Eduard Frrokaj: Natë

(26 Nëntor)

Të fjetur në ëndrra
Në ëndrrën e fundit
Ratë
Me muret e shtëpive
Ratë
Në tragjedinë e botës sonë
Ju ikët fëmijë të heshtur
Studentë të bukur plot shpresa të thyera
Të mërguar në rrugët e botës
Pleq qe mbanin në mend kohen e urisë
Ratë në mes jetës dhe vdekjes
Çështje sekondash
Në Kosovë u dridhëm
Ju kërkuam në mes lotësh
Në gërmadhat e shpirtit tonë
Foshnjën me kukull në duar e kërkuam
Kristin me shikim të heshtur
Djaloshin që kishte ardhur nga Britania
Cigaren e fundit e piu për të treguar deri ku mund të shkoj tragjika
Ratë për të mërguar në gërmadhat e shpirtit tonë
Ratë,
Të fjetur në ëndrra
Në ëndrrën e fundit të njeriut dhe botës