Eduardo Galeano: Qofshim përherë shpresëshumë

Eduardo Galeano_ vdesim


Paçim kurajën dhe guximin për të qenë edhe vetëm, por jo gjithmonë vetëm, sepse vetëm një dhëmb në gojë nuk shërben për asgjë, apo vetëm një gisht në dorë është i padobishëm.
O Zot, qofshim të pabindur, sa herë që marrim urdhra që poshtërojnë ndërgjegjen tonë ose dhunojnë mendjen tonë të shëndoshë.
Paçim këmbënguljen e të çmendurit për të mos i harruar kurrë të këqijat e së shkuarës, edhe në situata amnezie të detyrueshme.
Qofshim aq kokëfortë sa kurrë mos pushofshim së besuari se qenia njerëzore ia vlen, se, edhe në kushte të vështira, jemi ende të gjallë.
Qofshim në gjendje për të vazhduar ecjen shtigjeve me stuhi, edhe kur rrëzohemi, edhe kur tradhtohemi, sepse historia vazhdon përtej nesh, sepse kur ajo thotë lamtumirë, dijeni se ka thënë: shihemi më vonë.
Qofshim përherë të sigurt se gjithmonë është e mundur të jesh bashkatdhetar dhe bashkëkohor i çdokujt që jeton i nxitur nga vullneti për drejtësi dhe për mirësi, kudo që lind dhe që jeton, sepse hartat e shpirtit dhe kohës nuk kanë kufij.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult