ngjajshëm me spiunat e djeshëm në zbatimin me rigorozitet të metodave sigurimiste për tua nxirë jetën bashkëvuajtësve, mund të thonë se po mburrem.
Po mor plehra po. Është e vërtetë që po mburrrem, e do mburrem derisa nga qindrat ose mijrat e vëllezërve që kanë pasur vëlla në burg, të dali të paktën 1 prej tyre të provojë se ka qenë aq i guximshëm sa vëllait të vet në Spaç t’i ketë nisur letra me kunja si ajo me dy burgje me vështirësi të njëjta.
Derisa ta marrim vesh cili ka qënë ai trim, mos më çani kryt me mburravecllëqe komuniste për trimërira të paqëna.
Në gjurmët e të parëve të mi rilindas atdhedashës idealistë që ç’bënë veten për të bërë Shqipërinë, Flamurin e trimit mendjemadh të çartun nuk do ta lëshoj nga dora dhe nga pena.
ObserverKult
*Titulli i origjinalit” Dy burgje”
Lexo edhe:
EDISON YPI: MIRËMBRËMA SHOKU KURVI, FILLOJMË TRANSMETIMET…
Nga Edison Ypi
Mirëmbrëma shoku kurvi, fillojmë transmetimet.
Pas këtij grushti fjalësh të një spikereje televizive niste çdo mbrëmje ferri propagandistik televiziv me filma të pështirë deri në vjellje, punë inekzistente, suksese imagjinare, heroizma halucinante, të gjitha të ideuara nga diktatori, të urdhëruara nga diktatori, të survejuara nga diktatori.
Gjithçka që mund të shihje në televizionin që diktatori vetë e bënte dhe vetë e shihte, ishin, një traktor që çante arat, një mjelëse që tejkalonte planin, një ushtar që mbronte atdheun.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult