Edona Reshitaj: Përmes artit dua të shprehi revoltë, protestë, të mbështes kauza…

edona reshitaj
Edona Reshitaj, foto: Arton Humolli

Ambicioze, rrezatuese, këmbëngulëse, Edona Reshitaj qysh herët me shumë vetëbesim e kishte drejtuar veten në udhën drejt sukseseve.

Intervistoi Vlora Ademi

Si filloi rrugëtimi juaj drejt artit, aktrimit, muzikës, drejt gjithë këtij suksesi?

Unë që e vogël e kam shprehur talentin për aktrim dhe muzikë. Kam qenë shumë e vogël, kur kam mbajtur “spektaklet” e mia, nëpër festa e ahengje të ndryshme familjare. Kam kënduar, kam aktruar, kam imituar… I kam përzgjedhur edhe veshjet për personazhet që i luaja, me rroba të prindërve, gjyshërve etj. Kam përgatitur skeqe të ndryshme, kangë, vallëzime, e edhe e moderoja “spektaklin” tim.

Me një fjalë fëmijëria ime është përcaktuese e asaj që jam bërë më vonë. Sigurisht që mbas shkollës së mesme, kam regjistruar Aktrimin në Fakultetin e Arteve, për ta drejtuar veten direkt aty ku përkisja.

Muzika gjithashtu ka qenë pjesë e pandashme e imja. Duke u nisë prej familjes, ku kisha të dy prindërit që dikur kanë kënduar. Kemi pasur një produksion muzikor, studio muzikore, instrumente të ndryshme etj. Duke e kryer fakulteti dhe duke e gjetë një kohë të përshtatshme, fillova të mirrem seriozisht edhe me muzikën.

Cilës po i mungon më tepër? (Cila po të xhelozon më shumë, aktrimi apo muzika?

Meqë puna në aktrim gjithmonë është kolektive, kompromisin me të madh e bëjë me muzikën, sepse e menaxhoj vet dhe e kam mundësinë të pauzoj, në kohën kur jam shumë e angazhuar me shfaqje, film apo serial.

Së voni kam humbur shumë festivale të mira të muzikës, veçanërisht në Shqipëri, për shkak të xhirimeve të filmit Adnan Kafazi. Filmi është industri e madhe me ekipë të madhe, oraret e xhirimeve përcaktohen shumë më herët dhe është problem të ndryshohen, siç janë edhe provat për shfaqje apo xhirimet për seriale televizive. Prandaj në këto raste e pranoj humbjen e disa mundësive në aspektin muzikor. Por, kam edhe projekte ku gërshetohen bukur të dyja, siç janë shfaqjet muzikore në Teatrin Kombëtar, vend në të cilin edhe jam aktore e trupës rezidente.

Edona Reshitaj

Na përshkruaj pak Edonën në paraqitjen e parë si aktore dhe në paraqitjen e parë si këngëtare!

Për herë të parë si aktore jam paraqitur në videokaseten “Malli i Mërgimtarit” si 9 vjeçare. E kam luaj rolin e një djali të vogël, të mërzitur që jeton në mërgim. Mbaj mend që babi më mbante një qepë te sytë që t’më dilnin lotët. Ndërsa si aktore duke u bërë profesioniste, për herë të parë kam luaj në Teatrin Dodona, në shfaqjet e Faruk Begollit.
Me muzikë, përveç si fëmijë, për herë të parë kam kënduar në programin festiv për 28 nëntorin e parë në liri, në vitin 1999, në Suharekë. Pastaj kam filluar në vitin 2006, duke e formuar një bend, me të cilin kemi mbajtur mbramjet e para live, në lokalin “Coco” përballe Tre Sheshirave.

Edhe këngën po na e sjellë në teatër. A është rastësi, apo paraqitejet e tua ia beson vetëm skenave të teatrit?

Teatri Kombëtar është shtëpia ime e dytë dhe përveç kësaj i përshtatej shumë konceptit të koncertit tim recital “Zonjat e Kangës”.

Koncertin e parë “E kuqja dhe e zeza” e kam mbajtë në Sallën e Kuqe, por sigurisht që ndihem më komod në teatër, sepse aty punoj, i njoh të gjithë punëtorët dhe puna është më e rehatshme.

Edona Reshitaj

Si ndihesh para një performance, sidomos para një premiere?

Para një premierë ndihem gjithmonë e mbushur me shumë emocione. Sado përvojë të kesh, para një premiere je si një fillestare çdo herë. Është ndjenjë e përgjegjësisë së madhe.

Çfarë eksperiencash fiton gjatë përgatitjes së nji roli?

Çdo shfaqje e re është një eksperiencë e re, prandaj ky profesion ta mbanë shpirtin plot dhe ta bënë jetën interesante, sepse asnjeherë nuk është njejtë. Unë si person që nuk e dua rutinen dhe njëtrajtshmërinë, jam e lumtun që e bëjë këtë punë e cila kurrë nuk është monotone, por gjithmonë të mban aktiv, sfidues, energjik e sjell eksperienca të reja. Duke luajtur role të ndryshme, personazhe reale apo fiktive, ti e ndjen lëkurën e tjetrit, barrën që ai mban, dhimjen, gëzimin, vuajtjen.

Duke kaluar në gjithë këto procese, ti mëson të mos jesh kurrë paragjykues, të jesh empatik. Ke mundësinë të ngrisësh zërin për padrejtësi, të kesh guxim, të flasësh për ata që s’mund të flasin, por gjithashtu edhe t’i argëtosh, t’i bësh të qeshin, të qajnë, të frymëzohen, të informohen etj.

Të jesh aktor është të mësosh për jetën, për vetveten, të zbulosh të panjohura nga vetja jote, të përmbushesh, të krenohesh, të lodhesh, të sakrifikosh, të vetëdijësohesh për shumë çështje jetësore, të ndihesh gjithmonë i ri, i lirë, çapkën, lozonjar, të jesh gjithmonë në kërkim, të provosh vazhdimisht.

Kur përfundon një projekt, fillon një tjetër i ri dhe gjithçka nisë nga fillimi.

Dhe çfarë keni fituar gjatë përgatitjes së Zonjave të Këngës?

Koncerti “Zonjat e Kangës” është një prej projekteve të mia më serioze dhe më të mëdha muzikore, me një punë të gjatë, e veçanërisht me një përgjegjësi shumë të madhe. Gjithmonë kam dashur që përmes muzikës të jap më shumë se veç muzikë, por ajo të jetë një urë lidhëse edhe e një çështjeje tjetër shumë të rëndësishme, një kauzë, një revoltë, një protestë, një nderim, një mesazh etj., ku njerëzit përveç muzikës së bukur, do t’marrin edhe frymëzim, guxim, emocion, kënaqësi…

Me këtë projekt, kam fituar eksperiencë, vetëbesim, mirënjohje, vlerësime të larta nga profesionistë të muzikës, kompozitorë të vjetër, të rinjë, falënderime, privilegje, krenari, gëzim e gjithashtu edhe më shumë përgjegjësi për projektet e ardhshme.

Albumi Zonjat e Këngës është dedikim dhe mirënjohje. Si ndihet një artiste kur bën një dedikim të këtij formati?

Është fantastike si artiste e re të nderosh ata që e shtruan rrugën me vlera të mirëfillta, me sakrifica e me mund të madh. Të jesh falënderuese për gjithçka që kanë dhënë për kulturën tonë, e në rastin tim në veçanti Zonjat, duke e ditë që nuk ka qenë fare e lehtë në kohërat të cilat kanë jetuar e vepruar. Pa respekt për paraardhësit, nuk mund të jemi pasardhës të respektueshëm.

Kënga “Më shumë se e bukur je”, tekstin e të cilës e ke shkruar vet, ka mesazh të qartë. Ku filloi?

Isha në kërkim të një teme frymëzuese për kangën time të re. Fillova të gjurmoja edhe në rrjete sociale se çka i preukopon njerëzit, dhe gjëja kyçe që shihja gjithëkund, ishte vëmendja e madhe ndaj pamjes së jashtme.

Nuk ishte më diçka normale mbi të cilën njeriu kurohet, mbahet mirë apo rregullohet, por ishte një mani mbi bukurinë. Veçanërisht vajzat e reja, të cilat e kanë jetën përpara, që duhet investuar në të ardhmen e tyre, ato preukopohen për pamjen e jashtme, por gjithashtu edhe gjithçka që shohin është pikërisht kjo.

Kam dashur të jap një mesazh dhe një frymëzim për to, që të shfrytëzojnë kapacitetet e tyre, mençurinë, forcën, guximin në arritjen e gjërave të vlefshme në jetë.

Të jenë të suksesshme dhe të zonjat e vetes, sepse munden. Vjen një kohë kur nuk janë më aq të reja e aq të bukura dhe do të mbeten të zbrazëta dhe pa perspektivë. Te jesh veç një figurë e bukur nuk është diçka qe ty të bënë njeri të dobishëm në jetë. Nëse ti nuk ke një arritje në një punë, që t’bënë të ndihesh e plotësuar dhe e suksesshme, si njeri së pari dhe së dyti si një profesioniste në një lami të caktuar.


Tekstin e kam shkruar pak para pandemisë dhe gjatë pandemisë kisha kohën të mendoja edhe për muzikën, formën e kangës, mënyrën se si dëshiroja të tingëllonte, që e përcakton edhe zhanrin muzikor dhe, gati në përfundim të pandemisë, e realizova edhe kangën e spotin bashkë.

Edona Reshitaj, foto: Arton Humolli

Na trego për bashkëpunimin që të ka lanë më së shumti mbresa?

Puna në aktrim është e gjitha bashkëpunim. Çdo projekt, si teatër, film apo tv, është e veçantë dhe me njerëzit që punon, krijon një lidhje të ngushtë. Në teatër do të veçoja shfaqjet: “Karnavalet e Korçës” dhe “Sfinga e Gjallë”, ndërsa në film, xhirimet e fundit të filmit “Adnan Kafazi”, si bashkëpunime me një energji shumë pozitive dhe atmosferë fenomenale.

Po bashkëpunimi me Besartin?

Me Besartin bashkëpunoj prej ditës së parë kur edhe jemi njoftu si dy kolegë, për të vazhduar bashkëpunimin edhe si dy të dashur, por edhe si burrë e grua. Fakti që fillimisht kemi qenë kolegë dhe kemi punuar bashkë, na ka bërë të jemi të njëjtë gjithmonë në raport me profesionin, pavarësisht jetës tonë private që kemi qenë në lidhje disa vjet dhe që sot jemi të martuar. Derisa ne vazhdojmë bashkëpunimin, kjo do të thotë që na shkon shumë mirë bashkë.

Tani, sfidën më të madhe për projekte të përbashkëta, e kemi sistemimin e fëmijëve, sespe mundësitë i kemi shumë të kufizuara. Mundësia më e madhe dhe më e sigurtë është prania e mamit tim, e rrallë herë edhe ndonjë mundësi tjetër. Kjo na e vështirëson pak bashkëpunimin.

Edona Reshitaj, Besart Sllamniku

Dhe si duket, ai më i vogli është shndërruar në artistin e madh të familjes. Duka. Ndoshta jo rastësisht është pagëzuar me këtë emër?

Dukë është një fëmijë që ka lind artist. Një bebe artistike hahaha.

Ai si bebe 6 muajshe, ka fillu me shpreh euforinë dhe gëzimin ndaj muzikës. Në moshën njëvjeçare, filloi t’i përdorë lodrat e tij si instrumente muzikore, fillimish si kitare, pastaj si piano, si violinë, si kontrabas, si frymorë të ndryshëm, si tupana etj. Pas çdo kërkese të tij mbi instrumentet, ne ia blenim ato që i gjenim nëpër dyqane lodrash. Kur filloi të rritej edhe më shumë, instrumentet që nuk i gjenim lodra, si p.sh trombonin, ai e improvizonte vet me elemente të ndryshme.

Ishte gati tre vjeçar kur veç filloi t’i bie pianos, pa improvizime, por temave të ndryshme ekzistuese dhe ne ia bleme pianon për të rritur për ditëlindjen e tretë. Së voni i bjen shumë rrallë, se si duket ka preokupime tjera. Në shtator fillon klasën e parë edhe pse ende nuk i ka mbushë 6 vjeç. Si duket është nxituar të mësoj shkrim e lexim, në gjuhën shqipe dhe angleze, e në konsulta me profesionist të fushës, na propozuan ta regjistrojmë në shkollë. Uroj të ketë fat e t’i shkojë mirë e mbare.

N’anën tjetër, e vogla jonë Hanë është fëmijë që shkon ma shumë sipas moshës që ka.

Dukë Sllamniku

Cila është këshilla më e mirë, që si artiste ia kishe përcjellë Dukës?

Për Dukën, fillimisht uroj që ta ketë gjithmonë dashurinë dhe përkushtimin ndaj muzikës dhe artit në përgjithësi, sepse është i bekuar me talent. Ndërsa nëse ai vendosë në të ardhmen të merret me art, sigurisht që do ta këshilloja të jetë gjithmonë vetvetja. Të ketë vetëbesim, të mos ndikohet nga të tjerët, ta bëjë gjithmonë atë që është destinuar ta bëjë dhe që di ta bëjë më së miri, sepse njeriu është më i mirë kur ka paqe me vetveten, që bënë punën e që di dhe që do.

Dhe cila ka qenë ajo që e ke marrë ti?

Unë sigurisht që kam marrë shumë këshilla të vlefshme nga familja, por ajo që më ka ndihmuar shumë, ka qenë kur dikush ka dyshuar në rrugëtimin apo përzgjedhjen time, sepse mu atëherë kam punuar më shumë. Kur dikush nuk beson në ty, shumë lehtë mund të të dekurajojë, por unë jam e kundërta, mobilizohem mirë më të gjitha fuqitë e mia dhe përgatitem fuqishëm për t’ia dalë. Më vonë iu kam falënderuar. Sepse kritikat e tyre më kanë bërë me luftarake, më punëtore dhe më profesioniste në punën që e bëja.

ObserverKult

Lexo edhe:

EDONA RESHITAJ: DJALIN JU MOJ VASHA MA KA ZANË DASHNIA (TEKSTI DHE MUZIKA)