Nga Edison Ypi
Cilësimin llahtarisës “Armik”, të pakonkurrueshëm me asnjë makabritet verbal, ekuivalent me vuajtjen e pafundme nëpër internime, burgosjen ose vdekjen, dukej sikur e kishin shpikur pesqint djaj mbledhur kokmëkokë në një shpellë.
Nuk mund ta dije as ta kuptoje, pse, për cilin shkak, për cilën arsye, meritë ose të metë, armik ishe apo s’ishe.
Spiunat dinin ku të shkonin për të thënë se filani a fisteku është armik, duhet futur në burg dhe dëshira u plotësohej në çast.
Por s’kishte asnjë zyrë a komitet ku të pyesje; Shoku Jorgo, të lutem më thuaj jam a s’jam armik?
Nëse, për më tepër siguri, nuk do pyesje shokun Jorgo por ndonjë shok tëndin, të gjente belaja. Shoku që deri në atë moment të ishte dukur çun i kompletuar, papritmas shndërrohej në një djall me brirë më të mëdhej se shoku Jorgo.
Në vendin ku falë unitetit parti-popull dhe vigjilencës popullore armiqtë ishin të gjithë në burg, si mund ta bëje këtë pyetje.
Si mund të dyshoje tek vetja në ishe a s’ishe armik ? Këtu ka një problem. Kjo ha diskutim.
Nga frika se po e provokoje, shoku i shndërruar befas në djall ngrinte jakën e palltos, merrte frymë thellë, shtrëngonte nofullat, rrudhoste ballin, drejtonte hapin, ikte të spiunonte si armik me lakra në kokë.
Gjatë shqyrtimit brenda vetes të dilemës rrëqethëse nëse ishe a s’ishe armik, një herë të dukej se nuk kishe asnjë arsye të ishe dhe qetsoheshe njëfarsoj.
Por, pas një çasti të dukej se nuk kishe asnjë arsye të mos ishe, dhe të kapnin përsëri të dridhurat.
Ishe pra i dënuar të mos e dije nëse ishe apo nuk ishe armik. Por që të vazhdoje të gjalloje deridiku i orientuar duhej gjithsesi ta dije njëfarsoj nëse armik ishe apo armik s’ishe.
Dukej sikur në këto rrethana e vetmja gjë që mund të bëje për ta shmangur dilemën çfilitëse; Jam apo s’jam armik?
Për të mirën e vetes, e popullit dhe të partisë, ishte të vazhdoje të ekzistoje, por jo më i madh se një pikë.
Por edhe pika s’ishte zgjidhje. Sa më i mbyllur e i heshtur të ishe aq më tepër dyshime ngjallje.
Të damkosnin dhe të burgosnin edhe po të mos thoje asnjë fjalë, mos ta hapje gojën kurrë, madje si misterioz apo i pazbërthyeshëm, më tepër në këto raste.
Armik mund të ishe, por nuk e dije, po ashtu, si armik mund të mos ishe por kujtoje se ishe.
Mund t’i shtrëngoje dhëmbët dhe nofullat sa t’i thyeje, nuk i shpëtoje dot dyshimit që të rrinte mbi krye.
Askush nuk e dinte se çfarë duhej të bënte ose të mos bënte që armik të mos ishe, dhe të mos dyshonin se ishe.
Askush nuk e dinte gjithashtu se çfarë kishe bërë a çfarë s’kishe bërë, që armik ishe.
Të ishe armik por të fshiheshe, ishte e pamundur, të gjenin në vrimë të miut.
Të mos ishe armik dhe të thoshe s’jam, s’e hanin atë kokërr arre pa e thyer.
Të gjithë ishin, dhe askush nuk ishte.
Askush nuk ishte, e megjithatë të gjithë ishin.
Lodhjet për ta gjetur me mendje pse vallë e kërkonin me kaq ngulm armikun, të nxirrnin në përfundimin paradoksal; Duan të kenë sa më tepër armiq, çka s’mund të ishte e vërtetë, dhe lëmshi ngatërrohej.
Këshilla e ndonjërit; Hë mo dhe ti ç‘e vret mendjen, qepe gojën, ule kokën, puno, dhe je në rregull, as kjo s’ishte zgjidhje.
Të shumtit që përfundonin prapa hekurave ishin pikërisht ata që punonin dhe gojën e qepnin.
Kur armikun s’e gjenin dot as atje ku ishte as atje ku s’ishte, jo rrallë i vërsuleshin njëri-tjetrit.
Armiku dhe habitati i tij armiqësia, ishin një oqean i pafund dallgët e të cilit përplaseshin të gjitha në një vend, në burg.
Plani tejkalohej, ushtria stërvitej, kufitarët vigjëlonin, spiunat ushtronin profesionin, fshatarët mbillnin e korrnin, proletarët ndërtonin, të burgosurit edukoheshin, por për çudi, armiqtë shtoheshin.
ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Armiku”
Lexo edhe:
EDISON YPI: KOSOVA NUK MË DO
Nga Edison Ypi
Kosova do duhej të qeverisej e begatohej nga intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit e ardhur nga universitetet që mezi presin t’i shërbejnë.
Por Kosova kontrollohet nga hajnat e ardhur nga bodrumet marksiste-leniniste të Europës që e kanë bërë Kosovën si i lypset shkaut, lesh arapi plot me pëllitje imamësh që më bëjnë të uluras; Kosova nuk më do.
Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një Shqipe me të lujt menia e kres, me tu ndal fryma, muzikë, sinfoni e tëra.
Por ndërkohë, Shqipja e tyre mediatike është një mballosje e dialektit të mrekullueshëm kosovar me Shqipen standarde, një pështjellim aq i gërrditshëm gjuhësor sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, të cilën prej shekujsh e dashuroj, tash sa kohë më ka bo lanet.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult